2011-03-25

Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli: Populli i Kosovës i do SHBA-të, NATO-n, shtetet e civilizuara dhe BE-në


Ai tha se do t’i rekomandojë të gjithë spektrit politik dhe shoqërisë civile që të përkrahin këto ide. Pacolli i bëri komentet pas kthimit nga vizitat e para zyrtare në Shqipëri dhe Maqedoni.

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se gjatë vizitave të tij në Shqipëri dhe Maqedoni, ka kërkuar që të ketë një bashkim kombëtar duke filluar nga ai ekonomik. “T’ia fillojmë nga bashkimi ekonomik, ne duhet t’ia fillojmë punës tani, jemi me vonesë, askush nuk do t’na falë. Pse territoret tona duhet të jenë të ndara. Pse ne duhet të kemi barriera me bashkëpunu mes veti, pse duhet të kemi diferenca. Duhet të krijojmë kushte të barabarta”, tha ai.
 Pacolli për bashkim kombëtar
Përveç bashkimit ekonomik, duhet të kemi edhe ligje të njëjta e tekste shkollore, tha presidenti Pacolli, kur dihet se synimi i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, është i njëjtë për në Bashkimin Evropian. Pacolli tha se idetë e tij për këtë bashkim duhet të përkrahen edhe nga të tjerët. Ai iu bëri thirrje politikës dhe shoqërisë civile, që të mbështesin idenë e tij të bashkimit kombëtar.

“Do t’u rekomandojë të gjithë spektrit politik, qeverisë, shoqërisë civile, njerëzve intelektualë, që të mbështesin idenë e bashkimit kombëtar, duke ia filluar prej veprimeve ekonomike.”

Në konferencën për shtyp, pyetjes rreth mosfunksionimit të pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit, presidenti Pacolli iu përgjigj duke thënë se barrierat duhet të hiqen për të mos penguar lëvizjen e lirë.

Presidenti Pacolli tha se gjatë vizitave të tij në Shqipëri dhe Maqedoni, ka folur shumë edhe për imazhin e dëmtuar të Kosovës, nga Dik Marti. Ai tha se ka promovuar ide përmes të cilave do të përmirësohej imazhi i Kosovës.

* * * * * *

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli foli sot në një konferencë për media lidhur me vizitat zyrtare në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë, si dhe për një varg çështjesh të tjetra.

KONFERENCË PËR MEDIA E PRESIDENTIT BEHGJET PACOLLI

"Nuk isha këtu në 12 vjetorin e datës kur filluan bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe, prandaj nuk mund t’ia filloj kësaj bashkëbisede me ju nëse këtë nuk e përmendi. NATO në krye me SHBA-në dhe shtetet perëndimore, gjegjësisht bashkësinë evropiane, shpëtuan popullin shqiptar të Kosovës nga zhdukja. Mirënjohja jonë për NATO-n është, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkësinë Evropiane, ata kanë qenë, janë dhe do të mbeten miq të Kosovës dhe të popullit të Kosovës.

Çdo kush që donë ta refuzoj këtë, që fillon t’i urrej këta, që donë ta ulë vlerën ndaj tyre, nuk e ka mirë, prandaj disa tendenca refuzuese të tyre nuk kanë vend në shoqërinë kosovare. Populli i Kosovës i do Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), e do NATO-n, i do shtetet e civilizuara, e do Bashkimin Evropian (BE), sepse janë ato vende që e lidhin ideologjikisht synimin tonë. Ne synojmë të jemi një vend demokratik dhe aty është adresa jonë e qëlluar, prandaj ne me miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkësinë Evropiane, me NATO-n, do të rrugëtojmë përpara dhe do t’i krijojmë vetes një perspektivë të drejtë ekonomike, demokratike dhe në të gjitha aspektet që shkojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, për çka shoqëria kosovare ka nevojë tani.

Unë isha në Shqipëri, unë isha në Maqedoni. Ishin dy vizitat e mia në funksion të presidentit të Kosovës, ishin vizita sigurisht emocionuese, por edhe njëkohësisht ishin vizita që dëshmuan shtetësinë e Kosovës dhe institucioneve të Kosovës.

Në Shqipëri u takova me të gjithë krerët e shtetit, u takova me Presidentin, Shkëlqesinë e tij, Bamir Topi, u takova me kryetaren e parlamentit znj. Jozefina Topalli, u takova me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, u takova edhe me kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama, që njëherit është edhe kryesuesi i bllokut opozitar, u takova edhe me krerët e partive tjera parlamentare. Çdo kund ku unë isha unë e kisha një ide, analiza, procesi i analizës i kombit shqiptar ka qenë, është e kaluar. Tani duhet t’i kthehemi sintezës, duhet t’i kthehemi bashkimit kombëtar. Cili është ai bashkim kombëtar. Ju e dini mirë se mbas viteve 47, atëherë kur u formua e ashtuquajtura Bashkësia Evropiane së pari ishin tri shtete, pesë e sot janë njëzet e shtatë shtete. Askush nuk besonte se njëherë do të bëhej një fuqi e përbashkët edhe politike. Duhet t’ia fillojmë prej kësaj ideje. Ka pasur të drejtë Arbër Xhaferi, i cili i quante territoret të banuara me shqiptarë si “komenvellt shqiptar”. Jam shumë i bindur se e ka pasur me të drejtë dhe ne e mbështesim në këtë thënie, këtë ide dhe duhet ta jetësojmë këtë ide. Bashkimi kombëtar, t’ia fillojmë prej bashkimit ekonomik, ne duhet t’ia fillojmë punës tani, jemi në vonesë dhe askush nuk do të na e falë.

Pse ne duhet të kemi barriera në bashkëpunim mes veti, pse duhet të kemi diferenca, pse duhet të kemi kushte, pse të kushtëzohemi në punën tonë në Shqipëri, gjegjësisht shqiptarët nga Shqipëria të kushtëzohen këtu në Kosovë. Duhet të krijojmë kushte të barabarta, duhet të krijojmë hapësirë të barabartë, lëvizje të lirë të mallrave po pse jo edhe të ideve, pse ne të mos kemi tekste të njëjta shkollore, pse ligjvënësit tanë të bëjnë ligje të ndryshme në Shqipëri dhe të ndryshme këtu në Kosovë kur ne e flasim të njëjtën gjuhë, jemi të njëjtë, ia dimë hallet njëri-tjetrit dhe mënyra e mendimit është e njëjtë, synimet tona janë të njëjta, mirëqenia çdo kund evidentohet, synimi ynë drejt shtëpisë së madhe euroatlantike është i qartë si për shqiptarët në Shqipëri ashtu edhe për ne, por edhe për bashkëkombësit tanë në Maqedoni, në Serbinë Jugore dhe ata në Mal të Zi.

Prandaj, çdo gjë që unë dua të shtyj, unë jam president i Kosovës, unë mund të konsultohem, të propozoj, të promovoj ide, mirëpo janë të tjerët të cilët duhet të mbështesin këtë ide. Do të ishte e drejtë, do t’u rekomandoj të gjithë spektrit politik, qeverisë, shoqërisë civile, njerëzve intelektualë që të mbështesin idenë e bashkimit kombëtar, duke ia filluar prej veprimeve ekonomike. Këto janë edhe kushtet të cilat i ka paravënë Bashkësia Evropiane, këto janë kërkesat e Bashkësisë Evropiane që kërkojnë nga ne. Edhe sot gjatë një bisede të gjatë që kisha me ministrin e punëve të Jashtme të Austrisë, folëm se një veprim duhet të shihet këtu në vend, çdo e mirë dhe çdo e keqe e ka burimin e vet në Kosovë, jo diku tjetër. Informatat e këqija, po e quaj ashtu, që merren nga Kosova, ato vetëm shkojnë, ripaketohen, u jepet një formë dhe kthehen në Kosovë, do të thotë çdo gjë e ka burimin e vet, por edhe puna e mirë e ka burimin e vet dhe askund tjetër, këtu në Kosovë, në Shqipëri dhe në trojet tona.

Prandaj, unë kudo që isha kërkova fillimin e punës, sigurisht edhe eksponimi im para ligjvënësve të Shqipërisë ishte shumë emocional, sa e hetova, ai u pëlqye nga të dyja palët edhe nga pozita edhe nga opozita dhe ishte një rast i rrallë kur të dy palët edhe opozita dhe pozita ishin ulur së bashku dhe kjo më gëzoi shumë. Do të dëshiroja që këso situatash të përsëriten gjithnjë në Parlamentin e Shqipërisë se ato sigurisht do të shërbejnë si shembull shumë i mirë edhe për parlamentet e rajonit, e sidomos parlamentet e shqiptarëve aty ku jetojnë shqiptarët.

Pos kësaj unë kisha një takim edhe me Universitetin Evropian të Tiranës, unë aty pash se mes profesorëve të këtij universiteti ishin edhe akademikë të lartë, ishin ish gjykatës të Shqipërisë, ishin ish ambasadorë, ishte ish ambasadori në Angli, ishte ish ambasadori në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kështu që ishte një staf jashtëzakonisht i lartë, po edhe pak a shumë i famshëm akademik. Kisha një bashkëbisedim me studentët atje dhe normalisht mua m’u dha një mirënjohje nga ky universitet, gjë që e respektoj jashtëzakonisht.

Unë gjatë vizitës time në Shqipëri, i bëra një vizitë edhe Mbretit të parë të shqiptarëve, vizitova edhe Baba Reshat Bardhin, ishte një koincidencë, ishte dita e bektashinjve, ishte Festa e Sulltan Nevruzit, festa më e madhe e Bashkësisë së Bektashinjve, të cilët janë pjesë e konfesionit, pjesë e kulturës së shqiptarëve dhe e pashë shumë të drejtë që t’i vizitojë ata.

Gjatë vizitës time në Tiranë, unë vizitova edhe Bashkinë e Tiranës, ku Edi Rama e komplementova për punën e mirë që ka bërë dhe është duke bërë në qytetin e Tiranës dhe sinqerisht do të doja shumë që edhe për të tjerët të shërbejë Tirana si shembull i mirë, si duhet të zhvillohet një punë urbanistike e një kryeqyteti shqiptar.

Unë u ktheva në Kosovë dhe para dy ditësh fillova vizitën time në Maqedoni, ku isha i pritur prej Presidentit Ivanov me të gjitha atributet që pritet një burrë shteti dhe protokolli është implementuar pikë për pikë, që nga kufiri edhe deri të përcjellja në kufi.

Unë pata rastin të bisedoj me z. Ivanov, gjatë takimeve që patëm tri herë me radhë, po ashtu, për krijimin e një hapësire shumë të gjerë, të favorshme për bizneset e rajonit, duke pasur parasysh se ne kemi një proporcion jashtëzakonisht të dëmshëm për Kosovën, në dëm të Kosovës, në favor të Maqedonisë, të shkëmbimit të mallrave një me njëzet. Maqedonia eksporton në Kosovë, gjegjësisht Kosova importon nga Maqedonia mbi 460 milion euro, kurse eksporton vetëm rreth 24 – 26 milionë. Tërë kohën ishte preokupimi im, ishte në qendër të vëmendjes si të krijohen kushte më të favorshme edhe për produktet e Kosovës atje duke pasur parasysh se kishte pasur probleme edhe në akceptimin e certifikatave të origjinës së mallit, po ashtu edhe në akceptimin e dokumentacionit i cili i përcjell mallrat kosovare.

Unë insistova gjithsesi që të hapen pika të reja doganore, për arsye se të vish prej një pjese verilindore të Maqedonisë, të vish, për shembull, në Anamoravë, duhet të kalosh 3-4 orë rrugë dhe është mënyra më praktike që të hapet një pikë kufitare diku atje në Karadak dhe t’i mundësohet edhe asaj ane të lëviz lirshëm në Kosovë, gjegjësisht prej Kosove në Maqedoni. Kjo pikë doganore është formalizuar dhe do të bëhet shumë shpejt. Kërkova po ashtu shpejtimin e të gjitha veprimeve në mënyrë që të fillojë dhe të rindërtohet rruga Tetovë-Sharr, e cila do të mundësonte po ashtu lëvizjen e asaj ane gjegjësisht lëvizjen nga Kosova në atë anë.

Unë u takova edhe me kryetarin e Parlamentit, e pashë se ekziston një atmosferë shumë e favorshme e bashkëpunimit parlamentar me Parlamentin e Kosovës. Ata në Shkup kanë formuar një komision të posaçëm që do t’i mbante marrëdhëniet e mira parlamentare me Parlamentin e Kosovës.

Dhe, krejt në fund, unë pata takime edhe me qarqet qeveritare, isha me dy zëvendëskryeministra dhe me tre ministra. Ne patëm në Shkup dje edhe një forum të biznesit që unë e kërkoja atë dhe pjesëmarrja ishte e madhe, ishin shumë biznesmenë të Kosovës që kishin ardhur enkas për këtë forum, po ashtu edhe të Maqedonisë. Interesi ishte jashtëzakonisht i madh. Unë porosita edhe bashkëfolësit që të nënvizojnë rëndësinë e CEFT-ës për ne dhe gjithmonë të kemi ndërmend liberalizimin e lëvizjes dhe mallrave, por pse jo edhe ideve. Unë jam mbështetës, ithtar shumë i madh i unifikimit të logjistikave dhe dokumentacionit çdo kund ku jetojnë shqiptarët.

Unë pata takime të veçanta edhe me krerët e partive të koalicionit gjegjësisht opozitare të spektrit politik shqiptar, ku biseduam dhe theksuam se çdo parti ka manifestin e vet dhe duhet atë ta promovojë, është detyrë demokratike, por në pyetjet kryesore kur është në pyetje mirëqenia gjegjësisht prosperiteti i pjesëtarëve të kombit shqiptar, i porosita të gjithë që të jenë unikë. Unë besoj se uniteti është i kuptueshëm edhe në Maqedoni dhe ata do të jenë në të ardhmen shumë më unikë.

Unë në Shkup vizitova edhe një spital i cili duam a nuk duam mbi 60 për qind i kishte pacientët nga Kosova, të cilët paguajnë shuma shumë të mëdha për shërim, por ai spital sigurisht ishte edhe një shembull shumë i mirë si duhet të trajtohen pacientët dhe do të doja shumë që diçka e tillë të lindë edhe në Kosovë. Unë me bashkëpronarët që ishin nga Republika e Turqisë bisedova dhe javën që vjen ata do të vijnë këtu dhe me mua do të bisedojnë dhe jam i bindur që Kosova do të ketë mundësi t’u ofrojë mundësi logjistike që ata të fillojnë një spital të tillë edhe në Kosovë.

Unë dje pasdite udhëtova në Tetovë, u takova me Kryebashkiakun e Tetovës unë vizitova edhe një ndërmarrje ekonomike “Renova” që është për t’u lavdëruar. Unë u takova edhe me kryekrerët e kompanisë “Ekolog”. I njoh se janë jashtëzakonisht të suksesshëm dhe shumë familje edhe nga Kosova kanë mirëqenien e tyre ose marrin pagat prej kësaj firme që është jashtëzakonisht dinamike.

U takova edhe me krerët e Bashkësisë Islame po edhe me krerët e Bektashinjve, ata kishin një problem mes veti për ndarjen e disa objekteve atje dhe disi e mora përsipër edhe një ndërmjetësim që unë sigurisht do të ndërmjetësoj në të ardhmen, nuk duhet të ketë konflikt në mes tyre.

Unë çdo kund kam folur për imazhin e Kosovës, i dëmtuar shumë prej të ashtuquajturit Raport i Dik Martit, raport ky që është i rrejshëm, raport ky që kush i ka besuar nuk ka të drejtë t’i besojë dhe kam promovuar idenë që në mënyrë të mençur, në mënyrë të urtë t’i kundërvihemi çdo efekti të këtij raporti", tha presidenti Pacolli.

No comments:

Post a Comment