2011-03-29

NGA FOTAQ ANDREA :Edit Durham, xhonturqve, në gusht 1911: “Ju e humbët përgjithnjë Shqipërinë”




Letra nga Shqipëria në Figaro – 100 vjet më parë


Francezi Andre Dybosk, autor i disa librave, ndër të tjera i veprës “Siria Tripolitane, Shqipëria”, në gusht 1911 ndodhet mes refugjatëve malësorë shqiptarë në zonën e Podgoricës, në rolin e gazetarit të organit më të vjetër francez “Le Figaro”, në të cilin boton një kronikë të gjatë (3-5 gusht 1911), titulluar “Mes refugjatëve malësorë”. Është koha e kryengritjeve të pareshtura të fiseve shqiptare të Veriut kundër sundimit osman - krahas kryengritjeve në mbarë vendin -, por edhe periudha e reprezaljeve të egra që njeh popullsia katolike e atyre zonave nga ana e xhonturqve, për të shtypur me zjarr e hekur këto revolta, që shpejt do çonin në lëvizjen e gjithanshme të çlirimit kombëtar. Dybosk viziton malësorët shqiptarë në shpellat e humbëta midis dy brigjeve të larta rrëpirë të lumit Moraça në kushtet e një skamjeje të tmerrshme, “absolute”, siç e quan ai. Vë në dukje se që prej tetë muajsh, rreth 20 000 vetë, burra, gra, fëmijë kanë lënë tokat e bagëtitë në Shqipëri, ku gjithçka është djegur e zhuritur, shtëpi, kisha dhe fshatra të tëra. Nga ana tjetër ngre lart moralin dhe zgjuarsinë e malësorëve, krenarinë e tyre natyrore, pavarësisht nga kushtet e mjerueshme ku ndodhen, kur asnjë nuk lyp, edhe pse kanë ditë të tëra pa ngrënë.

Po gjatë atyre ditëve autori njihet me mis Edit Durhamin, cilësuar tashmë si “Mbretëresha e malësorëve shqiptarë”, e cila vepronte aktivisht, me mish e me shpirt, që prej njëmbëdhjetë vjetësh në zona të ndryshme të Ballkanit dhe kryesisht të Shqipërisë. Së bashku me të dhe me një udhërrëfyes shqiptar që i ndihte zonjës së nderuar angleze, ata vizitojnë gjer në pesëmbëdhjetë familje refugjate shqiptarësh në ditë, “duke parë me sy mjerime të llahtarshme”. U është shpërndarë “të gjorëve njerëz” vetëm një herë 1 kg misër kokërr për frymë, por edhe atë misër nuk kanë me se ta bluajnë, për më tepër që mulliri do tu kërkonte të mbante për vete tridhjetë për qind të racionit. Ndër fiset katolike që ndodhen atyre anëve janë ato të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit etj.

Por çka i bën përshtypje të thellë gazetarit francez është kulti i veçantë, gjer në adhurim, që ushqejnë malësorët shqiptarë për Edit Durhamin. Dhe domosdo, përderisa ai e sheh vetë konkretisht, në veprim e sipër “Avokaten e shpirtit kombëtar shqiptar” duke shpërndarë pako për ndihmë të shpejtë mbijetese në çdo familje, ku secila pako përmban 3 m cohë për të gatitur një këmishë, dy gjilpëra dhe një rrotkë me pe për qepje. Po ashtu shpërndan edhe ndihma financiare për to, tek ka mundur të grumbullojë rreth 20 mijë franga falë thirrjeve për ndihmë që ka bërë. Veçse “ata burra shtatlartë, me shëndet të hekurt, që vuajtjet e tërë atyre muajve as që i kanë nënshtruar sadopak, i luten përulësisht për ti shkuar në ndihmë një gruaje vejane me shumë fëmijë, duke qenë se për ta gruaja përfaqëson shtyllën e njerëzimit”.

E ndërsa padija e tyre është po aq e thellë sa mjerimi që ata njohin, kërkesa e tyre do shkojë shumë më larg nga lëmoshat që ajo shpërndan: “Ata njerëz, - thekson Andre Dybosk, - kërkojnë prej saj tjetër gjë: që ajo të ndërhyjë në favor të tyre pranë “shtatë mbretërve” të Evropës, kryesisht pranë mbretit të Francës dhe mbretit të Polonisë për tu blerë atyre armë, që të mund të çlirohen kështu përgjithnjë nga pushteti i Turqve”.

Ndonëse malësorët shqiptarë nuk kanë fare besim në premtimet e rëndomta të autoriteteve xhonturke dhe ndonëse gratë janë të terrorizuara nga dhuna që është ushtruar mbi to, përsëri, e si çdo herë, ata janë të detyruar të rikthehen në vatrat e tyre të shkretuara, për të filluar gjithçka nga e para në mbijetesën e tyre shumëshekullore. Dhe kështu, më 4 gusht 1911, Sokol Baci, bajraktari i Grudës, vihet në krye të eksodit të malësorëve për të marrë këtë herë drejtimin e Tuzit, “qytetit të parë shqiptar, - siç thotë autori, - nga do kthehen malësorët” drejt trojeve të tyre, ndërkohë që “turqit kanë zënë pozicione në faqe të malit, përballë liqenit” për të mbikëqyrur lëvizjen e refugjatëve.

Është për tu theksuar po ashtu se gazetari frëng, tek ngre lart lëvizjen për pavarësi të malësorëve tanë, me qëllim që të sensibilizojë opinionin publik francez për ekzistencën e një çështjeje shqiptare që kërkon zgjidhje në rrafsh evropian, nuk ngurron në të kundërt të shprehë frikën e tij për reprezalje të reja nga ana e xhonturqve. Por edhe këtu, ai do nënvizojë idenë e analistit të shquar të kohës, francezit Rëne Pinon që, duke u shprehur në favor të kauzës shqiptare, deklaronte: “...mënyrat e dhunshme ndaj tyre (shqiptarëve) janë një gabim i rëndë, sepse edhe sikur të pranojmë se trupat e rregullta (xhonturke) do ngadhënjejnë mbi ta pjesërisht, përsëri kryengritja do të ringjallet menjëherë, dhe më me forcë, sapo trupat të tërhiqen.”

Dhe si një ogur i mirë shkëlqejnë këtu edhe më shumë, tek marrin kuptim të thellë, fjalët e arta të mis Durhamit, në gusht 1911, kur si një shuplakë fytyrës fshikullon xhonturqit me një të vërtetë vetëtimë tek u thotë: “Zotërinj, duke filluar nga dita e sotme, ju e humbët përgjithnjë Shqipërinë”.

Po japim më poshtë letrat e francezit Andre Dybosk dhe të anglezes Edit Durham botuar në “Figaro”, më 2 tetor 1911. Po ashtu, botojmë për herë të parë edhe një portret të Edit Durhamit në akuarel, titulluar “Fëmijë shqiptar” dhe realizuar në fillim të shekullit XX.

Skutari, 25 shtator 1911

Muajin e shkuar u fola lexuesve të gazetës “Figaro” për atë angleze, e cila që prej njëmbëdhjetë vjetësh mjekon plagët fizike e morale që turqit po u shkaktojnë popullsive të Ballkanit. I vura në dijeni se isha takuar me mis Edit Durhamin në Podgoricë, mes mjerimeve më të llahtarshme, duke e paguar gjithçka nga vetja e duke ndjekur gjer në hollësitë më të vogla gjendjen e vajtueshme të refugjatëve shqiptarë, përherë e mbytur në punë, përherë e kudondodhur e me fjalë të mirë mes atyre fatzinjve.

Me siguri një ditë do lexohet rrëfimi i saj i hollësishëm për këtë fushatë gjashtëmujore në Shqipëri, karakterizuar nga stili i saj aq rrëmbyes e prekës; por në pritje, e kam për detyrë të botoj një letër që ajo më shkruante nga Podgorica, dy ditë pas largimit tim nga ky qytet. Me thënë të drejtën, skam pse mbaj, thjesht për vete, të dhëna të tilla me vlerë të rrallë për gjithë sa ka ndodhur atyre anëve më 1911. Do të ishte e padrejtë që opinioni publik francez të mos vihej në dijeni për atë që ka ndodhur, kur pesë a gjashtë ditë udhëtim e ndajnë vendin tonë nga teatri i atyre ngjarjeve.

Nga ana tjetër, lexuesit e “Figaros” do gjejnë në këtë letër vërtetimin më të qartë të përshkrimit të shkurtër që unë vetë u bëra ngjarjeve, kur kuadri i kufizuar i një artikulli më detyronte të isha sa më i përmbledhur. Me një fjalë, paraprakisht, kam dëshmuar tashmë se asgjë nuk është e tepruar nga gjithçka që do lexohet më poshtë.

Më 8 gusht, në Cetinje, mora letrën që vijon:

Podgorica, 7 gusht 1911

Zotëri,

Mu lutët tju jap me shkrim disa hollësira rreth fatit të shqiptarëve të strehuar në Mal të Zi. E vetmja vështirësi këtu është se sdi nga tia filloj. Unë vetë kam vizituar gjer në pesëdhjetë familje në ditë dhe çdonjëra prej tyre ndodhet në kushte më të mjerueshme nga tjetra. Është e vërtetë se familjet e para që kishin emigruar para kryengritjes dhe kishin marrë me vete bagëtitë dhe plaçkat e tyre nuk vuajtën dhe aq, por gjynahqarët e shkretë që u larguan në çast të fundit nga shtëpitë e tyre në flakë u ndodhën në një mjerim gati të pabesueshëm.

Konkretisht, në një haur të vogël të pistë, gjeta për shembull tri plaka me pesë jetimë të vegjël, një vejane me shtatë kalamaj, një tjetër me katër fëmijë, si dhe dy gra të reja. Në total njëzet e tre vetë që nuk kishin veç zhele mbi trup, copë e çikë dhe krejt të ndotura, në pocaqi të tmerrshme.

Një malazez zemërmirë u kish dhënë ca lëkurë bagëtish për ti përdorur si shtrojë dhe dy enë kuzhine. Por ky nuk ishte një rast i izoluar. Shumë refugjatë ishin të detyruar të shisnin misrin që u kish dhënë Mali i Zi si lëmoshë për të blerë një copë bukë, sepse nuk kishin asnjë mjet për ta gatuar. Nga secila anë e lumit guvat e shpellat ishin mbushur me gra e fëmijë në skamjen më të plotë, ashtu sikurse e vutë re edhe ju vetë. Ja si ma përshkruante njëra nga gratë rrënimin e konakut së saj: “Erdhën ushtarët turq. Ne u mbyllëm brenda në shtëpi, duke menduar se nuk do na bënin keq; por ata na ulëritën: Ikni, largohuni, në sdoni tju djegim të gjallë!. U tmerruam. Mezi mora një torbë me misër e ta nxirrja jashtë. Atëherë, ata i vunë zjarrin shtëpisë sonë të shkretë duke ndezur kashtën që përhapën rreth saj. Vjehrra, fëmijët dhe unë ia mbathëm drejt kufirit sa na hanin këmbët. Por dy vogëlushët e mi nuk mund të na ndiqnin dot; atëherë u detyrova të lë torbën me misër e të marrë hopa fëmijët”.

Me mund të madh, unë vetë u vura të mbath ata njerëz të shkretë, duke qenë se kisha marrë me vete cohë e tesha, që ua shpërndava në çast, si dhe gjilpëra e penj. Dhe tani do u duhet të kthehen në vatrat e tyre të shkrumbuara, në arat e tyre të shkretuara. Po a mund të përfytyrohet një gjendje më e rëndë nga ajo që po njohin sot ato gra të gjora, që mbase do ecin dy ditë të tëra, duke tërhequr pas vetes pesë a gjashtë fëmijë, për të arritur në një konak me katër muret e nxirë, pa çati, pa kurrfarë strehe për të kaluar natën? Çdo bëhet me to? Mundet që Turqia të shpërndajë ca të holla për çdo familje, gjoja për rindërtim të shtëpive; por si mundet ato gra, që numërohen me qindra, të ngrenë në këmbë konakët e tyre? Po edhe ata burra që do kthehen, ku do ta gjejnë vallë drurin e domosdoshëm? Për më tepër që shumica e shtëpive të djegura ndodhen në territore të zhveshura tashmë nga pyjet. Nga ana tjetër, stina e shirave të mëdha, që zakonisht fillojnë në tetor dhe që pasohet menjëherë nga dimri i ftohtë, po vjen, dhe të mos harrojmë se me gjithë përpjekjet e mija, një pjesë e madhe e refugjatëve nuk ka as rroba në trup - pale për të ndërruar! - apo shoje në këmbë.

Qeveria turke premtoi gjithashtu të shpërndajë misër gjatë dimrit, por ata, pa veshje, pa mbulesa, pa kurrfarë mjeti tjetër nuk mund të mbijetojnë, po qe se ndihmat nuk do jenë bujare. Andaj, një depo me gjërat më të domosdoshme mund të ngrihet sa më shpejt në Skutari apo Tuzi...

Ju falënderoj, zotëri, për interesimin që treguat ndaj atyre të mjerëve, që unë i ndihmoj me të gjitha forcat e mija, dhe ju lutem të pranoni, etj. etj.

Firmosur

E. Durham.

Me të drejtë, pas lëçitjes së kësaj letre lind pyetja se si ka mundësi të ndodhin gjëra të tilla në kohën tonë. E megjithatë, ato ekzistojnë falë pretendimeve sa foshnjore aq edhe të pamëshirshme të xhonturqve, dhe gati të gjithë personat kompetentë që pyeta, si mes malazezëve ashtu dhe mes shqiptarëve, mendojnë se ka shumë gjasa që gjëra të tilla të përsëriten edhe vitin e ardhshëm. Ky është edhe mendimi im, sepse është gati e pamundur që Protokolli i Podgoricës të arrijë të përcaktojë për një kohë të gjatë marrëdhëniet midis turqve e shqiptarëve. Duhet llogaritur këtu fryma e kundërshtimit dhe e spërdredhjeve e njërës palë përballë temperamentit dhe zakoneve për pavarësi të të tjerëve.

Mis Durhami po më tregonte të nesërmen e shpalljes së Kushtetutës [turke] se u kishte thënë disa xhonturqve entuziastë: “Zotërinj, duke filluar që nga dita e sotme, ju e humbët përgjithnjë Shqipërinë”. Në pranverë, kur shirat të përfundojnë, kur shtigjet të jenë të thata nëpër male, kur mund të kalohet nata nëpër prita rrëzë shkëmbinjve, kur mund ti qepesh, pa frikë se mos rrëshqet, një faqeje vertikale mali, atëherë të shtënat e dyfekëve do bëjnë punën e vet... Më në fund, nuk mungojnë të më pyesin se në çmënyrë e gjithë kjo, sipas meje, do marrë fund? Unë shoh disa mënyra, sidomos njëra që është fort e mundur, por këtë herë po renditem në anën e atij diplomati që e kishte për zakon të përgjigjej: “Në politikë, ska se çfarë parashikohet tjetër veç asaj që ka ndodhur tashmë në të shkuarën”.

ANDRE DUBOSQ

No comments:

Post a Comment