2011-03-26

nga Flori Bruqi:Pse miklojnë shpirtrat ......apo Agron Shele ndryshe...


Agron Shele
Agron Shele


Agron Shele është Sekretar i Pergjithshem i Lidhjes Nderkombetare te Poetve dhe Shkrimtareve “Pegasi” Albania ,Nën/Kryetari i Përgjithshëm i Lidhjes “Pegasi”, Kryetari i Degës Përmet, ,anëtar i Lidhjes së Globit “WPS”,pjesmarrës në Kongresin e Lidhjes Shkrimtarëve të Botës,Athinë 2007,pjesmarrësi i Mitingut Poezisë (Gjakovë/Kosovë),pjesmarres i Takimit poetik Shkup (Maqedoni) 2009 dhe organizator i Simpoziumit Nderkombetar “Muza poetike Peagasi 2009” .

Agron Shele, ka lindur më 07.10.1972 në fshatin Leskaj,Krahina Maleshove,Rrethi Permet. Pas mbarimit të shkollës së mesme, vijoi studimet e larta dhe u diplomua në Tiranë.





Më pas ka kryer studimet pasuniversitare për gjuhën angleze, informatikë, mbrojtje mjedisi dhe strategji e pergjithshme. Iu dedikua poezisë që në moshë të hershme. Është autor i romaneve “Hapat e Klarës”, “Përtej perdes gri” dhe “Imazhi i rremë”, botime të shtëpisë botuese “Marin Barleti” Tiranë. Është Nen/Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve “Pegasi”Albania, me qendër në Gjirokastër dhe Kryetar i Degës së kësaj Lidhjeje në Përmet. Po kështu Kryetar i Shoqatës: “Rinia dhe fëmijët” dhe i shoqatës “Mjedisi në komunitet”. Agroni është Anëtar i Lidhjes së Poetëve Bashkohorë (W.P.S), pjesëmarrës i nderuar në Kongresin Ndërkombëtar të zhvilluar Athinë në vitin 2007, ku përfaqësoi Lidhjen e Krijuesve “Pegasi” Albania.Veprimtaria e tij shkrimore po prezantohet në të gjithë simotrat e Lidhjes Pegasi”.



Ai gjithashtu është bashkëautor në Antologjinë poetike “Korsi e hapur”1 me autorë të Lidhjes së Krijuesve “Pegasi” dhe të tjerë, botuar në mars të vitit 2008, ku janë përfshirë rreth 270 autorë shqiptarë dhe nga Bota. Ai po jep një kontribut të madh në fushën e letërsisë, jo vetëm në Përmet, ku është aktualisht edhe Drejtor i Qendrën Kulturore.

Veprat e botuara:

1. Hapat e Klarës, “Steps of Clara” (roman)
2. Përtej perdes gri “Behind the grey curtains” (roman),
( çmimi I i Lidhjes Pegasi viti 2005,dhe vleresim me medalje nga Kongresi Lidhjes Poeteve dhe Shkrimtareve Nderkombetare,Salamine 2007)
3. Imazh i rremë “False images” (roman) ( çmimi I i Lidhjes Pegasi viti 2008)
4. Pasazh i pafaj “Innocent passage” (poezí) përkthyer Greqisht (revista Qeleno),Italisht (revista Artista a Confronto) dhe anglisht
5. Antolgjisë poetike /Korsi e hapur (Bashkëautor)

Vëllimi “Pasazh pa faj” është vëllimi i tij i parë poetik, por janë botuar në disa vende poezi të tij, të cilat kanë tërhequr vëmendjen.
Është fitues i çmimit të parë në konkursin”PEGASI 2006” (roman)
Është fitues i çmimit të parë në konkursin “Pegasi 2008” (roman)


MUZA IME
Muza ime!
Ç´bukuri fsheh brenda muzgjeve?
Ç´ëndrra rilinde përtej lirishtave?
Ç´këngë këndon honeve të gremisura?
Ç´rreze kërkon mbrëmjeve të ngrysura?
Ç?...(A mund të mbarojnë pyetjet retorike?)
Muza ime!
Qëndroj majë shkrepit të heshtur,
heshtjen godas mes të përjetshmes  tretur.
Ngado shoh perëndim të plakur,
më  shfaqet kudo agimi i ringjallur.
Muza ime!
Vitet dhe thinjat si vetë kreshtat,
zbardhin nën mjegullat e fshehta.
Shpirti i gdhendur nga pena thatime,
dridhet, griset, tutje humbëtirave.
Muza ime!
Mos erdhe si mallkim ndër deje
a  si lojë  luajtëse marramendshe?
Kundroj sy  vashe fshehur brenda teje
dhe lotkthyerin në smerald.
Muza ime!
Si frymë e shenjtë shtyn në harrim,
pse poetë u gdhimë në ag.
Vegimeve  të paqta jeta në vlim
Dita shpejton me harrakatin çap…

Ëndrrat e mia mbetën aty
Copëza fjalësh drithërojnë shpirtin...
Ëndrrat e mia mbetën aty,
si mijëra ajzbergë në oqeanin e pafund.
Mendja depërton tutje fluturimth,
në të tjera qiej, rrugëtimesh “plot mund“.
Ëndrrat e mia mbetën aty,
netëve pranverore, yjeshumë.
Copëza ndjenje drithmojnë shpirtin
dhe endën magjinë pëlhurë.
Ëndrrat e mia mbetën aty,
si zbardhja e dritës, në agim.
Me mallin e vjeshtës në gji
dhe ... e pikat e shiut -trishtim. 
Ëndrrat e mia mbetën aty
mbi harqe ylberësh, koloritë kuptimësie;
Të bardhën ditë, shpresë dhe ngazëllim,
përthyen shtigje “rrebelim“ poezie.
Ëndrrat e mia mbetën aty
Të formatuara ndjenjësisht...
Një shikim i hedhur qiellit të tymtë
Konturim frymor –figurë statujisht...                                                                   
                                                     
                 
Ëngjejt zbardhën
Demonët dhunues 
braktisën,
Perdet errëtuese 
shpërndarë në”Kumtër”.
u zhdukën,
humbën në vetveten e largët.
Qielli shndriti
Ëngjëjt zbardhën 
zymtësinë hapësinore.
Mikluan shpirtrat e vdekur,
të harruar;
farkëtuan 
thundrat e çelikëta, 
shtresave paqësore 
fluturuan.
         
Në Olimp vendoset drejtësia
Zeusi premtoi drejtësinë e përjetshme,
të fshehur,
të ndalur prej shekujsh, e shekujsh.
Mëkatarët kapën vetë mëkatarët
Dhuratën më të shenjtë, për të tmerrshin“Had“.
Kudo ithtarët brohoritën marrëzinë
dhe kudo shtrënguan zinxhirë pafajësie.
     
   
Tetor 
Mijëra gjethevrara prekin trotuarin
Erë- marrëzia shtyn edhe më tej,
Harresa e largët pret ndanë qytetit,
të mundë, më tepër të rrëmbejë,…
S´mbaron këtu mëkat’ i filluar,
Zogjtë e fundit nga shtëpia zbon,
Kur mëngjezi shkopin e parë hedh,
lotvuajtjet jetime asfaltin miklojnë.
Era bredhacake turret poshtë liqenit,
Gjurmëkujtesat gërvish thonjzhveshur,
E nesërmja përcjell me fshesën ndër duar
Ankthin e mbledhur, netëve të vonuara.
    
Anës liqenit
Vjeshta të harroi liqen, jo Unë.
Erdha si gjithmonë pranë teje,
zbathur,
Vlagun tënd më tepër të ndiej.
Valët derdhen poshtë këmbëve,
dridhen, përflasin;
khehen sërish prapë  tutje,
treten humbëtirave të thella.
Dallëndyshet u larguan,
Njerëzit po ashtu,
veç regëtima pulëbardhash
dhe çapat e mi të vetmuar.
(Shkruhet kujtesa në trajta papirusesh, 
për të rifreskuar kujtesën e shkuar…).
Gjatësi valësh të lodhura,
muzg mbi qelqin tënd,
Shirita të ndritshëm, të prerë,
 mendime që nisen larg,
 mendime, që s’ndalin  kurrë në vend…
                                                     
       
Dritëhije 
Perëndimi tretet tutje në pafundësi
Dal nga dalë dhe nata zbret pa kufi,
po dhe vashat, në të linjta shtratin zënë,
kush në ëndërr, kush e epur, kush dhe qan.
Qetësia përçuditëse mbisundon,
nën çapin harrakat ditë e vonë ,
mbi lumenj fërgëlluar dot s´gëzon
dhimbje lotësh mbart lugina poshtë.
Kush një thikë zemrës i shtrëngon…
Ç´duhej më për të dhe kjo jetë e zezë
Ajo iku. Po tani i shkreti!
Si ”Romeo” përgjëron gjunjëzuar.
Më fatkeqi, s´guxon ende të ngrihet,
I mbetur në gjumë, nxirrosur si më s´ka
Natë e errët, humbëtirë e pamatë
të bardhin shpirt, e çon shumë larg.
Prit të finishohet ky mallkim ndër deje:
Heshtje varri, nënqeshje mizore.
Nata arratiset, në pritsh ditën e re
çohu i lumtur, zhytu në hare.
                                                                                   
Rikthim
E mallkova shiun për ëndrrën e dëbuar,
Sytë e përgjumur kërkonin flokët tuaj,
buzëqeshjen,
shkujdesje hapash.
Hija jote tretej natën e vonuar.
Të  kërkova kudo gjurmëve të jetës,                                                                                                
diku humbe,...
Ku?...
Ndoshta mallit tim 
u struke e heshtur.

Pasazh i pafaj
Pasazh i shkuar,fytyrë e konfiguruar
Fytyrë vajze,
ëmbëlsisht e dashuruar.
Det i thellë,
konturim i tejskajshëm.
Mall i fshehur dhimbshëm.
Pasazh i pafaj.

Vajzat
Kapërcim diellor,rrëzëllim drite.
Vështrim i vjedhur ngutshëm,
robërim shpirti.
Botë e tërë ndjenjash ,
çast lumturi.
Brengë e përhershme,jetë marrëzi.
Botën rrotullojnë,si të ishte lodër.
Ulen e përulen,
boshllëkut të kotë.
Nimfa që tronditin zotat edhe qiellin,
Çojnë në altar,
Ditët e pendimit.
Të bukura ,të brishta 
dhe ëndërrimtare.
Krijesa  mrekulli,fluturim pulëbardhash.
Fllad pranveror,petal trëndafili
Shenjë çiltërsie
Kurorë dashurie.
   
E pafalshme
Valët shkumëzuse,
poshtë bregut soditës 
horizontesh u thyen,
thinjat e bardha shkulën,
ngjirizeve të thella përhumbën.
Deliri i paqes përtej blusë
nënqeshi mendjelehtësinë shekullore
dhe fali kryneçësinë moderne!

Së largu
Një telefonatë uron nga larg,
Një tjetër gotë troket dhe më larg.
Për mua!
Të gjithë ndihen të gëzuar,
dëfrejnë në dëfrim.
Sigurisht për mua!
Por s’pyetët shumë këtë buzëmbrëmje,
as për qytetin s’folët një të vetme  fjalë...
Vetminë tonë s’e shkulët, u trëmbët
 nga rrënjët xhufkore këtë natë.
Ju vazhdoni të gëzoni për ne,
pa ne…
Çuditem dhe vetë për akullin që ndiej.
Majë shkëmbit të bardhë
Majë shkëmbit të egër,
                       të lartë,
 mbisundon frika.
Mes territ shfryrës shkulmë bore,
                             gëlon stuhia.
Një klithmë vajtuese çjerr heshtjen,
qan fatin e braktisur prej kohës,
me sy të lodhur mbërthyer
pas territ pa fund  shfaqës.
Jehon ulërimë e largët
mbytur ndër dhimbje,  lot,
nota pentagrami vajtimi
 I lodhur,
          i mundur,
                         i plakur 
kërkon pak prehje  për shpirtin.
Në ëndërr vjen zëri i shokëve,
ta shkundë nga gjumi përjetshëm,
I pari të shkojë në furtunë,
të ndeshet dhe kthehet fitues.
Majë shkrepit të bardhë të ngjitet,
ulërimën e frikshme të niste.
Retë, në ishte e mundur,
 të gjitha, t´i përpinte! 

Apokalips 
Për zemrën,
rendën gjithandej ogurzinjtë…
por dot fatzinjtë,
s’e shkulën nga shpirti.

Një lypës
“Gjynah!”-
thotë me vete një plak kalimtar.
“Sa keq!”-
vazhdon lojëfjalën një djalë,…
Kështu shprehet më pas dhe një grua,
Ndërkohë një vajzë rrugën ka ndërruar.
Të tjerë,
prapë të tjerë përflasin.
Lypësi pret me duar të mpira.
Manastiri

Kambanat ranë sërishmi…
“Prapë ka vdekur tjetër njeri?!”
Fjalët e fundit, të vetmet…
I “fshehu” të gjitha manastiri,
 u kthye, në çast, në memec.
Kohezion 
Vërtet!
Sa afër ishim dje!
Çudi!
Sa larg shkuam sot!
Na ndante mes nesh një pikëpresje…
Sot nuk shquaj as pikat!
***
Sa zemra të plagosura,
sa shpirtëra të brengosur,
sa lot dhe sa mall,…
Ndal udhëkryqi më i madh. 
       
Mirë se erdhe
Kur zilja bie në derë,
dihet  alarm bëhet në shtëpi,
për rëndësinë e mysafirit të ardhur,
mimika tregon kush është ai.
         
O zemër, o mall, o vatër, o këngë, o zjarr…
O tokë e përgjakur nga shekujt,
O vend i të parëve të mi,
O diell që ndriçon përmbi qiej,
O vend i shqipeve – Shqipëri! 
O mall i mbledhur ndër njerëzi,
O vatër, ku prehje fal ti
O zemër, që rreh mbi çdo dashuri,
O vend i shqipeve – Shqipëri!
O këngë shpirti, burim jete,
O zjarr i endur ndër legjendë,
O më i shenjti ndër të gjithë,
O vend i shqipeve – Shqipëri!

Kosovës martire
Malet e rreptë dhe grykat e frikshme
Oshëtijnë nga klithmat e bijve të shqipes
Krenaria e arbërit fushëbetejë martirësh
Burrat e dheut  prore  ka thirrur.
E etur për komb,flamur e liri
U dogje në flakët e shekujve robëri
Tym e barut kullat statuja
Tmerr e panik për shkjahun  e huaj
Me zjarr e ndrite emrin tënd Kosovë
Me gjak e shkruajte gjuhën arbërore
Burrat u falën për besën dhe fjalën
Burrat e fituan tokën e të parëve.
Zëri i Drenicës,kushtrim lufte e furie
O prite o prite,jehon Azem Galicën
Ngritur mbi lavdi,tjetër rreth kreshnikësh
Me Adem Jasharin,valle historie.
Eh! Kosovë! Kosovë martire
Shekulli ri ,faqe lavdie
Gjaku dëshmorëve,provë pavdekësie
Krenari shqiptarizmi ,tokë e hyjnizuar. 

Oshëtimë e largët nga gjumi na zgjon
Vendlindjes time, Malëshovës
Fshehur mes malesh, ku mjegulla zë fill,
tutje horizontesh mendja fluturon,
malli i nxituar përherë në kërkim
për lisat, zallishtet dhe ujërat e ftohtë…
Si zogjtë shtegëtarë humbëm, s´di ku,
të lamë të vetme, ikëm të gjithë,
Rrënimi si korbat, turret egërsisht
të kthejë ç`të mundë, në pluhur dhe hi.
Fjala më e parë të mat me “dikur“,
ç`vlen, kur të heshtur shikojmë sot,
Askush s´mbart mallin tënd të gjerë,
t´i flasim, ta prekim, të shkrihemi në lot.
Madhështia jote shkrepëtin rrufe,
oshëtimë e largët nga gjumi na zgjon,
Malli i mbledhur na fton të gjithë 
Të të ngremë nga heshtja, nëna jonë, Malëshovë!

Me shpirtin, përherë në fluturim
Mikut tim, Frederik Reshpes
Ti ike ashtu, krejt papritur
me mallin vjeshtëror në gji.
Me zemrën mbetur peng atje
tek i shenjti,
             liqen turfullim.
Ti ike, pa thënë  asnjë fjalë,
i lodhur,
           i mundur nga dhimbja.
Me brengën e nënës së thinjur 
nga vitet e vuajtjes së poetit.
Ti humbe rrugëtimës  pa kthim,
me të vetmin ëndërrim në shpirt,
me të vetmen pasuri që kishe,


Dorëshkrime dhe copëza poezish. 

Ti ike larg, si era,
në të  përjetshmen paqe,
                                    ngadhënjim.
Me sytë e shpresës tek e nesërmja,
me shpirtin, përherë në fluturim.
Poemthi i kuajve të bardhë
I

U mendova një mbrëmje 
me vështrim nga yjet.
Hëna hidhte zbehtësinë mbi mua,
nënqeshte  pafajësinë e shpirtit treguar.
Mendova një çast 
ta përbuz këtë rreng të heshtur;
mendova një çast 
ta përbuz këtë imazh të rremë.
Qetësi!
Çuditërisht vetëm  qetësi,…
S´dihet ç’ ëndrra bredhin 
në shpirtin e njeriut!
Krahë menatorë shtrihen ngadalë
të lodhur,
             të verbër,
                        plot mistere.
Rendin pas natës së kuajve të bardhë.
Kjo është nata e kuajve të bardhë,
Natë,
Premierë e përhershme,
Premierë që s’di të reshtë.
II
Lëmshe mendimesh 
pleksen diku,
orvaten honeve,
ngrehinave të pafundme labirinthesh.
Shumë zgjidhje fal momenti.
Më vonë një e vetme,
në fund asnjë.
Treten si hije shiritave të prerë.
III
Dita agon…
Sklepat zhduken 
nga sytë e përgjumur,
Natyra përreth 
shfaqet në mjegull,
cicërimat e zogjve
 rikthejnë buzëqeshjen.

IV

Shkruaj për dashurinë.
E kush nuk ka shkruar 
për të në këtë botë!?
I pari nuk jam,
por as i fundit njeri.
do vijnë Të tjerët,
e të tjerë do shkruajnë ,
plot nostalgji të  gjelbër.


KORSI E HAPUR (ESSE)

Një shpalosje universale vlerash
   Mendimi universal në letërsi dhe unifikimi vlerave reale kanë mundësur sot koncepte dhe ide nga më madhoret,kanë krijuar tendenca përafrimi në shumë kultura,kanë paracaktuar modalitete bashkohore dhe kanë krijuar mundësi të jashtëzakonshme bashkëpunimi dhe komunikimi.
Nën këtë nismë dhe me motivim të qartë u realizua projekti “Korsi e hapur“ Antologji poetike e Krijuesve Pegasi dhe autorëve të tjerë nga vendi dhe bota (rreth 170 autorë vendas dhe 84 autorë të huaj nga 22 vende të ndryshme të botës),të cilët me prurjet e tyre letrare në 11 gjuhë të huaja,arritën të flisnin për herë të parë në gjuhën shqipe dhe të plotësonin një mozaik letrar nga më të larmishmit.
   Botimi i kësaj antologjie nuk është i rastësishëm,por erdhi si rrjedhojë e  përvojës  10-vjeçare,e shtrirjes së  Lidhjes “Pegasi“brenda dhe jashtë vendit,e komunikimit  me simotrat e tjera letrare të cilat shtrihen në të gjitha kontinentet,e shpalosjes universale të vlerave i cili është bërë evident dhe mjaft sinjikativ.
   Është e çuditshme por dhe mjaft premtues lloji i ri i komunikimit midis autorëve të ndryshëm nëpërmjet internetit,të cilët punojnë në mënyrë të pavarur përbrenda rrymave të ndryshme letrare,shkëmbejnë eksperiencë dhe hulmutojnë prurjet dhe gjetjet e reja ,debatojnë për anën kompozicionale dhe atë fabulore,konturojnë idetë dhe profeksionojnë stilet.
   Le të bëjmë një anlitikë të shkurtër të antologjisë poetike dhe të konkludojmë për dinamizmin e krijuar duke u endur nga një autor tek tjetri,nga një kulturë tek tjetra,nga një ndjenjësi në një ndjenjësi tjetër.
   Pse e shtroj këtë paratezë të nderuar kolegë?
Për shumë arsye të cilat të shtyjnë drejt konturimit të një letërsie ndryshe
•        -Letërsi që është domosdoshmërisht e aplikueshme në vende që kanë pasur  probleme çensurimi Shqipëri,Kosovë.
•        -Letërsi që duhet të ridimesionojë vetveten dhe të krijojë komunikim më të gjerë në hapësirë dhe kohë.(Komunikim që realizohet për herë të parë në letërsinë shqiptare pasi përfshihen rreth 84 autorë të ndryshëm të huaj)
•        -Letërsi që duhet të përafrojë kultura dhe kombe (Përfshi 22 vende të ndryshme të botës që përfaqësohen denjësisht)
•        -Letërsi komunikuese,dhe mundësuese për shkëmbime të ndërsjellta vlerash.
   Le të ndalemi në një moment tjetër, i cili shërben për të konfiguruar elementë kyç të një projekti të tillë,projekt që konsiston në paraqitje të përbashkëta  dhe në eventualitete të ndryshme.
   Ç´duhet të kuptojmë me elmentë që ndikojnë dukshëm në perfomancën e një vepre kaq të gjerë dhe në paraqitjen e saj grafike:
Është më se e kuptueshme që elementët bazë që treguesit e nivelit artistik të jenë sa më cilësorë duhet:
•        -Niveli i përkthimit të jetë përbrenda standarteve (Rast konkret   Shqipërim+ruajtje kompozicioni +ruajtje mesazhi) perfomancë që u mbështet fort nga Kongresi Lidhjes së Shkrimtarëv e të Botës ,Salaminë ,Greqi 2008 në lidhje me vështirësitë në fushën e përkthimeve.
•        -Harmonizimi i prurjeve dhe gjetjeve letrare të autorëve vendas me ata të huaj.
•        -Rikonceptimi i artit me autoritetin krijues.
  Jo pa qëllim përbrenda veprës letrare ndeshesh me emra të tillë si Teresinka Perriera Kryetare e lidhjes Shkrimtarëve të Botës IWA (USA)Domeniko Defeliçe dhe Flavia Lepre (Itali),Adolf Shvjedçikov (Rusi),Kristina Santos Akeza (Brazil),Dr Ashok (Indi),Hju Çi Çeng (Kinë),Benard Xhekson (Angli),Armando Roje Leon (Marok),Goro Ihara (Japoni),Çan Sirisuit (Tajlandë),për të ardhur tek poetët Grekë Dimtris Kraniotis Kryetar i Lidhjes Poetëve të Globit WPS,Dinos Kubatis,Panajota Zaloni ,kandidatja për çmim nobël Nadia Çela Pop (Rumani),autorët kosovarë Kadrush Radogoshi,Rushit Ramabaja,Muharrem Gashi,autorët e Lidhjes Pegasi që përfaqësohen kryetarin Kristaq Shabani,Petro Dudi, Iliaz Bobaj,Dashamir Malo,Trifon Dafa,Izet Çulli,Enrieta Sina,Lumo Kolleshi,Sinan Vaka,Dhimitër Miti,Anila Mihali,etj.
   Kjo konglomeratë autorësh të cilët nuk njohin as shtet dhe as komb por përfaqësojnë universalitetin e vlerave njerëzore përbën rast të papërsëritshëm për kulturën tonë letrare,dhe këtë gjë e vërtetoi më së miri shkëmbimi i informacionit nëpërmjet postës elektronike nga ku shumë kolegë të nderuar të huaj të cilët në këtë antologji poetike flasin shqip,kanë dërguar qindra mesazhe urimi dhe falenderojnë për të tjera inisiativa të tilla,të cilat dhe përoja e tyre e gjerë nuk i kish përcjellur më parë.
   Duke cituar një ekstrakt të shkurtër nga kjo antologji ku theksoj se:
“Poezia është vetë magjia
 Poezia është flirt i shpirtit
 Poezia është muzë mbi muza”
Mendoj se kam shprehur percepetimin e vërtetë të poetit global.
    Së fundi mendoj se “Korsi e hapur“ është pikënisje e atributeve dhe prurjeve të qindra poetëve të cilët përbrenda mendimit të tyre kanë nisur dukshëm dhe bindshëm shkëmbimin universal të mendimit letrar mbarënderkombëtar.(Agron Shele)

Rreth mrekullisë së poezisë Eseniane



Të referosh rreth mrekullisë poetike të Sergei Eseninit,është njëlloj sikur të hapësh faqet e një libri të pambarimtë,ku kuptimi i analizës së vërtetë të botës tij,as fillon dhe as mbaron kurrë.Le t´a quaj guxim këtë mendim të vogël që dua të shpreh,për konceptin dhe frymën që ky autor i madh futi në poezinë e re dhe moderrne,për ndërthurjen që i bëri poezisë ruse me atë të motiveve orientale,ku padyshim natyra dhe vrulli rinor do të sillnin perlat më të bukura,që do të lexoheshin me një frymë në mbarë botën I paragjykuar për mënyrën e jetesës,për mbrëmjet e kaluara nëpër pijetore,për çapkënllëqet dhe natyrën prej sharlatani,do të endej rrugëve të botës,por me misionin e madh,atë të shpirtit dhe ndërgjegjies së lirë,mission që e ringriti dhe e ktheu në model të forcës shprehëse,të një bote ku mundësia për të arritur dhe për të ndryshuar qëndron vetëm tek vullneti dhe besimi që duhet të karakterizojë ç´do individ.Në këtë kontekst,bota e gjerë si vetë stepat ruse,do të përfshijë mendimin më substraktiv,nga modeli i pemës jetë,mështenkës bardhë, gjer tek muza e mbrëmjeve të veriut e cila ,shpreh dashurinë dhe mallin pa kufi për nënën dhe me penën magji,i këndon dashurisë njerëzore,qan për atdheun në mërgim dhe krenohet për madhështinë e vendit të tij.
Kur lexon pozinë eseniane të duket sikur këndon,pasi embëlsia e fjalëve
muzikaliteti i tyre,përzgjedhja dhe forca artistike,të çojnë në një tjetër botë,përtej reales.Gjithçka e shprehur prej tij,në minaturë të jep përshtypjen sikur ka qënë pjesë e mendimt dhe botëkuptimit të tij,por thellë thellë,nëpërmjet rivijëzimit të ideve,nënkuptohet lehtë,se autori i madh,ka kërkuar të shfaqë hapur anën esenciale,dhe për këtë motiv ai u shkri një me huliganët,me pijanecët,me njerëzit e të gjitha kategorive,nga ku do të perifrazonte mentalitetin dhe ndërgjegjien e kohës në të cilën jetonte.
“Ç´të pyesin e kush në këtë botë,
nuk ndihet shtegëtar,që ikën e vjen“

Që në fillim të faqes poetike të tij do të ndeshemi me konceptin për jetën,me mundësinë që i jepet njeriut për të jetuar,me plagën dhe dhimbjen për atë ç´shkon dhe për atë ç´farë ka humbur.Filozofia e këtyre vargjeve,të shkruara në emigrim,shpreh në një farë mase pesimizmin,lodhjen dhe braktisjen që e ndjen ç´do çast,për të vazhduar më pas,në po këtë poezi me nostalgjinë e kohëve të shkuara,plot dritë e jetë ,atje në viset e tij,pranë njerëzve të thjeshtë dhe të dashur,në atë botë që e bënte vërtet të ndihej krenar.Mendja depërton tek era e dëborës,tek lugina plot lule,tek shkrepëtima e yjeve të veriut,tek kënga e laureshës,tek hingëllima e kalit,e cila e ndjek që nga fëmijëria dhe e mban të lidhur fort me vendlindjen.
Letër nënës,eshtë tjetër simbiozë drithëruse,tjetër mall dhe dashuri,për atë që lind jetën.
“Gjallë je,nëoke?Edhe unë
Gjallë jam.Shëndet më paç,shëndet!
Dritë e bëftë krejt kjo mbrëmje e lume
Izbën tënde që me mall më pret“
Shqetësim i përhershëm,mall i patreguar,ndjenja të papërsëritshme, pë-rvijim i ç´do mendimi,respekt dhe përulje para figurës së saj.Shalli i vjetër dhe ecja e vetmuar në rrugë me të vetmin merak që kanë nënat në botë nuk është shkruar me bojë,por me lot,pasi aty përmblidhet foshnjëria e veprimit të fëmijës,ndjenja e fajit për çapkënllëqet dhe për gjëra të tjera të pakëndshme që mund të kenë shkuar në veshin e saj,por ajo ç´ka është më e rëndësishme,është se këtu kemi një monolog të tillë,që përjetëson këtë ndjenjë egzistenciale dhe e ngre në kult.Jo pa qëllim ç´do ambient vishet me dritë dhe jetë,duke filluar nga figura qëndrore e nënës,shtëpia,kopshti i bardhë dhe gjithçka që rrethon,nisi jetë aty,dhe po këtu kërkon dhe prehjen e fundit.
Atdheu,merr tjetër kuptim në mentalitetin dhe ndërgjegjien e tij,ai është pa fund dhe pa anë,krijon hapësira për të gjithë,dhe të gjithë duhet të punojnë për lulëzimin dhe begatimin e tij.Ai e do atdheun njësoj,edhe kur ndihet i braktisur prej tij,edhe kur kaloi ditët më të bukura,edhe kur ka humbur mes kohëve më të vështira,edhe kur falte gëzim dhe shkëlqim.Shprehje të tilla”A jam në atdhe a tjetër kund;por sot s´u dashka arti im as unë”,marrin përgjigje në një kuptim figurativ ”Paçka se kënga ime nuk duhet sot/Unë këndova atëherë kur t´i ishe sëmurë”
Shpirti dhe misioni i një poeti,nuk mund të bëjë llogari të tilla,të cilat do gjykojnë mbi raportin individ-shtet,por me përgjegjësinë qytetare dhe me moralin oponent në lidhje me veset dhe të këqijat e shoqërisë,në kohezion të plotë,dhe i vetëm po të jetë nevoja,lufton që mirësia dhe drejtësia hyjnore të triumfojnë.
Poezia e Eseninit do të shfaqet në të tjera përmasa,dhe do të marrë fizionominë e saj të plotë,kur në thelb dhe në përmbajtje,ajo do të trajtojë motivin e dashurisë.Si ç´do poet,veshur me patetizmin shpirtëror,këtë zjarrmi të pafund që shkon gjer në harbim,do të rrezatojë tablon e gjallë të ndjenjës më të hollë,dedikuar delirit të bukurisë dhe delikatesës femërore.
“Shagane,shpirti im,Shagane!”
Në këtë poezi me motive persiane,fjalët janë radhitur si notat muzikore,leximi i tyre ngjason me nje simfoni”Bethoviane”,ku sinkroni i përgjithshëm nuk tingëllon në vesh,por drithëron zemrën,trondit tërë qënien,përçon emocione të papërsëritshme,duke mistizuar ndjenjat njerëzore.Fuqia dhe bota shprehëse e autorit paraqet tablon e ngjyrave të jetës,lidh natyrën e bukur plot lule me ëmbëlsinë e dashurisë së vërtetë,detajon bukurinë e trupit dhe të shpirtit.
“Puthëm e dashur puthëm
Gjer në dhimbje gjer në varr”
Këtu ndjenjat e autorit sigmatizojnë botën e një dashurie të zjarrtë,të një dashurie që shkon përtej lumturisë,e një dashurie që kapërcen ç´do limit,e një dashurie që nuk shkruhet me fjalë,por në trajtë llave djeg dhe përvëlon ç´do shpirt.
Të gjendur përballë një stili të tillë,një mënyre të veçantë,një lirike sa dinamike aq dhe të pasur,një rrjedhshmërie që të bën padyshim pjesë të saj,kupton përsojen dhe madhështinë e poezisë,këtij substrakti shpirtëror,që shumë njerëz mendojnë se mjafton të rimosh dhe ç´do gjë funksionon,dhe harrojnë atë ç´ka është më e rëndësishme ,shkrirjen e shpirtit dhe pasionit një me botën profetike që kërkon të shpalosësh.Gjenialiteti i këtij poeti,arrin të përthyejë konceptet e kohës,ta bëjë poezinë më kumbuse,më jetësore,duke e kthyer në një mesazh përjetus tek të gjithë njerëzit,anë e mbanë globit.Autori shpreh qartë dobësisë njerëzore,ai edhe për një zë zogu që nuk e dëgjon më shqetësohet,shkruan me zemër në dorë,me gjakun e ndjenjave të tij nënëshkruan jetën njerëzore,harrohet pas natyrës së llojit të tij dhe humbet në pyllin pa fund të botës së madhe. 
Sergei Esenini pa dyshim që do të mbetet në plejadën e atyre autorëve,që fjalën e kthyen në art,dhe artin e ngritën në piedestal,për t´u treguar gjithë njerëzve,se universi poetik rrezaton shkrepëtimat më mbresëlënëse. (Agron Shele)

No comments:

Post a Comment