2011-03-28

Ka perënduar ajo kohë

nga Bledi Kasmi


 
Deri 20 vjet më parë, realizmi socialist i ofronte publikut togfjalësha të tillë të fortë, si "vargmalet e zemrave të njeriut të ri që mundin në çdo betejë revizionizmin dhe kapitalizmin grabitqar". I gjeje këto dogma në këngët e festivalit, i gjeje në pjesën më të madhe të filmave. I gjeje të skalitura në male, shkolla dhe kudo në institucione.Ekzistenca e dy botëve të ndryshme paraqitej me ngjyrime të tilla që të bënte të besonte këdo në realitetin shqiptar se, parajsa qëndronte vetëm këtu dhe askund tjetër. Ndaj edhe izoloheshim gjithnjë dhe më shumë që askush të mos na merrte sadopak nga parajsa jonë.
Ata që e propagandonin parajsën e "vargmaleve të zemrave të njeriut të ri" nuk e besonin atë që thoshin. Por dogma të tilla ishin si një injeksion i përditshëm që duhej t'i bëhej shoqërisë.
Të gjithë ata që kanë lindur pas vitit 1990 nuk e kanë prekur atë realitet dhe fatkeqësisht është bërë shumë pak që ajo kohë të mos harrohet dhe të ngulitet në memorien e kujtdo si një e keqe, e cila erdhi nga gryka e pushkës dhe që tentoi jetëgjatësinë duke u mbajtur jo vetëm tek arma, por edhe tek dogma të atilla ai ajo e viktimizimit përpara një të keqeje mjaft të madhe.
Kryetari i PS e rinisi mbrëmë fushatën mediatike për Bashkinë e Tiranës duke u bazuar pikërisht tek kjo armë e njohur dhe e ndryshkur e diktaturës, tek viktimizimi. Në funksion të saj ai rikujtoi edhe një herë togfjalëshat bajate dhe të vjetëruara të deri 20 viteve më parë se ne do të luftojmë me "malin e zemrave tona ndaj një regjimi të kusarisë".
Ajo çfarë Rama nuk arrin të llogarisë është fakti se ndryshe nga realiteti i 20 viteve më parë, sot është shumë e vështirë që njerëzit t'i indoktrinosh përmes intervistave dhe shumë më e vështirë t'i motivosh ata për një "luftë të shenjtë", duke shfaqur si armë të vetme viktimizimin. Nuk ka njeri sot të mos e dijë se ai që flet publikisht për një "mal zemrash", po publikisht ka përçudnuar dhe mohuar njerëzit më të afërt të familjes së tij. Dhe një njeri që nuk ka pyetur për zemrat e bashkëshortes së tij, nënës, babait, apo djalit të tij është e kuptueshme se çfarë mund të ndjejë për zemrat e atyre që i llogarit vetëm si numra votuesish.
Rama e ka të vështirë të ngrejë viktimizimin si ideologji edhe në aspektin material, sikurse u mundua të bëjë mbrëmë, sepse sot nuk mund të gjesh qoftë edhe një qenie të vetme në sipërfaqen e kësaj toke të mos e dijë se ky Ramë që flet për varfërinë është jo vetëm njeriu më i pasur sot në vend, por edhe ndër më të pasurit në Evropë dhe se është i vetmi kryetar partie në Europë që në gjirin e tij ka më shumë se 20 miliarderë deputetë.
Është e kuptueshme se Rama nuk ka asnjë kartë tjetër për të përdorur në këtë fushatë elektorale, ndaj ai nuk e donte atë, ndaj me çdo kusht dhe me çdo çmim synoi deri në minutën e fundit që ta evitojë. Ndaj edhe tani po kërkon që ta shndërrojë në një fushatë politike dhe aspak lokale, sepse nuk ka çfarë t'u thotë banorëve të Tiranës për të gjitha ato premtime që bëri katër vjet më parë.
Nuk mund t'u shpëtojë Rama kurrsesi premtimeve të bëra katër vjet më parë; për më shumë gjelbërim, për më shumë hapësira publike, për më shumë rrugë të reja dhe të tjera e të tjera premtime të dhëna duke luajtur kartën e viktimës dhe të justifikohet se ai nuk paska bërë asgjë sepse e paskan bllokuar.
Nëse Ramën e paska bllokuar qeveria, atëherë ai nuk duhet të pretendojë që të kandidojë në zgjedhje sepse po kjo qeveri do të jetë edhe për të paktën dy vjet të tjera dhe do të qeverisë me mandatin e plotë. Ose, në rast se do të vazhdojë të luajë me kartën e viktimizmit, atëherë të tregohet i sinqertë dhe t'u thotë qytetarëve se ai po u kërkon votën që të mos ndryshojë asgjë edhe për vitet e ardhshme në Tiranë.

No comments:

Post a Comment