2011-03-28

Djepi i shpirtit të shqiptarisë

Frank Shkreli
Malësorët e vitit 1911 dhe prijësi i tyre u bënë zëdhënësit e drejtpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare dhe platformës së tyre për liri.
Në Shqipëri dhe në Malësi të Madhe kanë filluar festimet në përkujtim të 100-Vjetorit të kryengritjes së Malësisë së Madhe. Kjo kryengritje e malësorëve kundër Perandorisë Osmane, përveç se çoi në ngritjen e parë të flamurit kombëtar në token shqiptare ç’pre kohës së Gjergj Kastriotit, ajo sipas historianëve ka një rëndësi të veçantë në lëvizjen e rilindjes kombëtare shqiptare, sepse veprimtaritë dhe luftërat e Malësorëve tërhoqën, si asnjëherë më parë, vëmendjen e shteteve evropiane si edhe të opinionit publik të kohës në Evropë, mbi ato që po ndodhnin në Shqipëri. Lëvizja e kryesuar nga priji i Malësisë së Madhe Ded Gjo Luli dallohet nga të tjerat, pikërisht nga jehona që lufta e Malësoreve bëri anë e mbanë Evropës. Një meritë tjetër e kryengritjes së Malësisë së Madhe është fakti se kjo lëvizje kishte qëllime mbarëkombëtare, gjë që gjeti ndihmën dhe përkrahjen e Ismail Qemalit e të Luigj Gurakuqit, të cilët me patriotë të tjerë të kohës, duke parë luftën serioze të malësoreve, shkuan në Podgorice të Malit të Zi, ku përpiluan Memorandumin që përmbante, ndër të tjera, kërkesat e Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë dhe gjuhe e buxhet të vetin, dhe që Shqipëria të drejtohej nga një guvernator shqiptar, si dhe kërkesa të tjera. Memorandumi, në të vërtetë, ishte një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve. Kërkesat e malësoreve të shfaqura ne Memorandum , i bënë kryengritësit Malësorë t’i paraqiteshin botës së atëhershme si përfaqësues të aspiratave të mbarë kombit shqiptar. Lufta për liri e Malësorëve, 100 vjet më parë, dhe ngritja e flamurit të Skënderbeut në Deçiq me 24 Mars, 1911, ishte simbol i vëllazërimit të kombit shqiptar dhe tregoi se Shqiptarët kishin një atdhe që dëshironte liri dhe dritë për të dalë nga errësira shekullore e robërisë osmane. Si rrjedhojë e këtyre ngjarjeve, gazetat anë mbanë Evropës shkruanin për Shqipërinë, jo më si një frazë e zbrazët gjeografike, por për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e pushtimit turk. Kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin frymëzoi pastaj edhe kryengritjet e tjera të shqiptarëve, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Presidenti i Shqipërisë, Zoti Bamir Topi, Topi me 24 Mars,mori pjesë në shënimin e parë festiv, të kësaj ngjarjeje historike për kombin, në Shkodër, titulluar “Ku e muer emrin Malësia”, me rastin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe.“Është kënaqësi dhe privilegj të jem sonte me ju për të lartësuar së bashku kujtimin e një ngjarje, e cila ka ndryshuar përgjithmonë historinë tonë dhe kujtimin e atij burri, i cili e ideoi atë dhe pas shekujsh robërie, shpalosi flamurin e Kastriotit në tokën shqiptare. Nuk mund të ndahen, janë një binom nga ato që historia prodhon në orët e saj më të ndritura për një komb apo vend! Ju i dini! E kanë emrin: Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjo Luli! Malësorët e vitit 1911 dhe prijësi i tyre u bënë zëdhënësit e drejtëpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare dhe platformës së tyre për liri. Me pushkën e qëndresës dhe me emblemën e identitetit shqiptar, me flamurin kuq e zi në dorë, ai do t’i përcillte botës mbarë kumtin e Skënderbeut se kjo tokë ka zot, se kjo tokë ka malësorë, shqiptarë dje dhe shqiptar sot, shqiptarë përgjithmonë! Dedë Gjo Luli ngjitmas me fatin e Shqipërisë eci nëpër rrugë të vështira, rrugë që e çuan atë drejt Bratilës së Deçiçit, majë nga e cila shihej horizonti i Shqipërisë. Ajo ishte rruga e atdhedashurisë, rruga e cila e çoi drejt një vdekje prej martiri që pushtuesit ia kurdisën në vitin 1915, atëhere kur vendi përsëri ishte pranë greminës. Jam i bindur se një rrugë si ajo e Dedë Gjo Lulit fillon me jetën dhe mbaron me pavdeksinë. Në panteonin e Atdheut, aty ku përjetësia dhe mirënjohja e brezave bëhen një, burrat e sojit të Dedë Gjo Lulit janë pushkë të ngrehuna të Shqipërisë siç do t’i quante Ismail Qemali asokohe, por edhe modele për çdo bir shqiptari! Rojtar i përjetshëm i fateve të Shqipërisë mbetet ai. Kryengritja që filloi më 24 mars të vitit 1911, e ndezi flakë gjithë Shqipërinë, flakë që nuk u shua kurrë, kryengritje pas kryengritje deri në shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912. Më lejoni të pohoj se shtizë e atij flamuri ishte Dedë Gjo Luli. Malësorët e Kelmendit dhe të gjithë Malësisë zgjodhën luftën në vend të nënshtrimit, ashtu siç këndohet në epet e tyre të vjetra. Nuk është rastësi që shumë nga visaret tona kombëtare u endën në këto male dhe u bënë testamente të përjetshme kulture në Shkodrën historike. Eposi i Kreshnikëve, baladat, këngët, përrallat kombëtare, Kanuni i Maleve e shumëçka tjetër u mblodhën pikërisht edhe në krahinën e Malësisë së Madhe nga etërit françeskanë, të cilët në letërsinë e tyre ofruan malësorin dhe gjuhën e tij si model, sepse për ta gjuha do të thotë vazhdimësi, kulturë dhe rezistencë. Nga një traditë e tillë, natyrshëm, i imponohet kulturës kombëtare dhe sinkronizon me të emra të së djeshmes dhe të sotmes, intelektualë të rangut të parë si vëllezërit Mirash e Nikoll Ivanaj, artistë me rëndësi botërore si Luk Kaçaj dje, e Angjelin Prelocaj sot, tejet i famshëm në skenat botërore, shkrimtarë e memorialistë unikë si At Zef Pllumi, mit i disidencës antikomuniste, piktorë si Ismail Lulani që kanë përjetësuar në telajo historinë e këtij vendi.
Duke shprehur admirimin dhe respektin për këtë ngjarje të madhe me rëndësi te kombit shqiptar, Presidenti Topi nderoi një numër artistësh nga Malësia e Madhe e Kosova me medalje mirënjohjeje për veprimtarinë e tyre artistike.

No comments:

Post a Comment