2011-03-25

Miratohet në parim projektbuxheti i Republikës së Kosovës

Me 67 vota për, 35 kundër dhe dy abstenime, Kuvendi i Kosovës pas një debati maratonik prej nëntë orësh, ka miratuar në parim projektbuxhetin për 2011.


Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, disa herë i është dashur të dalë të premten në foltoren e Kuvendit të përballet me dilemat që kanë ngritur ligjvënësit e opozitës për projektbuxhetin e vitit 2011, por edhe për t'i bindur ata që ta mbështesin këtë projektbuxhet.

Ai ka këmbëngulur në vendimin e tij për ngritje të pagave, duke thënë se edhe subjektet tjera politike duhet ta mbështesin këtë projektbuxhet që parasheh ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, sikurse që ka këmbëngulur për privatizimin e PTK-së, i cili parashihet me nenin 4 të projektbuxhetit.

Nga deputetët e opozitës shpesh kjo është konsideruar si fushatë e papërfunduar zgjedhore nga ana e kryeministrit Thaçi, përderisa përfshirja e privatizimit të PTK-së, është konsideruar si shkelje e Kushtetutës dhe Ligjit për ndërmarrjet publike.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka dëgjuar me vëmendje shumicën e fjalimeve të deputetëve, ndërkohë ka gjetur hapësirën për t'iu kundërpërgjigjur. Ai ka thënë se vendimi për rritjen e pagave është vendim i tij, por është për të mirën e gjithë qytetarëve dhe si i tillë do të realizohet.

“I dëgjova me kujdes frymën e re, Teutën dhe Ritën, por këto nuk janë fjalë të thata, nuk është marketing politik, por janë vendime shtetërore të Qeverisë së Kosovës që presin vendimin tuaj, pa dallime partiake dhe etnike. Ky buxhet do të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës, do të jetë në shërbim të rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Dikush mund të thotë se ndodhin ngritje më të vogla në shtetet tjera. Ne nuk kemi arritur në atë stad, jemi të fundit të lirë në rajon. Për këtë arsye jemi ballafaquar me vështirësi. Ju ftoj të gjithëve le të guxojmë të marrim vendime të mëdha për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë në krah të tij shpeshherë në foltoren e Kuvendit janë paraqitur ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Ky i fundit ka zhvilluar edhe replikë me deputetin e LDK-së, Arben Gashi, i cili është edhe kryetar i Komisionit për legjislacion.

Gashi duke e kundërshtuar nenin 4 të Projektligjit të buxhetit, i cili parasheh shitjen e PTK-së, ka thënë se ky projektbuxhet po e rrezikon të ardhmen e PTK-së, ndërkaq për rritjen e pagave ka thënë se e kundërshton, për faktin se vendimi është marrë nga zyra partiake.

“Ne jemi për rritje të pagave, por kjo qeveri ka marrë vendim në zyra partiake për rritjen e pagave dhe kjo është e papranueshme, nuk është legjitime. Kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin dhe po e fut vendin në krizë. Kjo qeveri po pretendon se e ka përkrahjen e qytetarëve, por këtë përkrahje e ka me vjedhje të votave”, ka thënë Gashi, duke shtuar se për ta balancuar buxhetin, duhet të hiqet neni 4, i cili parasheh shitjen e PTK-së.

Por ministri Besim Beqaj i ka bërë të qartë Gashit se neni do të mbetet në ligj, ndërkohë që ka kërkuar nga ligjvënësit e opozitës që të largohen nga debatet e nxehta, të cilat kanë vetëm qëllime opozitare.

Ai u ka rikujtuar opozitarëve se asnjë buxhet nuk aprovohet në bazë të parave kesh, por duke llogaritur të hyrat buxhetore, ndërkaq e ka quajtur logjikë të kaluar, këmbënguljen për mos privatizimin e PTK-së.

“Ajo logjikë e ekonomisë, e cila konsideron se çdo gjë duhet të jetë në duart e shtetit, ka kaluar. Për këtë duhet të jemi shumë konsistent. Bisedoni me njerëzit që kanë ardhur nga biznesi. Ata mund t’iu tregojnë e të hiqemi nga debatet e nxehta vetëm për qëllime opozitare”, ka thënë Beqaj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka thënë se neni 4 do të riformulohet, por ka mohuar të jetë në kundërshtim me ndonjë normë kushtetuese.

“Neni 10 i Kushtetutës thotë se Kosova është e përcaktuar për ekonomi të tregut. Prandaj asnjë normë e Kushtetutës dhe e Ligjit për ndërmarrjet publike nuk shkelet me këtë”, ka thënë Beqaj.

Ndërsa, ministri i Financave Bedri Hamza, ka theksuar se sa për projektet kapitale nuk bëhet fjalë vetëm për autostradën Vërmicë-Merdare, por edhe për shumë të tjera, ka pasur një porosi për ligjvënësit opozitarë.

“Unë besoj në profesionalizmin e disa deputetëve këtu, por disa të tjerë i lus që ta nxjerrin digitronin për llogari”, ka thënë Hamza.

Debati për Projektligjin për buxhetin ka nisur paradite dhe ka vazhduar edhe gjatë pasdites, ndërkaq sipas të gjitha gjasave, miratimi në parim i këtij projektbuxheti do të shtyhet për nesër, ose për të hënën, pasi që përveç kërkesave të mëdha të deputetëve për të diskutuar, është në pyetje edhe kundërshtimi për përfshirjen e privatizimin e PTK-së në kuadër të projektligjit për buxhetin. LDK-ja kërkon që çështja e privatizimit të PTK-së, të vijë si ligj i veçantë, e mos të përfshihet në kuadër të buxhetit.

No comments:

Post a Comment