2011-03-31

NË 30 VJETORIN E DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981- NGA KËNDI IM











Nga Naim Kelmendi

(Kristalizimi i revoltës së përgjithshme)

1. Pikëpamja


Demonstratat e vitit 1981 ishin demonstratat e dyta pas atyre të vitit 1968. Vërtet edhe këto demonstrata arritën që të lëkundin themelet e asaj ish-Jugosllavie, që për shqiptarët e Kosovës, ishte një burg i llojit të vet. Këtë, mbase nuk e dinte as bota e as Evropa, pjesë e së cilës ishte edhe Kosova, ose ishin aleancat e kohës ato që i shikonin me indiferencë shkeljen e të drejtave më elementare të shqiptarëve. Shqiptarët shumicë ishin të privuar nga shumë të drejta elementare, që u takonin, që me ish-kushtetutën e vitit 1974. Me vite ishte mbledhur mllefi kundër padrejtësive të apartatit represiv dhe ish-pushtetit socialist jugosllav ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kjo revoltë rezultoi të kristalizohej, të orientohej, dhe të ngritej në një revoltë gjithëpopullore, duke krijuar kështu një etapë të re në historinë tonë shqiptare. Demonstratat studentore të vitit 1981 arritën të homogjenizojnë popullin, ta ngrisin vetëdijën e tij, dhe në anën tjetër t`ia çjerrin maskën ish-pushtetit monist para syve të botës demokratike për çështjen e pazgjidhur shiptare.

2. Përjetime në vetën e parë


Atëbotë, kur ndodhën demonstratat e 11 marsit 1981, meqë studioja në katedrën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filozofik, kjo datë do të më gjejë në vendlindje. Më pas më 26 e tutje isha pjesëmarrës aktiv, kryesisht në kryeqendrën tonë në Prishtinë.


Publicisti Xun Çetta 

Isha një pjesëmarrës “i vogël”, në vlugun e tërë asaj ngjarjeje të madhe, që nisi atëbotë me kërkesat e studentëve, por që më vonë mu këto kërkesa nxorën para bote mjaft padrejtësi të ish sistemit shtypës jugosllav mbi shqiptarët shumicë, e që kështu ish-kërkesat e studentëve u kthyen më pastaj në një revoltë gjithëpopullore në tërë Kosvën. Së bashku me Osman Halitajn, e me Binak Dinaj, banonim në një dhomë të vogël, në rrugën përballë sallës “Një Tetori”.Në banesën tonë,(dhomën e vogël)mysafiri më i shpeshtë, në ndërlidhje me ne, ishte edhe Xun Çettaj. Aktiviteti i Xunit ishte tejet dinamik, në atë që për t`i ndalur disa studentë, që edhe përkundër faktit se ne të tjerët e kishim bojkotuar mësimin në fakultetet, kishte sish që nuk dëshironin të bahkëngjiteshin me shumicën. Xuni në të shumtën, bashkë edhe me shokët e tjerë ia kishte arritur qëllimit. 26 marsi do ta gjejë Prishtinën plot e përplot njerëz. Gjithashtu ishin me mijëra edhe forcat policore e ushtarake. Motivi dhe energjitë studentore, por edhe ato të masës së madhe kundër pushtetit as që u lëkundën për t`i dalë mbanë qëllimit kryesor të demonstratave studentore të atëbotshme. Aparati policoro-ushtarak kishte mprehur dhëmbët e vet, dhe vrasjet, rrahjet maltretimet, presioni fizik etj., ishin pjesë e këtyre demonstratave, e që rëndonin përmbi studentët dhe masën e pambrojtur. Vinin nga të katër anët e Kosovës. Tashmë mbretëronte një homogjenitet i pashoq në mes të njerëzve. Gatishmëria e një altruizmi dhe vetësakrifica ishte e palëkundër përballë forcave të mëdha policore e ushtarake.
Më kujtohet kur kaluam kah ana e sipërme tek udhëkryqi, aty të ish-Fakulteti Teknik. Një kordon i madh i policisë së armatosur deri në dhëmbë, kishte ndërprerë rrugën kryesore, nëpër të cilën ishte drejtuar qëllimi i demonstruesëve për të arritur nëpër këtë drejtim, duke u kthyer mbrapa rrugës së teatrit, për të vajtur para ish-ndërtesës së Komitetit. Më vonë do të vijnë radhazi tanket në drejtim të mensës së studentëve. Nga këto tanke, shtihej me armë në masën e tubuar anash. Nga këto të shtëna, krejt afër meje u plagos në këmbë X. Çettaj. Në ndihmë të tij arritën ekipi i mjekëve tanë, që menjëherë e dërguan në spital, e që nga atje më të shpejt do të largohet, për të mos u dëshifruar nga orgnet apo nga agjentët që manevronin çdokund. Me një rast kisha vajtur edhe në spitalin e Prishtinës, më sa më kujtohet për të vizituar shokë të tjerë. Hynim me mantela të bardhë për të mos rënë në sy të sigurimcave. Spitali ishte i mbushur përplot të plagosur. Iu kisha afruar pranë njërit që bërtiste: ah, më mirë sikur të më vrisnin sesa kështu”. Ai kishte ardhur nga Ferizaj. Ishte i bërë shoshë nga plumbat, kryesisht këmbëve. Dëgjonim mjaft informacione se ka pasur të vrarë. Në një rast, derisa ishim në udhëkryqin pqara ish-Fakultetit Teknik dhe rrugës që merr në drejtim të Fakultetit Juridik, kishim bërë një pengesë duke e përmbysur në kryeq të rrugës një makinë-furgon. Përpqara kishim një kordon të fortë policie. Nuk e harroj dot thirrjen e një plaku, që në atë omente na emocinoi të gjithëve, duke thënë: ah, përpara djema bre, bini shkaut, se na erdhi dita, bre”. Edhe pse kjo na emocionoi, ngase nga shpirti i tij dilte helmi i mbledhur kundër pushtuesit, ia tërhoqëm vërejtjen duke mos dashur që kjo të dëgjohej nga policia dhe spiunët e shumtë që qarkullonin edhe brenda nesh. Plaku u përmbajt më pastaj. Synimi ynë ishte për ta thyer kordonin e policisë. Ata me një rast do të na sulmojnë duke hedhur drejt nesh gaz lotësjellës. Na ndihmonin me të madhe me qepë, ngase kështu i kundërshtonim këtij gazi të rëndë. Bile, për vajzat ishte i papërballueshëm. U zihej frymëmarrja etj. Në shumë raste janë plagosur demonstrantët edhe nga serbët që gjuanin nga banesat e tyre gjësende të forta përmbi grumbullin e njerëzve. Kanë gjuajtur edhe ujë të valë etj.

“Kujdes, ky flamur nuk bën të përdhoset, as të përkulet!”

Policia nuk do të arrijnë që të na shkapërderdhin, dhe kështu, ne demonstrantët, do të bëhemi me të shpejtë tendë e fortë, sërish të vendosur kundrejt tyre. Këtu unë e marr flamurin kombëtar për ta mbajtur në ballë. Njëri m`u kishte afruar pranë e më tha: Kujdes, ky flamur nuk bën të përdhoset, as të përkulet. Mate veten. E sigurova se më parë do të vritesha unë sesa të ma përkulte kush flamurin tonë kombëtar. Çështje në vete ishte involvimi i sigurimcave të policisë nëpër demonstrues. Ata bërtisnin parulla që ishin jashtë atyre për çka merreshim vesh në atë kohë. P.sh., bërtisnin: “Rroftë Enver Hoxha”, pastaj “Duam bashkim me Shqipërinë” e të ngjashme, dhe po këta, më vonë, siç është vërtetuar nga demonstruesit, janë gjendur në radhët e policisë. Kështu që kjo u kuptua shpejtë, se ata ishin bashkëpunëtorë të policisë, dhe në këtë mënyrë kryenin punën e tyre, që më vonë, duke i inçizuar këto parulla, politika e atëhershme i nxirrte si argument, se ja, këta nuk kërkojnë kushte, por ja ku janë synimet e tyre. Kështu pra, të tillët që përdornin këso parulla që dilnin jashtë atyre që ne i thoshim, janë zënë dhe nuk u mbeti më vend në mes nesh. Në këtë kryq ka ndodhur më vonë një përleshje me forcat policore, duke i zmbrapsur ato e më vonë kështu do të thehet kjo pengesë. Unë ende as sot nuk e njoh, por një policë shqiptar e kishin zënë demonstruesit mu në një kënd pranë murëve të jashtme të ish-Fakultetit Teknik dhe kishin filluar ta rrahnin. Ai bërtiste e justifikohej duke thënë se askujt nuk i kishte bërë gjë të keqe, vetëm se kishte qenë në mesin e policisë si të gjithë kolegët e tij. E kuptuam që ishte polic i yni dhe ndërhymë duke e shpëtuar nga më e keqja. E nxorëm nga ana tjetër e rrugës dhe kaloi me ndonjë grushtim tëvogël. Rrugën e vazhduam me synim për t`u bashkuar para ndërtesës së ish-komitetit. Flamurin e mbaja ashtu krenar, duke mos e lëshuar nga duart. Për këtë isha betuar. Ka qenë një i afërm imi, me të cilin do të takohem më vonë pas tërë atij lëmshi që kishte ndodhur me policinë. E thërras, ndërsa ai do të më vërsulet: “a je ti normal, po si del ashtu në ballë?!”, dhe “a e di ti se do ta hash keq pastaj!”. I gjendur në këtë gjendje edhe unë ia ktheva me timen “Pse, a ti me dy fytyra ke dalur këtu, a?”. Kishte mjaft të tillë që dilnin, por rrinin anash vetëm sa për ta justifikuar praninë e tyre. Me këtë të afërm u theva keq, dhe më pastaj nuk kemi folur bashkë më se katër a pesë vite. Trazirat ishin shpërndarë anekënd qytetit...

Njeriun që nuk e kam takuar kurrë më në jetë!

Më vonë do të gjendemi në një pengesë tjetër policore. Tash në rrugën kryesore përpara Teatrit Kombëtar dhe para ndërtesës së “Gërmisë”. Ishim sërish dy tabore, ballë për ballë. Njëri, duke menduar që ta thuente pengesën e policisë e ndezi fitilin e një eksplozivi që e mbante në dorë. Derisa fitili i ekplozivit ndizej me të shpejtë, ai herë afrohej për ta hedhur herë largohej duke hezituar që ta gjuante në grumbull të policisë a jo. Nuk kisha forcë fare për t`i bërtitur ngase zëri më ishte shtërruar fare. E di se ia bëja me dorë duke i dhënë të kuptonte, që ta gjuante sa më shpejtë. Ai nuk e hudhi ekplozivin dhe kështu do t`i shpërthente në dorë. U rrëzua nga forca eksploduese e tij. U përgjak i tërë dhe i mbetën vetëm gishtat e dorës kacavarur vetëm në lëkurë. Pra, ai i humbi disa gishta. Disa demonstrues e tërhoqën më të shpejtë për të mos rënë në dorë të policisë. Më ka interesuar vazhdimisht më vonë, për ta takuar atë njeri, sa guximtar aq edhe fatkeq, nga ajo që i ndodhi. Nuk e kam takuar kurë më në jetë. Edhe këtë pengesë policore të ashpër, e kemi kapërcyer më vonë. Me mijëra ishin demonstrantët që u tubuan para ndërtesës së ish-Kuvendit. Ishim me shumicë ne që qëndronim në rendin e parë pa u lëkundur në kërkesat tona. Ishin mjaft trimëresha studenteshat tona, së bashku me studentët. Turma ishte bërë e madhe në rrugën kryesore të qendrës.

Para ndërtesës së ish-Kuvendit, ne si demonstrantë paraqitëm kërkesat tona. Kërkuam që të na drejtohej ndonjëri nga ish-politikanët e atëhershëm. Më sa më kujtohet, në mos gabohem, kërkonim që të na lajmërohet para nesh, Mahmut Bakalli. Nga njerëzit e ish-komitetit na u premtua kjo, por ata më vonë na gënjyen, dhe në vend që të dilte dikush nga të kërkuarit, policia nga brenda ndërtesës, do të shtiejnë me rafale përpjetë dhe duke hedhur gaz lotsjellës për shpërndarjen e demonstruesve. Ishte ora 12 e mbrëmjes. U bë një kaos i paparë. Sëkush mundohej ta shpëtonte kokën. Më së keqi kaluan vajzat, që nuk i përballonin gjithë gazit të rëndë lotësjellës. Më pastaj policia do të sulmojë demonstrantët me shufra. Pra, pati një ndërhyrje brutale dhe të pashpirtshme ndaj demonstrantëve....

Neve si studentë që ishim atëbotë njiheshim në mes vete dhe dinim si shumë për njëri-tjetrin dhe pjesëmarjen në demonstratave të atyre me të cilët njiheshim, dhe mund të ceku këtu disa prej atyre me të cilët kemi qenë bashkë, por që më vonë dikush edhe ka rënë në burgjet serbosllave të kohës dhe kanë vuajtur me vite denimin, për të cilët duhet pasur respektin për punën e tyre dhe vuajtjet që kanë përjetuar në ato kazamate serbosllave, por ka pasur edhe të tjerë që mbase edhe kanë qenë pjesëmarrës, por që nuk kanë rënë në burgjet serbe.

Një serb nga shtëpia i vriste me snajper njerëzit tanë

Në një ditë tjetër, ishte i veçantë grumbullimi ynë tek ndërtesa e sallës ”1 Tetori”, përmbi Mensën e Studentëve. Policia kishte stacionuar autoblinda e tanke në kryqin përfundi mensës dhe çdokund rrugëve. Ka qenë një kiosk në skaj të rrugës ndanë kryqit rrugor, para se të arrihej në drejtim të mensës së studentëve. Nga aty një polic shenjonte me revole dhe do të na i plagoste disa në mesin e turmës, që ishim atje lart te salla e sporteve “1 Tetori”. Grumbullit tonë iu kishte bashkangjitur edhe një mësuese me nxënsit e vet. Ajo i dirigjonte ata duke u kënduar këngën: “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, e të tjera këngë me motive patriotike. Nga një shtëpi serbi ndanë rruge na janë plagosur disa veta. Serbi kishte gjuajtur me snajper. Njërit, tejet afër meje, plumbi ia ngjiti në qafë, duke i dalë tej për tej. U rrëzua i përgjakur, por e tërhoqën shpejt për ta dërguar në spital apo gjetkë për t`i dhënë ndihmën e parë. Kësaj shtëpie më vonë ia kanë futur flakën, ndërsa atë serbin nuk kanë mundur ta zënë. Flitej se ka pasur një korridor të nëndheshëm që të ikte nga aty pa therrë në këmbë...Për ta dëmtuar atë kioskun, nga i cili, polici gjuante me revole në drejtimin tonë në breg, na u kujtua një eskavaor, që ishte i ndalur ndanë rruge. E aktivizuam së bashku me ca të tjerë. E nxorrëm në tatpjetën e rrugës, dhe unë vetë e drejtova, por eskavatori nuk mundi ta qëllonte kioskun, ngase ndërroi drejtimin dhe kështu ai do ta qëllonte një pizgauer të policisë, aty pranë semaforëve, duke i dëmtuar edhe samaforët, e duke e rrëzuar makinën policore... Në një rast tjetër poashtu te kryqi i rrugës, ku del rruga për në Fakultetin Juridik, ishim të sulmuar nga disa makina ujëshpërndarëse. Së bashku me Xhavit Bruqin dhe të tjerë, vendosëm që ta ndalonim njërin prej tyre. Ai nga njëra anë e unë nga tjetra ua hapëm dyert e makinës, i nxorrëm me forcë përjashta drejtuesit, ua morëm më pastaj disa maska që më von do t`i përdornim kundër gazit lotësjellës në aktivitetet tjera...

Pas trazirave të një pas njëshme, u vendos gjendja e jashtëzakonshme. Pas orës 20.00 kush zihej në qytet edhe mund të jetë vrarë. Thuhej se ka ngjarë që edhe ndokush të bëhej viktimë e kësaj gjendjeje. Më pastaj, kur dilnim nëpër qytet, sidomos buzë mbrëmjes, para orës policore, sigurimcat operonin me të madhe anë e kënd qytetit. Si dukej, me fotografi, i arrestonin aty për aty njerëzit që ata i kërkonin.
Ka pasur mjaftë raste të tilla dhe të përditshme. Kishte edhe maltretime edhe rrahje. Ishte një egërsi e papërmbajtur e organeve të atëhershme policore. Nga frika e arrestimeve, disa nga “cimerët” e mi ishin shpërndarë. Me një kushëriren time X. K., kemi banuar disa kohë te një i njohur yni, M.R., që e kishte banesën përmbi restorantin: “Rugova”. Pas disa ditësh, duke e ndjerë se gjendja filloi të “stabilizohej”, vendosëm që disa veta së bashku të niseshim për në Pejë, e prej aty në vendlindjet tona. S`kishte asfarë qarkullimi të autobusëve në këtë drejtim. U nisëm të gjithë së bashku këmbë nga Prishtina. Rrugës na legjitimuan disa herë, por kaluam mirë. Pa hyrë në Kjevë, na ka marrë njëri me një makinë tip “Mercedes”. U ndamë, ngase makina s`na zinte të gjithëve. Çdokund shihej një shtetrrethim i hekurt. Ishin krijuar postblloqe policore, por edhe makineri ushtarake të stacionuara përanash rrugës e nëpër qytete. Më vonë pas ca kohësh, një shok i vëllait tim nga ish-shkolla fillore-(J.Beqiraj nga Staradrani,v.ime), i kishte rekomanduar vëllait, se unë duhej të ruhesha, sipas tij, e të mos flisja kund se isha pjesëmarrës i demostratave. Ai i paskësh gjetur një grumbull fotografish të mia, në zyrën e dhëndrrit të tij, i cili aso kohësh punonte në ish-sekretariatin e punëve të brendshme në Prishtinë.Kur i vërenë fotografitë, i thotë dhëndërrit të tij, se “këtë person po e njoh, është vëllai i një shokut tim të ngushtë”. Dhëndërri i kishte thënë, “po shumë mirë, ne këtë po e kërkojmë!”. Shoku i vëllait tim do t`i lutej dhëndërrit të vet, që t`i abstrahojë fotografitë për hir të tij... Një fotografi timen e kam gjetur më vonë në librin më monstruoz, që ka ditur të shkruhet kundër demostratave të 1981, të quajtur: ”Kosova, gënjeshtrat dhe të vërtetat”, të autorit, shërbyesit të jugosllavizmit, S.Hasani.

3.Përfundimi


Që nga koha kur kanë ndodhur demostratat demokratike të vitit 1981, në Kosovë kanë ndodhur mjaftë procese të konsolidimit dhe homogjenizmit të mëtejmë të kërkesave të shqiptarëve drejt çlirimit nga ish-burgu i quajtur Jugosllavi. E veçantë e hidhur ishte koha e gjykimit të atëbotshëm, për t`i kategorizuar ish-demostratat si kundërrevolucion!... Në këtë fushatë të egër dhe të padrejtë historikisht, mjerisht u bashkangjitën edhe disa intelektualë shqiptarë, duke u bërë kështu vazalë të kësaj propagande të ish pushtetit të atëhershëm represiv jugosllav. Pas këtyre, ndodhi më pas edhe fushata e diferencimeve iedopolitike në Kosovë, nga e cila pësoi një numër i madh intelektualësh të shquar të fushave të ndryshme. Edhe fillimi i viteve të nëntëdhjeta do të shënojë gjithashtu një etapë të re në historinë e shqiptarëve të Kosovës, me rezistencën paqësore, në krye me liderin demokrat dhe projektuesin e lirisë dhe pavarësisë shqiptare të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Kjo i ka penguar atëherë e vazhdon t`i pengojë edhe sot, vetëm neokomunistët e Kosovës, të cilët ende mbetën me mendje të errësuar në shërbim verbues të ideologjisë së tyre staliniste-enveriste, të cilën e kanë vënë përmbi interesin madhor kombëtar dhe mbi përpjekjet për demokratizim dhe pavarësim të Kosovës. Mbase, historia është mësuesja më e mirë e jetës, siç është thënë, dhe një ditë do t`i filtrojë të gjitha. Mbase...

No comments:

Post a Comment