2011-03-25

Demonstratat e '81-shit dhe politika e sodit


image
Orhan IBRAHIMI
Kjo ngjarje historike është njëra prej momenteve më të lavdishme të historisë së kombit tonë. Gati është e pa imagjinuar se si në atë kohë, në rrethana kur socializmi "lulëzonte", ku "bashkimvëllazërimi" kishte mbërritur në majat më të larta, ku Jugosllavia diktatoriale ishte llogaritur prej shteteve më demokratike në bllokun e lindjes, studentet së bashku me shtresat e tjera popullore organizuan demonstrata me kërkesa politike. Këto demonstrata ndërprenë iluzionin se mundë të ndërtohet bashkim-vëllazërimi, në ato rrethana politiko-shoqërore. Këto ngjarje tronditën udhëheqjen e atëhershme të Kosovës, ia shqerrën maskën gjithë establishmentit serbo-jugosllav para faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Këto demonstrata u shndërruan në fanar, si burim i pashtershëm për ta ndërtuar dhe trasuar rrugën drejt Kosovës së sotme, si shtet i pavarur dhe sovran. Do të tentoj ti tërheq disa paralele në mes kushteve dhe rrethanave të atëhershme të shqiptarëve të Kosovës, me rrethanat dhe kushtet që sot po përballen shqiptarët nën Maqedoni. Shqiptarët në Maqedoni, sot kanë kapacitete dhe resurse njerëzore, ekonomike dhe intelektuale, e atyre nuk i lejohet të organizohen mirëfilli për ta vetë administruar vetë veten. Sot, në shoqërinë shqiptare në Maqedoni, defilojnë kaq shumë parti politike, kaq shumë "politikan- analist", kaq shumë "shoqata civile", kaq shumë "intelektual-profesor universitar", kaq shumë "fakultete dhe universitete", kaq shumë "studentë dhe organizata studentore", kaq shumë "mediume të shtypura dhe elektronike". Pra, si është e mundur në praninë kaq e kaq.... në mesin e popullit shqiptar, ndërsa qytetarët të mos jenë të vetëdijshëm se në çfarë shteti jetojnë, në çfarë kushte e rrethanash politike, ekonomike, arsimore e kulturore gjenden. Si është e mundur që mos ta kuptojnë se jetojnë nën thundrën e një shteti diktatorial. Vallë, i gjithë ky mos akseptim i realitetit, është një paradoks, apo të gjitha këto dukuri dhe fenomene kanë rrjedhë logjike. Në atë kohë të viteve '81, Krahina autonome socialiste e Kosovës kishte institucionet e veta si Kuvendin, Qeverinë dhe Presidentin. Të gjitha institucionet udhëhiqeshin me mbi 80 për qind me kuadro shqiptare. Ndërsa autonomia udhëhiqej vetëm prej një subjekti politik, e ajo ishte Lidhja Komuniste e Kosovës, e kontrolluar nga UDB-jugosllave. Ndërsa sot, shqiptarët nën Maqedoni numerikisht gati sa shqiptarët e Kosovës në atë kohë, nuk i kanë institucionet e veta të pavarura. Jetojnë në një sistem "pluralist dhe demokratik" të integruar në shtetin e Maqedonisë me participim diku prej 2%, e diku me 7%, e në institucionet më të ndjeshme - me 0%. Shqiptarët janë të organizuar në disa parti politike. Për dhjetë vite radhazi, të gjitha zgjedhjet elektorale, votat e shqiptarëve gati me plebishit i fiton BDI. Ata kanë fituar 16, 17 dhe 18 deputetë, kanë fituar dy cikle të zgjedhjeve lokale. Me votat e shqiptarëve, ata kanë zgjedhur dy presidentë shteti - Branko Crvenkovskin dhe Gjorgje Ivanovin, ndërsa kanë përzgjedhur edhe 12 udhëheqës maqedonas në institucionet kryesore të vendit. Këta "çlirimtar" e kanë marre vullnetin e popullit për ti realizuar aspiratat dhe idealet tona. Për dhjetë vite, Marrëveshja e Ohrit ka pësuar goditje për ta vrarë, asnjë ligj, asnjë afat kohor, asnjë përqindje nuk është implementuar në frymën e kësaj marrëveshje (me përjashtime të vogla nënçmuese). Konstatim i intelektualëve, analistëve dhe politikanëve të mirëfilltë është se, "Marrëveshja e Ohrit është e vdekur". Sikur që janë të vdekur dhe të vrarë disa nga protagonistët kryesorë të konfliktit të vitit 2001 (në rrethana misterioze dhe të pa ndriçuara deri tani) siç është Komandant Teli, Komandant Iliri, Komandant Kushtrimi, Ridvan Neziri etj. Burgjet janë përplot me shqiptarë të dënuar me dënime drakonike me nga 15-20 vite dhe me burgje të përjetshme, dënime të dalura nga procese të inskenuara dhe të porositura nga klikat politike. Të pakta janë ata shoqata civile që marrin në mbrojtje shtresa dhe fusha të caktuara të qytetarëve shqiptar. Shumica prej tyre janë poltrone të partisë në pushtet, ata improvizojnë "tribuna" , "përkujtime" dhe "protesta". Në momentin kur qytetarët fillojnë ta kuptojnë realitetin objektiv, ata dalin në skenë për ta relativizuar fajtorin politik shqiptar. Të gjitha këto improvizime, gradualisht po bëhen të lexuara dhe të deshifruara nga qytetarët. Në atë kohë të viteve '81, Kosova kishte shumë institucione arsimore- shkencore. Në këto qendra u zhvilluan seanca dhe ligjërata akademike e shkencore, u mbrojtën dhe u promovuan shumë tituj shkencorë e akademik. Të gjithë këta punëtorë të arsimit, kulturës dhe shkencës, ishin shumë aktiv në sendërtimin e ndërgjegjes kombëtare dhe kthjellimin e rrethanave që po i kalonin. Pikërisht kjo ndërgjegje, kjo vetëdije që u ndërtua te rinia studentore, bëri që këta të jenë në ballë të gjitha proceseve, që kanë një kontinuitet veprimi deri në ditët e sotme. Edhe ne sot, në Maqedoni kemi shumë fakultete e universitete, kemi edhe një sistem edukativo-arsimor të kontrolluar nga shteti. Shtrohet pyetja se sa këta institucione edukative-shkencor kryejnë plotësisht detyrat që dalin prej obligimeve dhe detyrimeve profesionale. Në këto kushte teknike dhe ligjore sa mund të zhvillohet mësimi, a vijnë në shprehje t'i zbatojnë mësimdhënësit përgatitjet didaktiko-metodike. E ajo që është me më rëndësi, në këto shkolla a mund që ardhmëria jonë të aftësohet, edukohet, të marrë njohuri e dituri, shkathtësi e shprehi?. E gjithë kjo klasë e shkolluar disi bën sehir para ngjarjeve që ndodhin para syve tanë. Si mund të rrihet duarkryq para këtij terrori dhe ataku që i bëhet sistemit edukativo-arsimor, sistem bazë i vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit. Si mund të rrinë anash nga këto procese gjithë ky potencial studentor që numëron mbi 30 mijë studentë?. A thua kaq lehtë mund të gëlltitet ky realitet, devijimet në shoqëri..., si e përjetuan "Enciklopedinë maqedonase", Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, apo ndërhyrjet e shtetit në tempullin ku ju studioni?. Sigurisht se e keni ndjekur incidentin që i ndodhi rektorit Mujë Rugova, kur dy studentë i hodhën ngjyre rektorit të tyre. E dini se ky rektorë konsiderohet si personalitet shumë i respektuar, i cili ka dhënë shumë kontribute si në planin akademik, shkencor, publik dhe kombëtar?. Jam në gjendje t'i kuptojë këta dy studentë, me siguri nuk e kanë sulmuar personalitetin e Mujë Rugovës, por kanë sulmuar institucionin "Rektor", i cili duhet tu sigurojë kushte të avancuara moderne, si kolegët e tyre perëndimor. Ky rast duhet të na shërbejë si shembull, se si duhet të rezonojnë, të punojnë dhe veprojnë studentët për ti marrë të drejtat e tyre. E ç'ti bëjmë ne këtu "rektorëve" tanë? Patjetër se meritojnë që çdo ditë t'i presim nga dy studentë në hyrje të rektoratit që t'i hedhin nga një kovë ngjyrë. Natyrisht se kontribut të veçantë për devijimet e proceseve demokratike u përkujdesën t'i japin të gjithë mekanizmat shoqërorë me vasalët e tyre, e në veçanti nga shërbimet inteligjente maqedonase. Ndërsa kjo parti politike në qeveri, bën përpjekje maksimale që popullatën shqiptare ta shndërrojë në popull pa ide inspiruese për vetveten. Të jetojnë në iluzion se këto të drejta të cunguara dhe të dozuara nga qeveria maqedonase, janë maksimumi që i meritojnë si popull i kategorisë së dytë. Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë nevojë formale kinse përkujtojnë data të rëndësishme, të organizojnë Akademi solemne për ngjarje rreth të kaluarës së tyre. Ata, të gjitha këto ngjarje duhet t'i manifestojnë në protesta e demonstrata me kërkesa politike që edhe ne të jetojmë si e gjithë bota e civilizuar. Kjo e kaluar, e sidomos demonstratat e '81, duhet të na shërbejnë si lajtmotiv që pa përpjekje, pa mund e pa sakrificë, nuk mund të arrihet deri te qëllimi. Shumica e aktorëve të '81 janë në mesin tonë. Ata nuk guxojnë dhe s'duhet të lejojnë të përdoren si dekor historik. Kur në vitin e largët '81 kanë patur guxim, vullnet për ta ndihmuar kauzën shqiptare, sot edhe më fuqishëm duhet ti përkrahin dhe ti ndihmojnë vëllezërit e tyre që gjinden të diskriminuar nën shtetin maqedonas. Sot, më shumë se kurrë kemi nevojë për këta titan të kombit. Jam optimist se edhe te ne do të nisë të punojë ai gjen i vjetër ilir, që në vete përmban civilizim dhe atdhedashuri. Një gur që ka shkëlqyer një herë, do të shkëlqejë përsëri.

No comments:

Post a Comment