2011-03-28

Kujtime për dramën tragjike të shqiptarëve

Nga Prof. Pjetër Geci
 
Kujtime nga burgu
Politikani i njohur amerikan, A. Dalles, thotë: “Shqiptarët janë populli më i pamposhtur në botë”. Kjo qëndresë i kalon kufijtë edhe të mitit e legjendës, shpaloset, në radhë të parë, në ruajtjen e zhvillimit të vetëqenies nacionale, të thelbit etnik: racës së pastër iliro-shqiptare.
Libri “Kujtime nga burgu” i Muhamet Rogovës, pasqyron kujtimet për dramën tragjike të autorit dhe shokëve të tij shqiptarë të burgosur politikë nëpër burgjet e Sërbisë, nga viti 1981 e tutje. Këto kujtime, për ato ngjarje të ndodhura para tridhjetë vitësh, autori i shtjellon në hollësi duke i treguar këto ngjarje tragjike dhe rrënqethëse, që përjetuan të burgosurit shqiptarë nëpër kazamatet serbe. Me këtë libër Rogova tregon se golgota e popullit shqiptar është më e lartë se maja e Himalajeve. Të punosh me përkushtim, të sakrifikosh vetën e familjen, të burgosësh për atdheun e popullit tënd, kjo është punë e shenjtë dhe e madhërishme. Këtë e bënë intelektualët e kombit tonë, siç janë: Muhamet Rogova, Hydajet Hyseni, Berat Luzha, Martin Çuni, Sejdi Veseli, Gani Krasniqi, Sylë Muja, Xajë Nura, Bajram Kosumi, Xhemail Krasniqi, Enver Dugolli, Myslim Dobruna, Ali Lajqi, Emin Krasniqi, Ahmet Isufi, Asllan Dibrani, Hysen Gega, e shumë të tjerë.
Mr. Muhamet Rogova, me këtë libër na rrëfen se nëpër burgje gjëndeshin vrasësit, dhunuesit dhe vjedhësit si dhe të ndershmit, idealistët, revolucionarët dhe patriotët e vërtetë. Ky rrëfim është origjinal dhe ato ngjarje i tregon me dufin e shpirtit duke pasqyruar realisht mundimet dhe torturat e të burgosurve shqiptarë, gjatë atyre viteve të zymta e shumë të rënda.
Rrëfimi i tij është i sinqertë dhe origjinal. Sinqeriteti i këtij libri, shumë të vlershëm, rrjedhë nga sinqeriteti dhe guximi qytetar i vet shpirtit të autorit. Muhamet Rogova është njeri i veçantë: energjik, patriot, jo më fjalë, por me vepra, i cili tërë jetën e vet e sakrifikoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Për fat të keq, ne shqiptarët shumë shpejtë e harrojmë të kaluarën. Dikund në faqet e këtij libri, një punëtor serb i sigurimit shtetëror, duke e marrë në pyetje, i kishte thënë Muhametit: “Pse je kaq kokëfortë në qëndrime, mos shpreso se do të pritësh si hero” kur të kthehësh në Gjakovë”. Dhe vërtetë ai me shumë të tjerë, të burgosur politikë, jo vetëm se nuk u pritën si hero, por mbeti pa punë nga kuqloshët, udhëheqësitë shqiptarë, besnik të regjimit serb të asaj kohe. Ne, shqiptarët nuk dijmë apo nuk duam të çmojmë e vlerësojmë njerëzit tanë meritorë, të cilët i kanë ndriçuar rrugët tona drejtë lirisë e pavarësisë së vendit. I tillë ka qenë dhe është profesori Muhamet Rogova, të cilit kurrë nuk i është dhënë merita çfarë i takon.
Shqiptarët i shkruan, faqet e lavdishme të historisë së tyre, me gjak e lot. Gjatë këtij rrugëtimi të vështirë, fanar ndriçues ishin pishtarët e lirisë të cilët e organizuan popullin në demonstratat e viteve 1968, 1981, 1989 dhe në fund UÇK i vulosi kërkesat e drejta të popullit tonë, me grykën e pushkës me të cilën iu përgjegj okupuesëve serb.
Porosia e këtij libri për brezat që vijnë, por edhe për të gjithë neve, është domëthënëse dhe ka rëndësi të posaçme ngase pasqyron me besnikëri, sinçeritet ato kohëra tragjike me të cilat u përballën dhe i sfiduan të burgosurit politikë shqiptarë anembanë burgjeve të ish Jugosllavisë.
Sakrificat, vuajtjet tmerret që përjetuan Muhamet Rogova me intelektualët e gjeneratës së vet, janë tregues se sot kemi humbur diçka nga njërëzorja, me të cilën gjatë shekujve jemi krenuar para botës. Atëherë, a mos duhet të mendojmë më thellë për shumëçka, e cila nuk po ecën mirë, në përditëshmërinë tonë, si shoqëri, tashmë e konsoliduar në shtetin e ri, për të shpierë vendin drejtë proceseve të reja pozitive, në të gjitha hallkat e jetës.
Librin “Kujtime nga burgu” të Muhamet Rogovës, duhet ta kenë, në vitrinat e librave, çdo familje shqiptare, për ta lexuar me vëmendje; për të mësuar për të kaluarën e lavdishme të njerëzve të mëdhenj të kombit tonë.

No comments:

Post a Comment