2011-03-18

Lufta e UÇK'së ka qenë e pastër



Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me akuzat e ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së me dyshimin për kinse krime lufte, ndërsa ka shfaqur besimin se këto akuza do të cilësohen si të pabazuara dhe shpejt do të provohet pafajësia e tyre, sikundër edhe shumë herë deri më tani.

“Ne besojmë thellë se lufta e UÇK ka qenë luftë e pastër, çlirimtare e popullit të Kosovës kundër një agresioni të egër me synime asgjësimi dhe gjenocidi. Ajo ka qenë dhe mbetet njëra nga faqet më të ndritshme të historisë sonë”, thuhet në një komunikatë për media.

Njëherësh, presidenti Pacolli beson se organet e drejtësisë në Kosovë, pa ndikime anësore, do ta kryejnë punën e tyre.

“Të ndërgjegjshëm se ligji është mbi të gjithë, i inkurajojmë organet e drejtësisë kosovare dhe ato të EULEX-it që sundimin e ligjit ta shtrijnë në çdo cep të Kosovës”, ka thënë Pacolli.

Ai gjithashtu shpreh konsideratën për gatishmërinë e treguar nga ana e të akuzuarve për të bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë, duke e konsideruar këtë si rrugën e vetme për të dëshmuar pafajësinë e tyre






















 Misioni EULEX përmes një komunikatë për media, për herë të parë, ka konfirmuar se është lëshuar fletë-arrest kundër deputetit Fatmir Limaj.

Në komunikatë thuhet se fletë-arrestim është lëshuar për kinse krime lufte dhe se prokurorët e EULEX-it kanë qenë në kontakt me Limajn për të diskutuar lidhur me imunitetin e tij dhe se për këtë arsye po kërkohen ende sqarime.

EULEX ka bërë të ditur se procesi ndaj disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të arrestuar dje për kinse krime lufte, do të jetë plotësisht i lirë dhe pa interferime politike.

“Secili është i pafajshëm derisa të mos provohet fajësia dhe secili është i barabartë para ligjit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Limaj i gatshëm të lë imunitetin

Nënkryetari i PDK'së, Fatmir Limaj është shprehur është i gatshëm të heqë dorë nga imuniteti prej deputeti. Madje, ai ka thënë se qysh mbrëmë ishte i gatshëm të heqë dorë nga imuniteti, pas fletëarrestit ndaj tij.

“Nuk dëshiroj të fshihem pas imunitetit të deputetit dhe jam i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë. Prandaj jam i gatshëm vullnetarisht të heq dorë nga imuniteti”, tha Limaj, në një konferencë për gazetarë.

Duke shpjeguar rreth shkuarjes së tij mbrëmë në një zyre të EULEX-it në Fushë Kosovës, e cila është cilësuar si marrje në pyetje e deputetit Limaj nga prokuroria, ai ka thënë se ka pasur vetëm takim me zyrtarët e EULEX-it, por nuk është takuar as me gjyqtar, pasi ende nuk ka marrë asgjë zyrtare lidhur me akuzën.

“Unë e kam thënë dhe po e përsëris një miliardë herë, asnjë sekondë të jetës time nuk e ndërroj. Jam krenar për ato që kam bërë”, Limaj.

Edhe avokati i tij, Tomë Gashi ka thënë se deri më tani, juridikisht nuk kanë marrë asnjë informacion.

GP i PDK-së beson në pafajësinë e Fatmir Limajt

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës konsideron se arrestimet e djeshme të ish-luftëtarëve të UÇK-së janë të frymëzuara nga qarqe që duan ta njollosin karakterin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekje për ta neutralizuar dhe barazuar luftën e drejtë të UÇK-së me krimet e ushtrisë, policisë dhe strukturave paramilitare serbe të Milosheviqit në vitet 1998 – 1999, që mbi popullatën e Kosovës shkaktoi dhunë, vrasje, djegie, masakra dhe gjenocid të paparë në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Duke shprehur shqetësim lidhur me arrestimin e djeshëm të disa ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga policia e EULEX-it, Grupi Parlamentar i PDK-së beson në pafajësinë e të akuzuarve dhe në pafajësinë e deputetit Fatmir Limaj, i cili vite më parë ka kaluar nëpër një proces gjyqësor ndërkombëtar, duke u shpallur i pafajshëm.

Grupi Parlamentar i PDK-së beson që akuzat e ngritura janë të bazuara në shpifje dhe konstruksione të qarqeve antishqiptare serbe që qarkullojë me vite të tëra me qëllim të njollosjes së ish pjesëtarëve dhe eprorëve të UÇK-së.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare, në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës, duke respektuar ligjet dhe zakonet e luftës”, thuhet në deklaratën e GP të PDK-së, e cila shpreson se organet e drejtësisë dhe të hetuesisë së EULEX-it do të arrijnë deri tek e vërteta dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm.

FATMIR LIMAJ KTHEHET NË SHTËPI


Para pak çastesh, pas marrjes në pyetje nga prokurorë të EULEX’it, Fatmir Limaj është lënë i lirë.

Për dy orë ka zgjatur intervistimi i tij nga prokurorët europianë.

Ndërkohë që Limaj gjendej brenda, përreth selisë janë mbledhur familjarë dhe simpatizantë të tij.

Pak para mesnatës, i shoqëruar nga avokati i tij, Tomë Gashi, Nënkryetari i PDK’së është lënë i lirë.

“Krejt çfarë mund të themi sonte është se Fatmir Limaj kthehet në shtëpinë e tij”, ka thënë Gashi.

Turma e mbledhur ka shpërthyer nga gëzimi.

“Procedurat ndaj tij do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme”, ka shtuar avokati.

Vetë Limaj ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.

Por Fatmir Limaj, e avokati i tij, Tomë Gashi, nuk kanë qenë në gjendje të thonë nëse ai do jetë në burg shtëpiak apo për këtë çështje do të vendoset nesër kur të del para gjykatës.

Limaj në Gjykatë, ndihet krenar për të kaluarën e tij

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë në mbrëmjen e së mërkurës se do t’i përgjigjet organeve të drejtësisë edhe atëherë kur ndonjëherë ato nuk janë të drejta. Ai ka theksuar se gjithmonë atë që e ka bërë, e ka bërë për të mirën e vendit.

Limaj duke folur për RTK-në ka thënë se edhe po të kishte një miliard vjet nuk do të ndryshonte asgjë në jetë.

“Më lejoni të mos flas për rastin, mirëpo vazhdoj të qëndroj për atë që kam thënë para disa viteve para se të shkoja në Hagë, pastërtinë tonë, pastërtinë e luftës tonë dhe jam krenar sikur që kam thënë. Edhe 1 milion, por edhe 1 miliard vjet me i pas nuk kisha heq asgjë nga e kaluara ime. Krenohem me të dhe besoj që kështu krenohen edhe qytetarët e Kosovës për lirinë e sjellë. Unë së bashku me bashkëluftëtarët kam punuar për të çliruar Kosovën, kam pas fatin që punoj në ndërtimin e Kosovës”, ka thënë Limaj, siç transmeton Kosovapress.

Për më tepër ai ka dhënë porosi edhe për të gjithë qytetarët që i kanë besuar atij se tërë potencialin e tij do ta ofrojë në shërbim të atdheut.

“Porosia ime për qytetarët është krejt potencialin tim e njerëzor e kam dhënë për çlirimin e Kosovës me krejt shpirtin sikurse që krejt potencialin tim intelektual, profesional, fizik e kam vënë në shërbim të vendit në periudhën kur e kam pas rastin. Vazhdoj të jem i tillë. E di që është e vështirë për simpatizantët dhe qytetarët që kanë besim tek unë, por besoj se kjo do të tejkalohet”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur se edhe njëherë po i dorëzohet vullnetarisht organeve të rendit, Limaj ka thënë se vetëm kështu mund të ndihmohet vendi.

“Besoj që kështu ndihmohet vendi. Askush dhe asnjë njeri nuk mund të barazoj fatin e tij me fatin e vendit, i cili është mbi të gjitha edhe ndonjëherë kur del padrejtësi. Në rastin tim, ju e dini se kjo nuk është hera e parë që po ndodh, por fatin e kemi të tillë dhe kur ju pret drejtësia pavarësisht a është e drejtë apo e padrejtë, ju e keni për obligim t’i përgjigjeni. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri demokratike”, ka thënë deputeti Limaj.

Ai ka shfaqur shpresën se ajo thënia e famshme “askush mbi ligjin”, të mos keqpërdoret dhe të mos përdoret për gjëra të tjera, duke shprehur besimin që ata që e kanë sjell këtë ligj edhe ta respektojnë.

Fletarrest për Fatmir Limajn?

Policia e EULEX’it tashmë ka një fletarrest për Fatmir Limajn, nën dyshimin për krime lufte të kryera në fshatin Kleçkë.

Zyrtarisht, misioni europian nuk i ka konfirmuar këto informacione.

Gjatë luftës, Limaj ka drejtuar Brigadën “Kumanova”.

Ai, nën dyshimet për krime lufte, ishte arrestuar vite më parë nga autoritetet e Tribunalit të Hagës, por ishte liruar si i pafajshëm.

I arrestuar edhe komandanti rajonal i policisë në Prizren

Komandanti i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, është në mesin e të arrestuarve sot nga EULEX-i, si të dyshuar për krime lufte, kanë bërë të ditur për Express, burime të mirinformuara.

Të arrestuar të tjerë, sipas këtyre burimeve, janë edhe Refki Mazreku, i njohur me nofkën Van Dami; Naser Krasniqi, Behlul Limaj, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala, Besim Shurdhaj dhe Osman Hoxha.

EULEX arreston disa të dyshuar për krime lufte 
Policia ekzekutive e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, gjatë ditës së sotme, ka bërë disa arrestime, në ndërlidhje me akuzat për krime lufte.

Ky mision nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës.

Hetimet ndërkaq, janë duke u zhvilluar nën mbikëqyrjen e një prokurori të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

EULEX-i nuk jep detaje për numrin e të arrestuarve, as prej nga janë ata.

Ndërkohë agjencia Kosovapress shkruan se urdhër-arresti është lëshuar për 11 ushtarë të brigadës 121 - "Kumanova", të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa thuhet se janë arrestuar katër prej tyre.


No comments:

Post a Comment