2011-03-28

NEBIL ÇIKA : Antiamerikanizmi si atavizëm gjenetik i opozitës

Së vetmes gjë që njeriu nuk i shmanget dot është origjina. Duket se ky përcaktim filozofik po shfaqet i konkretizuar në zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri, pikërisht në raportet e të majtës ish-komuniste të Edi Ramës me politikat dhe përfaqësuesit e vendeve dhe organizatave perëndimore në Shqipëri. Dy ditë më parë, përfaqësuesi zyrtar i komunikimit me publikun i të ashtuquajturës “Opozita e bashkuar” i kërcënoi zyrtarisht dhe publikisht përfaqësuesit perëndimorë, në mënyrë të veçantë ambasadorët e SHBA-së dhe OSBE “të shkojnë në shtëpi”, pasi, sipas tij, “në të kundërt do të përballen me urrejtjen e popullit”. Nuk besoj se do të ketë ngelur shqiptar i pabefasuar nga ky qëndrim politik, që të paktën që nga viti 1990 nuk ishte dëgjuar më as privatisht nga politikanët shqiptarë, përfshi këtu edhe ish-drejtuesit ende të gjallë të diktaturës komuniste. Ky moment përbën natyrisht një pikë të rëndësishme, por edhe të rrezikshme të zhvillimeve të brendshme politike, ku e majta ish- komuniste shqiptare pas 20 vitesh ka guxuar të grisë maskën për të treguar fytyrën e vet aspak ndryshe nga ajo e viteve të para 1990. “Shkoni në shtëpi, ndryshe do të përballeni me urrejtjen e popullit”. Ky kërcënim i tipit enverist nuk është një rrufe në qiell të pastër, por një atavizëm historik i transformuar në qëndrim politik aktual nga lidershipi i të majtës aktuale shqiptare, trashëgimtare direkte politike e gjenetike e së majtës komuniste antiamerikane e antiperëndimore të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Rikthimi pas 20 vjetësh në retorikën antiamerikane e antiperëndimore i ish-komunistëve shqiptarë tregon më së miri falsitetin e tyre politik për gjoja transformim demokratik, gjë që tani edhe më optimistët e kanë të pamunduar ta besojnë. Duket se kthimi masiv i pinjollëve të bllokmenëve ish-komunistë në krye të opozitës së majtë të Edi Ramës nuk është formal e as rastësor, por një strategji dhe plan i paracaktuar politik. Duket se bijtë e Bllokut janë rikthyer në pozicionet e baballarëve bashkë me mentalitetin, filozofinë politike e “arsenalin luftarak” antiperëndimor të tyre, një kusht që dëshmon se e plotësojnë denjësisht. Duket gjithashtu se nuk kanë ndryshuar as motivimi e as qëllimet e luftës dhe qëndrimeve antiperëndimore si strategji politike të disa brezave të ndryshëm të ish-komunistëve që nga 1941 e deri me sot. Gjyshër, baballarë, bij e nipër janë antiamerikanë e antiperëndimorë për një arsye të vetme: pushtetin. Nuk besoj se komunistët e Hoxhës dhe Alisë kishin ndonjë inat tjetër me SHBA-në, NATON, OSBE, BE e të tjera vende e organizma perëndimore që i kishin shpallur armiq dhe u kishin kërkuar “të shkonin në shtëpinë” e tyre afro gjysmë shekulli, përveç se mospranimit prej tyre të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit me dhunë nga komunistë, gjë përbën edhe arsyen aktuale të inatit dhe armiqësisë së opozitës ish-komuniste të Ramës me ta. Unë nuk shoh ndonjë ndryshim midis kundërshtimit të instalimit me dhunë te pushtetit komunist të Hoxhës në 1945 dhe kundërshtimit të marrjes me dhunë të pushtetit nga Rama më 21 janar të 2011, nga përfaqësuesit respektivë diplomatikë amerikanë në këto dy momente. Sot, pas afro 70 vitesh, palët, arsyet, qëllimet dhe qëndrimet janë parimisht krejt të njëjta. Qartësisht përfaqësuesit e vendeve dhe organizatave perëndimore janë pozicionuar kundër dhunës politike, pavarësisht se nga vjen ajo gjë që nuk shkon me rregullat dhe ligjet e demokracisë e shtetit ligjor, por që shkon sigurisht e natyrshëm në kundërshtim me metodat dhe qëllimet politike të pinjollëve politikë e gjenetikë të armiqve të tyre të vjetër në Shqipëri. Besoj se çdo shqiptari me dy pare mend në kokë, pavarësisht bindjeve politike, i vjen keq, por edhe turp që lidershipi i gjysmës zyrtare të politikës dhe pushtetit në këtë vend merr zyrtarisht dhe publikisht një pozicion kaq agresiv e armiqësor ndaj aleatëve kombëtarë të shqiptarëve, i ngjashëm me qëndrimet politike të Kubës, Koresë së Veriut, Libisë së Gadafit e të tjera diktaturave apo pushteteve të dhunshme ende në këmbë në të gjithë botën.

Mirëpo pavarësisht keqardhjes dhe turpit, që në radhë të parë shkon tek inspiruesit dhe artikuluesit politikë të deklaratave antiamerikane e antiperëndimore, heqja e maskës përmban pa dyshim një moment të rëndësishëm për zhvillimet politike në Shqipëri. Opinioni shqiptar, por sidomos opinioni dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë mundësinë të shikojnë e prekin realitetin në lidershipin e opozitës së majtë shqiptare. Është pikërisht ky dekonspirim dhe sidomos mospranim i realitetit në opozitën shqiptare nga aleatët euroatlantikë, që çoi në shpalljen e këtyre të fundit “non grata” nga Rama dhe Opozita e Bashkuar e tij. Mendoj se qëndrimi i prerë i aleatëve tanë amerikanë dhe evropianë ndaj zhvillimeve antidemokratike në aksionin e opozitës për marrjen e pushtetit ka shërbyer dhe besoj se do të vazhdojë ta kryejë këtë funksion edhe në qartësimin e raporteve të elektoratit shqiptar me të majtën ish-komuniste, shpeshherë i mashtruar nga retorika demokratike që i ka shërbyer jo pa sukses si maskë deri tani. Të qartë për ndikimin tek populli e kombi shqiptar i qëndrimeve, parimeve, rregullave edhe sidomos porosive të aleatëve tanë jetikë, SHBA-ve, drejtuesit e opozitës ish-komuniste e kanë ndier efektin elektoral të raporteve të tyre me ta. Kjo ka bërë që të humbasin logjikën duke grisur çdo maskë e shembur çdo fasadë, gjë që shprehet në momente të tilla dëshpërimi si kjo që po kalon opozita ish-komuniste shqiptare.

Dua të theksoj gjithashtu se shpërthimi i para dy ditëve ishte vazhdë e një antiamerikanizmi, që pas ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit u shndërrua në fushatë skrupuloze politike e mediatike nga lidershipi i opozitës. Kërcënimi publik nga opozita i përfaqësuesve diplomatikë ishte vetëm zyrtarizimi apo marrja përsipër politikisht dhe personalisht nga Edi Rama i kësaj fushate politiko-mediatike antiamerikane e antiperëndimore, një harakiri politik e elektoral i tij, pasi politikat antiperëndimore, veçanërisht ato antiamerikane, janë gjëja që në asnjë moment apo rrethanë nuk mund ti ofrohen si alternativë, sidomos elektorale, kombit e popullit shqiptar. Pa dyshim që ky shpërthim antiamerikan e antieuropian i Edi Ramës do të ketë hisen e tij në rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit e më tej.

No comments:

Post a Comment