2011-03-31

Kosova dhe Egjipti – bashkëpunim efektiv kulturor midis Arkivave

Prof. Dr. Beqir Ismaili - Prof. Dr. Muhamed Sabir Arab.JPG

Në kuadrin e forcimit të marëdhënieve të ndërsjellta kulturore midis Egjiptit dhe Kosovës dhe në vijim të marëveshjeve të mëparëshme të nënshkruara midis dy palëve, Drejtor i Përgjithshëm i Bibliotekave dhe Arkivit Kombëtar të Egjiptit, Prof. Dr. Muhamed Sabir Arab, në Republikën Arabe të Egjiptit, priti në një takim kortezie Prof. Dr. Beqir Ismailin.
Ky takim shërbeu për shkëmbimin e mendimeve në mënyrë që, ky bashkëpunim të jetë më efektiv për të arritur shkallën më të madhe të mundshme, në përmbushje të interesave të përbashkëta të dy popujve, atij kosovar dhe egjiptian, duke u përqëndrua tek zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe u vu theksi në numrin e shteteve që e kanë njohur tashmë pavarësinë.
Ndërmjet të tjerave Prof. Dr. Muhamed Sabir Arab tha:- “Marëdhëniet kulturore mes Egjiptit dhe Kosovës, janë të forta dhe solide. Kjo ka qenë një arritje dhe një bashkëpunim efektiv dypalësh në shumë fusha”.
Ndërsa lidhur me problemin e njohjes së Kosovës si një shtet sovran, ai tha se vende të ndryshme, ndërmjet të cilëve dhe Egjipti, janë duke pritur një rast të volitshëm për të vendosur marëdhënie diplomatike me Kosovën.
“Ne, po i përcjellim me seriozitet ndryshimet e fundit në Kosovë-vazhdoi Prof. Sabir Arab- dhe urojmë që ajo të gëzojë mbështetjen e të gjitha vendeve të botës, të cilat aspirojnë për liri dhe pavarësi.
Jam i mendimit-tha ai-se disa shtete hezitojnë akoma në këtë pikë. Ndoshta nuk është aq hezitimi i tyre përsonal se sa situata ndërkombëtare, ajo që i shtyn të mbajnë një qëndrim të tillë. Por, jam i sigurtë se do të vijë momenti, që shtetet e botës të marrin vendimin e tyre final për Kosovën, pasi duket qartë se Kosova, tashmë, ka arritur të formojë tiparet dhe strukturën e saj si shtet”.
Me këtë rast Prof. Dr. Muhamed Sabir Arab i bëri me dije Prof. Dr. Beqir Ismailin, se është i gëzuar dhe e mirëpret vizitën e Drejtorit të Arkivit të Kosovës, Dr.Isuf Osmani, në Kairo.
Në përfundim të takimit, Prof. Ismaili i dhuroi Prof. Sabir Arab disa prej shkrimeve dhe veprave të tij më të fundit, në mes të të cilave edhe botimin me titull “Kosova në Opinionin e Komunitetit Ndërkombëtar”.
Ky libër paraqet një larmi problematikash dhe informacionesh, duke filluar nga: Njohja me Republikën e Kosovës, origjina e shqiptarëve e për të vazhduar më tej, me të drejtën për vetvendosje.
Po ashtu, në faqet e këtij libri, do të gjejmë të përshkruar në mënyrë drithëruese; masakrat serbe mbi shqiptarët e Kosovës, shkeljen e të drejtave të njeriut, katastrofën humanitare të shqiptarëve të Kosovës e deri në shpërnguljet e masive. Më pas do të gjejmë dhe përpjekjet për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar e veçanërisht në vendet arabe.
Në të vërtetë që ky libër e bën lexuesin që të rikthehet dhe një herë në atë periudhë të tmerrshme që përjetoi populli ynë heroik në Kosovë por, njëkohësisht ai shërben si një thirrje e hapur për secilin intelektual apo qytetar të këtij vendi, që ta veje veten e tij para paqyrës, për të parë se sa po bën për Kosovën e tij, që kjo të arrijë qëllimin final për tu anëtarësuar si shtet me të drejta të plota në OKB.
Alba-Press, Kairo

No comments:

Post a Comment