2011-03-28

NGA GRISELDA QOSJA : Kujt i përkasim?

Të mos kesh kombësi, me gjasa është statusi më i dashur për një intelektual kozmopolitan. Gjithnjë e kam menduar kështu dhe kam refuzuar të besoj se identiteti duhet të jetë një shumatore race apo prejardhjeje, apo më keq akoma që identiteti kombëtar të ketë një karakter përjashtimor.

Çfarë është në vetvete kombësia? Prejardhje? Origjinë? E në qoftë e tillë, cilat janë ato tipare të cilat e trajtësojnë? Në qofshin gjuha e zakonet, një qytetar, pasardhësit e të cilit janë vendosur në vendin tonë shekuj të shkuar dhe jetesa në këtë vend e ka bërë të flasë shqip e të jetojë sipas zakoneve tona, a duhet të quhet shqiptar? E nëse ndihet e vetëquhet i tillë, a duhet të mos ndihet njëkohësisht edhe grek?

Akademia franceze e përkufizon kombin më 1694 si tërësinë e gjithë banorëve të të njëjtit shtet, të të njëjtit vend, e që përdorin të njëjtën gjuhë. Në mënyrë të ngjashme e përkufizonte edhe Syeis: një korpus njerëzish të bashkuar që jetojnë nën një ligj të përbashkët dhe që përfaqësohen nën të njëjtën legjislaturë.

Megjithatë, ka një dallim thelbësor mes nacionalizmit perëndimor dhe atij lindor, teksa të parët e shohin përkatësinë kombëtare pa një lidhje të fortë ndjenjash me të kaluarën historike, por si një çështje të aktualitetit, të dytët e shohin përkatësinë kombëtare si një zgjatim të së shkuarës historike, por që nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me realitetin përkatës. Madje Gellner, në “Nacionalizmi dhe modernia”, sfidon hapur nacionalizmin klasik, duke shkruar se është pikërisht nacionalizmi që krijon kombet dhe jo e kundërta. Mund të vijoja gjatë me citime, duke qenë se nacionalizmi është ndër të paktët -izma që ngjall kaq shumë debat. E përpos këtij debati në konkludim nuk dedukton asnjë përkufizim të qëndrueshëm të kombit.

Megjithatë, historia na tregon se në vende, si: Anglia, Franca, SHBA-të dhe Zvicra kombi kuptohet si një njësi politike qytetarësh, të barabartë përpara ligjit, në pavarësi të fesë apo racës. Ndërsa vende si Gjermania dhe Italia, i është mëshuar ndjenjës së përkatësisë kulturore dhe gjuhësore. Në vendin tonë kërkesa për identitet kombëtar përgjatë historisë ka qenë e ethshme dhe domosdoshme. Në kohën kur identiteti religjioz identifikohej me atë kombëtar, e të qenit ortodoks njësohej me të qenit grek, të qenit mysliman me të qenit turk, si edhe e të qenit katolik me të qenit italian, domosdoshmëria e të farkëtuarit të një identiteti që të shkonte përtej identitetit religjioz mund të realizohej vetëm nëpërmjet mëshimit dhe revokimit të së shkuarës dhe kulturës së përbashkët. Por në vendin tonë ishte identiteti kombëtar ai që i parapriu formimit të shtetit dhe që e mundësoi atë, ndaj nacionalizmi shqiptar nuk mund të konspektohet i shkëputur nga e kaluara.

Në pjesën më të madhe të vendeve perëndimore, kombi merr kuptimin e shtetit duke u çliruar nga konotacionet e etnike, çka do të zbehte dallimet që do të vinin prej fraksionaritetit të identiteteve etnike apo religjioze. Mendoj se është e domosdoshme që identiteti shtetëror të prevalojë ndaj atij kombëtar, pluraliteti i të fundit nuk ka përse të cenohet, sepse pluratiti i identiteteve kulture nuk ka përse të jetë përjashtimor, por duhet të pranohet e respektohet si një e vërtetë e padëmshme. Çtë keqe na paskërka në të ndjerin edhe kështu edhe ashtu? Çtë keqe na paskërka ti përkasësh si njërës dhe tjetrës kulturë?

Jemi në kohën kur kombësia nuk është elementi më përcaktues i një organizimi shtetëror. Shtetësia si element modern duhet të prevalojë. Jam e vetëdijshme se në Ballkan kombësia mbart të tjera ngjyrime, si rezultat edhe i së shkuarës sonë historike, ku formacione të caktuara shtetërore të përbëra nga kombësi të ndryshme dështuan, por historia gjithaq na ofron edhe shembuj të suksesshëm ku shtetësia e prevalon kombësinë.

Nuk duhet që nacionalizmi të konvertohet në një fe popullore, e gjithaq nuk duhet që kombi, etniciteti dhe shtetësia të konvertohen në një triadë, e cila do të tërheqë pas edhe shtetasit tanë. Diçka duhet pasur e qartë: rendi ndërkombëtar botëror ndahet në shtete dhe jo në popuj. E çdo përpjekje për të vendosur apo qartësuar përkatësitë kombëtare duhet nisur nga shteti vetëm me një qëllim të qartë, organizues.

Është e vërtetë që edhe në mjaft vende evropiane regjistrimi i popullsisë nuk bëhet në baza etnike, madje edhe kur Presidenti Sarkozy propozoi një gjë të tillë në Francë, me qëllim krejt pozitiv në substancë: integrimin e grupeve etnike. Reagimi qe i ashpër, duke qenë se mendohej se kjo do të mund të ndihmonte diskriminimin e këtyre grupeve.

Çështja e regjistrimit të popullsisë është mjaft e mprehtë. Por përse duhet ti druhemi kaq shumë? Nëse nga inspektimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë 72 qytetarë kanë ndërruar kombësinë me dokumente të falsifikuara, përse nuk ndalim të mendojmë përse është bërë?

A është e hijshme të dënosh si të turpshëm aktin e një të moshuari, i cili me një pension që nuk i mbulon as shpenzimet jetësore e jo më jetesën deklarohet si grek, për të përftuar një pension i cili mund ti sigurojë jetesën? A do të mundeshin nacionalistët tanë ti shpjegonin atij rëndësinë e identitetit kombëtar, në saje trajtesave të Gellnerit të Herderit apo Schleiermacher apo kujtdo qoftë, në kohën që ai është braktisur nga shteti, në të cilin jeton e punon?

Nëse shqiptarët duan të deklarojnë një tjetër kombësi, bazuar në dokumente të falsifikuara, më tepër se një shkelje ligjore përbën një dështim të shtetit tonë, që nuk mund të kujdeset për shtetasit e tij.

No comments:

Post a Comment