2011-03-31

Pro et contra përgjegjësisë politike

Ymer Halimi

nga Ymer Halimi


1

Përgjegjësia e te parit, ne politikë, është e pashmangshme
Kërkesa për “qeveri me duar te pastra” është jetike në këtë kohë, por duart e pastra ne politikë nuk përfaqësojnë edhe ndërgjegjeje te pastër e cila është thelbësia e një politikani apo politike te mirëfilltë demokratike. Ndërgjegjja është implicite, por shtysë i veprimit te kujt do qoftë qe është e ndarë nga duar te pastra?! Ata që kanë duart e papastra mund ta kenë ndërgjegjen e pastër për shkallën e vetëdijes, sepse zbatojnë urdhër, në hierarki, te atyre që u duken duart e pastra, por që kanë ndërgjegjeje te papastër. Prandaj, do te ishte mirë që kërkese “për duar te pastra” te qeverisë, karshi disa proceseve që janë e po zhvillohen ne Republikën e Kosovës, tash e sa vite, te kërkohet edhe “ndërgjegjeje te pastër”?!


Papastërtia ne politikë, te ne, ka zanafillë më të hershme. Si do që të jetë, papastërtinë e pushtetarëve tanë e ka kontaminuar ne masë edhe “perëndimi”. Sepse, për qëllime të caktuara, sipas nevojës se tyre, kanë stimuluar procese e individ që tash veç janë bërë pengese për procese demokratike.

Shtrohet pyetja: ç’fare do te ndodhte po te pastroheshin listat e kandidatëve para zgjedhjeve e jo siç aludohet tash?!. Rezultati i zgjedhjeve do te ishte tjetër. Prurjet elektorale te të përfolurve për ca parti janë te pakontestueshme. Prandaj ky është edhe një veprimi i qëllimshëm. Atëherë si te mos pranohen edhe individ fitues te procesit zgjedhor?! Mos “pranimi” apo “sugjerimi” për te mos i pranuar rezultate për individ është kundërshtues me “normën demokratike”, karshi papastërtisë se zgjedhjeve. Feith dhe Dell, për të mos lejuar veprim te dyfishtë, atëherë shpalosni argumentet, mos hezitoni, po që së i keni, për ndryshe sugjerimi i juaj merret se është qëllimi për të eliminuar dike politikisht. Nuk është një ministër ne dorëheqje, por disa, e që kanë duar e ndërgjegjeje te papastër, ndoshta edhe më shumë se ai që sulmohet haptazi.

Loja me rregulla te dyfishtë, tash e sa kohë në Kosovë stimulohet. Stimulohen parti politike a politikan te “kontaminuar nga korrupsioni” kjo po shihet tepër çartë. T’ua kujtoj qe një parti u akuzua për jo demokraci, qe nuk deshi te simuloj demokraci me nënshkrime fals. Por, dëshmoj demokraci me veprim duke denoncuar saktë e me guxim në procesin zgjedhore për ç’rregullsitë që ishin me 12 dhjetor 2010. Degjenerimi i procesit zgjedhor zë fillin ne zgjedhjet e 2007. I gëlltitem! Por më pastaj prodhoj hapësirë me bakteriologji politike, brenda dhe jashtë partive politike, që po e zë frymëmarrjen e njerëzve dhe proceseve demokratike të shtetit. Sëmundja që mëshifet, e nuk shërohet më pastaj bëhet tmerruese. Kjo ndodhi me procesin e zgjedhjeve te ne. Atëbotë u heshtë edhe nga perëndimoret.

Gjasat ishin që edhe kësaj radhe kjo te gëlltitej, po te mos ishte ajo parti ne garën zgjedhore!?



Për te gjithë ky proces zgjedhor, i 12 dhjetorit, është “tepër i lënduar”. Është ky lëndim moral për Kosovën qe u pranua nga te gjithë përveç disa individëve te partisë që doli e para. Ky proces është pa fitues. Duhet të pranohet se edhe në rivotim ndodhi shkallë e manipulimeve që tregon se ne procese zgjedhore në Kosovë nuk do të këtë pastërti me këto rregulla te shkruara. Prandaj edhe perëndimi do t’i pranoi. Kuvendi edhe Qeveria do te bëhen, por do të jenë me hipotekën e votës së vjedhur.

Atëherë, Qeveria me shkallë besueshmërie që fitoi a është “legjitime” për te përballuar privatizimin, proceset politike për veriun e reformat e nevojshme demokratike? “Po”, se në Kosovë qe moti hajnia është zyrtarizuar e populli nuk voton, por votojnë Komisionarët. Kryesorja, këta pushtetar duhet mbijetua me votë të vjedhura, me përulje para te të tjerëve, a me dëmtimin e funksionit te shtetit. S’ka rëndësi si, se pushtetarët tanë s’kanë kujt për ti dhënë përgjegjësi?!. Janë në fazën e “puberitetit politik”,që vështirë gjykojnë për politikën reale e përgjegjësinë politike. Nga kësi pushtetarësh tash e dhjetë vite, te pozitës dhe opozitës, në paq, erdhën ca fatkeqësi për Kosovën: Pakoja e Athisarit, gjashtë pikshi i Ban ki Munit, bisedimet qe priten me serbin, vonesa ne integrimet evropiane, moszhvillimi ekonomik, privatizimi i dështuar, jeta e rënduar e njerëzve të Kosovës, zanzibari rënia e presidentit, zgjedhjet e parakohshme. Pavaresia ka qene e pashmangshme por jo me kaq kosto!

Te kujtojmë mendimin e Weberit, “përgjegjësia e te parit ne politikë është e pashmangshme”. Vërtet jetojmë në epokën e mendimit te Weberit, por shkak i papërgjegjësisë te parit ne politikë, çdo ditë, e ku do, po ulet prestigji i shtetit.


Prishtinë, 01.02.2011


2

Riciklimi i qeverisjes që zgjon frikë

nga Ymer Halimi më 2011-03-24 në orën 11:03.MD
Ne politikë njihen qëndrimet politike që   nuk janë të  drejta, si në këtë rast, pranimi i rezultateve te zgjedhjeve, por, që në  një  situatë  të  një  krize politike është  më  pragmatike dhe më  e arsyeshme të  pranohen si një  zgjidhje kalimtare. Një  veprim i këtillë  arsyetohet me faktin se vakum institucional, që  përshkallëzonte këtë  krizë  politike dhe institucionale edhe më  tej, po kaq me rëndësi sot ishte që  zgjedhjet e ardhshme të mos bëhen me këtë ligj zgjedhor.  Trumbetimi i tyre i pandërprerë, “si gjithçka ishte në rregull”, s’është  asgjë tjetër pos një  përpjekje për “pastrim emocional” për gjendjen që  e kemi të  mbushur me plot  dramacitet e ankth, për shumëçka, veçmas me varfëri, pa perspektivë  e brezit te ri. Po kaq synohet të  kamuflohet një  proces politik, çfarë janë  bisedimet me Serbinë, ku këto bisedime trumbetohen si  faktor i pashmangshëm te funksionimit i shtetit te Kosovës!
***
Frojdi te psikanaliza sqaron se dëshirat ambicioze, dhe në një nëngrup i ndanë dëshirat egoiste dhe ambicioze të  ngritjeve personale. Por, njëkohësisht, sugjeron qe ne hulumtime, po ke “fije të argumentit”, mbaje se te shpie te “përfundimi”. Sot, ne skenën tonë dëshirat egoiste dhe ambiciet për ngritje personale politike e partiake, duken te shprehura tej mase, krahas ambicieve te qeverisjes se mirë te shtetit.
                Prandaj shtrohet pyetja: a ka komoditetin politik Kosova që të  mbetet me ngërçe e vakum institucional, siç u bë e siç u kërkua edhe siç mund te ndodhë? Assesi! Kjo më se paku na nevojitet. Ngërçi institucional  ishte produkt e nevojë e akterëve të  skenës sonë politike si Sejdiu, Thaqi,  dhe Pacolli. E gjithë  kjo krizë  ishte rrjedhojë  e “shkurorëzimit” të  çiftit qeveritar të  koalicionit që  u bë  me inat, duke parë vetveten e jo proceset politike të  shtetit. Njëri deshi ta kthejë  pushtetin e humbur, e tjetri ta vazhdojë  mandatin, t’i eliminoj kundërshtaret partiak e te konsolidojë  radhët e veta.  I pari  humbjen e kishte pa alternativë (shkak i gabimeve evidente), tjetri e kishte alternativen e veprimit, atë të Zanzibarit dhe trafikun e votave përmes komisionarëve e komisioneve zgjedhore, duke i i eliminuar edhe kundërshtarët partiakë . Por, ca te dëgjueshmit, besnikë të  linjës së  tij fraksioniste, përkundër zhytjes në  korrupsion deri në fyt, i shpërbleu me poste. I treti, e kreu detyrën e dhënë:  mocionin për ‘rrëzimin e vullnetshëm’, përkatësisht vetë rrëzimin e qeverisë, dhe e priti çastin të  bëhet kryetar shteti. Prandaj, “gjërat nuk janë të  rastit”. E gjitha tregon se këta politikane kryesisht e bëjnë politikë  për mbijetesën e tyre politike, e jo për interesin madhor. Dhe përfundimisht, kjo kohë krijoi pakënaqësi politike afatgjate dhe ngrit shqetësime mbi të  ardhmën e këtij procesi politik.
Pacolli u be kryetar shteti, i pa pranueshëm për shumëçka, por ai në  fakt është  vetëm një  produkt i PDK-së, po, nga anë tjetër, edhe falë  edhe kryeneçësisë së AAK-së . Por,  shumëkush pret nga ai te jetë  mbase më i dobishëm se ç’ mendohet (?!). Sigurisht që  do të  bëjë  përpjekje për ta shpërlarë  veten nga deklarimet e veprimet politikisht të  pamatura (!). Së  paku shpresohet se nuk do ta fusë  dorën lehtë n’arkën e shtetit, si paraardhësit. Dhe fundi i fundit, Kryetar e Republikës është post, më tepër, protokollar e honorifik se sa politikbërës.
 U zgjodh edhe Qeveria. Ngërçi  institucional “përfundoi”(!?). Kryeministri i djeshëm edhe sot kryeministër. Lavdëroi qeverinë : “... më e mirë që  ndonjë herë ka pasë  Kosova”. Çfarë  krahasoi dhe kë  me kënd!? Vetë veten me veten, apo me qeveritë e cilës kohë! Kush janë në përbërjen e kësaj qeverie me kaq nam? Saktë, aty ka edhe individë  të  përkushtuar që  punën do e bëjnë mirë. Por, kjo qeveri është produkt i zgjedhjeve ‘ç’fare ishin...’, dhe  një koalicion i ambicieve përtej ambicieve, bile edhe fetare (!). Por, me faktin se koalicioni mbetet pakicë e shumicës se shumicës së popullit ne Kosovës, është brengosëse. Koalicioni i ka numrat e demokracisë formale, por gjithherë kjo nuk është e mjaftueshme! Ky izolim i brendshëm qe iu bë  partisë fituese, po ndodh shkak të  principeve jo parimore me te cilat u udhëheq partinë  vetë  i pari i saj. Qeveria e sajuar si rezultat i rrethanave shihet si qeveri me ‘këmbë të qelqit’!  Por, u tha qe ‘është më e mira’ dhe vërtet e dëshirojmë, se,  e para dhe më e rëndësishmja është qe Kosova te udhëhiqet mirë nga kushdo që   të  udhëhiqet! Por,a është më e mira?
Te lëvizim sipas “argumentit” të Frojdit, për të kuptuar a është “më e mira”. Së  pari, krahasimi me qeveritë e Autonomisë do te ishte e pakuptimtë për shumëçka. Por, një është e saktë, autonomistet u nisën nga një gjendje analfabetizmi 98% dhe arritën deri te Akademia. Emrat e shkencës, artit dhe kulturës i kaluan kufijtë e Ballkanit. Në rrethana të vështira u ruajt substanca e kombit. Dhe ishin hapur ne mbështetje te luftës së UÇK-se. Politikisht vepruan në kohen kur bota ishte e kërcënuar nga lufta e ftohet, me Mur të  Berlinit si metaforë  të  kë saj gjendjeje. Më pastaj erdhi Qeveria e “Bukoshit”, e cila nuk ishte strukturuar. Edhe ai vetë  politikisht s’ishte strukturuar, përveç shprehjeve ‘vulgare patriotike’ që koha i përpinte lehtë. E bënë “hero” për meritën se dikush ia paska qitë  thesin në kokë. Populli e mbijetoi ketë kohë me energjinë e vete latente. Bukoshi angazhoi në luftë “forcën e vete autonome brenda UCK-se”, që ishte politikisht e ushtarakisht e papranueshme dhe shumë njerëzve ky fërkim u kushtoi me jetë. Më  pastaj, në  Rambuje  merret vendimi për Qeveri të  Përkohshme, Bukoshi e sabotoi. Thaqi ishte tepër i papërvojë, lëvizi politikisht me teorinë e mohimit. Po edhe Qeveria e Përkohshme dështoi. Por, kundërshtarët e bindjeve te kundërta, dje, po edhe sot(!), qe nuk i bashkoi vështirësia më e rëndë  në  historinë  e kombit, hanë më një lugë!? Mos këtu është theksi i te “mirës” që  të  tjerë nuk po e kuptuekan?!. Kjo gjendje nuk është  gjë  tjetër pos një  riciklim që  zgjon friken, jo me pak arsye.
Qeveria e parë  e dalë nga vota lirë në  Kosovën e lirë e udhëhoqi PDK-ja. Kryeministër ishte doktori moralist, por që në “dorë” i pëlciti demonstrata e 17 Marsit ‘04, pasojat e të cilit janë eksteritorialiteti i kishave dhe decentralizimi. Ajo kohe ishte, kur liderët e Partive treguan se interesi personal e partiak ishte më i lartë sa interesi kombëtar. Ishte kohë e artë  për të vepruar për forcimin e shtetit, por kohë që  doli se është  e humbur. Historia, gjakftohte, këtë do t’ia faturojë  si hise edhe të vete Kryeministrit aktual.
Po, sa ia vlen, krahasimi me qeverisjen Haradinaj? Tre muaj qeverisjeje me një  fillim mjaft të  mirë. Akti i pavarësisë do të  bëhej në vazhdim të  qeverisjes Çeku dhe te gjitha përgatitjet juridikisht ishin të  gatshme. U zhvendos se fërkimet politike të  brendshme do ishin te paparashikueshme. Kryeministri, ushtarak, bëri gafe. Simuloi nënshkrim me më te dëshmuarit, me pjesë historie dhe pse...? Në  shtete demokratike, përkundër ca te mirave nga e kaluara e tij,do të  shpresohej se më nuk do ta fuste dorën ne qeverisja. Tashmë është ministër! Çka do të thotë kjo: kryeministrat e djeshëm vrapojnë të bëhen ministër sot?! Nuk kuptohet lehtë!! Ku është kodi politik e moral? Mund te thuhet nuk ka gjë  të  keqe, por kjo nuk është praktika e ndërrimeve politik pozitive. Prandaj, qeveria ka riciklim te politikanëve, ka mentalitet te djeshëm, pa vizion.
Qeverisja e mandati që shkoi, hiq aktin e pavarësisë, doli për shumëçka me e degraduar se paraardhëset. Kështu e vlerësuan ata që i vlerësojnë dhe radhisin edhe shtetet e tjera. Kjo s’do koment! U ngritën disa dikastere të  reja të  shtetit, që  koha i kërkoi, por jo pa nepotizëm.
Po, qeveria aktuale a mund te jetë ndryshe nga ç’ishte e djeshmja? Sa shihet, nuk ka vendosmëri e as vizion të  mjaftueshëm. U bë  qeveri me ministri për t’i kënaqur individë te caktuar. Toleroi veprimin te qëllimshëm të  një ministri “adoleshent”, i cili për shkak te bindjeve personale,të  heqë  fotografitë e nënë Terezës, personalitet që  është  shembull moral për njerëzimin. Të  njëjtin veprimi e beri edhe me fotografinë   Rugovës, qe ishte Kryetar i parë   i shtetit, i çmuar edhe nga shumë burrështetas, po edhe nga vete kryeministri . Ky ministër me sindromë të  dorës ngatërrestare po e provon shtegun e rrezikshëm(!). Në Qeveri të  përgjegjshme as një orë më s’do te ishte ministër!
Më pastaj, qasja dhe disnivelet e funksioneve te bisedimeve me Serbinë janë shqetësuese!
Derisa kombet e arrira i masin ndryshimet e arritjeve te vetja me orë, ditë e javë, politikanet tanë i masin me kalim vitesh. Kombet e konsoliduara kursin e politikës kombëtare nuk e ndryshojnë për asgjë. Te ne po lëvizet në  politika ditore. Ndihen mirë kur bëjnë riciklime politikanësh e politika te frikshme! Thënë  më  saktë,  qeverisja e Kosovës nga viti ne vit, për shumë çka, ka degraduar. Imazhi i shtetit te ri ka rënë tej mase. Jeta çdo ditë e më shumë po rendohet. Përgjegjësia ishte edhe bie mbi politikanet e kësaj qeverie.
 Prandaj, pritet ‘e mirë’ qeverisja, aty, kur rotacioni politikanëve është bërë në vijë te vertikales politike me politikanë  me vizion te s’ ardhmes, e profesionist. Ky është parimi demokracisë, e jo, me rotacione horizontale dhe riciklime te politikaneve te decenieve t’ikura dhe adoleshent. 
Vërtet Kryeministri si vepron, si frikshëm, qeveria për shumë çka te zgjon friken!?


3

Sot, saktë, legjitimiteti i pushtetit ne te dy shtete është, plotësisht arsyeshëm, i kontestueshëm

nga Ymer Halimi më 2011-03-24 në orën 11:10.MD

Sot, saktë,  legjitimiteti i pushtetit ne te dy shtete është, plotësisht arsyeshëm, i kontestueshëm
Me kujtohet, saktë, besoj edhe dikujt tjetër, kohë e kohë më para kur në garë për kandidaturë për kryetar të SHBA-se brenda nga radhët e Demokratëve ishte edhe kandidati Dukakis. Ai ne një çast ishte, i papërmbajtur, u pa në ndej ne një hotel buzë Pacifikut me një zonjë nga arti i shtat,  derisa  skajin tjetër buzë Atlantikut e kishte zonjën me fëmijët. Dikush e fotografoj dhe shprehu habinë, pse ai është pa zonjën e vetë këtu!? Pse!?... Shkak i një presioni publik per një veprim te tillë, vetëm ditë më pas u tërhoq nga gara ne radhën e demokrateve për kryetar te SHBA-së. Ishte lëshim, shkelje etike ky veprim për politikanin Po ashtu kohë më vonë kur Klintoni  propozohej  për kandidat për kryetar të SHBA-së, për një mungesë  qartësie ca mujore në biografin e tij, nominimi  për ca ditë u vonua. Pse? Se e kulluar duhet të jetë biografia e individit si fytyrë politikë e përfaqësimit publik. Po edhe kjo si e tillë është relative(për dike) , por  është një principi i shumë vendeve që janë të suksesshëm te funksionimi i shtetit. Mbi këtë parim edhe koha e Aristotelit angazhohej.


Po ç’far njohim ne, te biografit e prijësve tonë politik, kudo te shqiptarët?!  E kaluar e tyre është një e panjohura në shumë rrafshe te jetës. Për shume çka janë si “kutia e zezë e Toshibos”. E etika e  tyre e pa perceptuar? Prandaj, cili është filtri ynë etik për politikanet? Thjesht  ky filtër për ne shqiptaret, kudo qe jemi,  s’na hynë në punë fare!
Shi për këtë, kudo te shqiptare ambienti politike është i mbushur me veprime e shprehje që shumë pak kanë të bëjnë me politikë. Konfrontimet pozitë-opozitë  ngritën mi bazën e lakmisë politike për karrige pushteti e jo përpjekje për të argumentuar përparësitë e vizioneve politike. Kjo lakmi pushteti ke shtanguar Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin zyrtar te shqiptarëve. E gjitha del  se u përzgjodhën te guximshmit e jo politikanet me virtyt e vizion. Te tillët e kanë kryeneçësinë , ekskluzivitetin, mosdurimin e kundërshtarit. Thjeshtë nuk kanë as qëndrime e as parime politike. Pa droje ecin mbi vuajtjen e të tjerëve dhe e shohin cakun e vetës dhe grupit të vete te interesit, por jo edhe cakun e të gjithëve. Nuk i ruhen te keqes fare, se atë e kanë normë mbijetese. Ndërsa, lakminë e përvetësimit  e ndjejnë për krenari.
 Le te mbetet te sqarojmë, ne një masë, këtë që shkrova. Kryetari i njërit shtet shqiptar /Prishtinë/, me vetëdije punoi mbi shkeljen e Kushtetutës se shtetit. Me pastaj lejoi heqjen e emrit te shkollës se fshatit te tij,  qe mbante emrin e një heroi kombëtar,  për t’ia ven emrin e gjyshit  te vet qe ishte, sa duket, një bujk i vyer, por tash i rëndësishëm(!): gjysh i kryetarit.  Me kaq, për mos i numëruar diç tjetër! Cila është etike politik e virtyt njerëzor te ky politikan?! Saktë i papërgjegjshëm!

Ne anën tjetër, kërkesa me çdo kusht e me çdo çmim, për fitore ne zgjedhjet  e dhjetorit e Kryeministrit te Kosovë, beri qe ne vendlindjen e vetë, herën e fundit, arrin te “motivoj” (komisionarët partiak) për mbushje te kutive te votimit  me votë te vdekurve e te gjallëve si  rezultat, normalitet  për libër Ginisi!  Kjo formë e arritjes ne pushtet është brengosëse dhe çmim shumë i lartë qe po e paguan Kosova. Ka guximin, por virtytin dhe vizionin politik a e ka?!

Me pastaj, ne Tiranë , kërkesa publike /e çmendur/ e “heqjes se kokës” së kundërshtarit politik, si kërkesë zgjedhore për elektorat, e një shkodraneje, jo qe nuk ndëshkohet me votë, por më pastaj arrin  te bëhet kryekuvendare në Kuvend te shtetit. Urrejtje aç e theksuar s’mbeti jashtë Kuvendi. Edhe seancën pas 21 Janarit e filloi nga dhembja për të lënduarit e më pastaj i ra ndërmend për ata qe u vranë. Kjo nuk i takon  as politikës e as njerëzores! Ka guximin e kryeneçësinë, por vizionin dhe etiken politik?! Fatkeqësisht, ne Kuvend  kundërshtarët politik arrijnë të bëhen tamam armiq. E trishtueshme! Fjalori i Kryeministrit, n’atë Kuvend, kulmon me përmbajtje rrugaçërie, fyes për te gjithë shqiptaret kudo që janë. Nxitës! I papërmbajtur. Pa droje ngritë tensione me pasoja afat gjate. Por, ai shpalosi te “panjohurën” nga biografia e tij, se si është mik shtëpie me D. Fazliqin, një serb te krimit. E pastaj rrëfen se si i ka shalua, dikur ne rini, kuajt ne fshatin e vetë. Sugjeron, se do t’i shaloj kundërshtarët, Kuvendin e shtetin (!)  Ky eshte  fjalor politik?! Jo! Kjo miqësi, s’ka te bëjë  fare për favore te shtetit, por...?! Tani lehtë kuptohen lëshimet e pandërprera qe i beri ne, emër te “demokracisë” ndaj fqinjëve, Grek, sllavo maqedon e serb, duke dëmtuar substancën politike te shtetit. Lëshime te tilla, ne dem te interesit te kombit, bënë edhe politikanet kosovarë ne Vjenë.
Nga ana tjetër shfaqet  kryeneçësia e kryeopozitare /Tiranë/, deri në shkatërrim e të gjithave, si luftë kryqëzate për hakmarrje, shkak i humbjes në garë zgjedhore. E mendojnë se humben nga hajnia e komisionarëve apo e tradhtuan komisionarët e vet ne lakmi për lekë?! Ku ta dimë te vërtetën?! Si binden dot asgjëje, kërkojnë vetëm të vërtetën e vet, ne mënyrën e vetë. S’ka kompromis! S’ka dialog qytetërues politik. Ku është vizioni politik i një fuqie opozitare dhe virtytin politik, kur i gjithë koncepti i tij politik ngritët mbi luftën kundër një individi?!
Nga politikanë të përzgjedhur  “shqiptarçe”, kudo me vota te shpërdorura, ndodhë qe majtistet te mbërthehen në djathtistë brenda natës, edhe kundërta. Bëhen aleat me djallin e te birin e tij, për të arrit te parajsa e grabitjes-pushteti. S’ka rendësi programi, s’ka rëndësi votuesi  majtist apo djathtist s’ka rëndësi as pastërtia etika  e as vizioni i ndryshëm politike. Kjo në Kosovë veç ka kohë që është bërë modë.  Kushtimisht, te gjithë këta politikan pushtetin e kanë / e bënë/ privilegje, për te përmbushë orekset e tyre materialiste, e jo përgjegjësi. Tash jetojnë ne pasuri përrallore te grabitur nga postet e pushtetit.
 Kryeministër e kryeopozitari/Tiranë/  ishin te ‘lavdishëm’, se njeri u gjet  te “procesi i rinisë...” e tjetri ndërtoj karriere, qe i kulmoi kur mbi supe barti sopatën në emër të “mbrojtjes” se shtetit. Ndërsa tjetri ishte politikisht  ne maje te UÇK -së. Por asnjeri e as tjetri, s’kaluan nëpër filtrin e mirëfilltë etik politik, e asnjëherë  nuk u qartësuan veprimet  “muajt e fshehur ne biografitë” e tyre. Tash po shihet se janë në deficit me kulturë politike e te dialogut politik, dhe janë ne ngërçin e se kaluarës. Politiken e shtetit e vunë ne rrafshin personal,  e tepër te ulet. Ky është edhe vlerësim i miqve tanë.
Por,  po u shikua paanshëm, e në thellësi, sjellja me kaq kryeneçësi, e politikanëve shqiptarë  kudo,  rrjedhë se është një klasë politike me mentalitet komunistesh dhe neokomunistesh, që dot nuk arrin te konvertohen ne demokrat e politikan te përgjegjshëm. Janë të mësuar me “luftë klasash” e nuk donë t’ kuptojnë rregullat e reja te politikës. Demokracinë, kudo te gjithë, e përdorin për qëllime personale e “te klasës së vetë” e jo për qëllimin primar të saj, qytetarin. Dhe e dyta, “prirja për luftë për pushtet” kaq e theksuar a mos është sëmundjeje e kamotshme e shqiptareve, sëmundje qe nuk “ua ndien për njerëzoren” e as për kombin e vet, kur është fjala për “grabitje materiale” (E. J)?! Shi për këtë në sundimin Otoman Shqiptaret u bënë pasha e vezir më shumë se te gjithë kombet te tjerat, se bashku, te Ballkanit.
Me ketë kulturë politike, u bënë lëshime politike te pandërprera, dje edhe sot, ne shume segmente te shtetit. Pjesët e brendisë tonë politike, janë “ngërçe te lakmisë per pasuri” e nuk kuptojnë se janë përbërëse te një tërësie dhe çdo  pjesë e saj e jep funksionalitetin e tërësisë ose e pengon atë.
Prandaj, Sot, saktë,  legjitimiteti i pushtetit ne te dy shtete është plotësisht arsyeshëm i kontestueshëm. Kjo tregon se jemi ne një krizë morale politike mjaftë të thelle si komb. Shqetësimi shtohet se ka rënë besimi ne institucionet e shtetit dhe nuk është qartë politika kombëtare. Politiken po e bëjnë  te guximshmit, popullistë, me mentalitet rajonal e jo mbi interesin e përgjithshëm.  Shi për këtë, kjo kundërshtarëve te kombit u dhanë shanse veprimi, dhe sulmet sllave-greke  kanë arrtë koherencë, e mbështetje në qarqe evropiane, për te na shantazhuar  dhe shkaktuar një damë moral vështirë te riparueshëm, dhe duke hapur procese te reja me pasoja afatgjate për kombin tonë.
Prandaj, sot jemi ne sprovë te re në jetën e kombit tonë. Kërkohet përgjegjësi kolektive politike qe  t’i shtyjnë përpara proceset e përgjithshme drejt cakut te përbashkët, te bashkuar, ne ketë kohë globalizmi. Dhe  po e përmbylli me mendimin e një njeriu, qe vetëm ne çaste e  vështirësi e fliste, gjuhen e nënës, shqipen: Mustafa Kemail- Ataturku, që  duke i prirë luftës e politikes se kombit turk për liri e Turqinë moderne, thotë: “... Te kërkosh ta dish se ç’do te ndodhë që një komb, qe nuk ia del mban (pavarësimit), do te thotë ta quash te vdekur atë komb. Për rrjedhojë derisa kombi jeton e vazhdon te sakrifikohet, nuk mund te  bëhet fjalë për dështim “.  Mbetet te vazhdojmë qe ende te sakrifikojmë, për te sotmen dhe ardhmen e kombit tonë, që kombi edhe nesër te jetë një komb  i nderuar.

ymer.halimi@uni-pr.edu



Autori i teksteve eshte prof.asisten dr.sci. per lenden biofizike mjekesore ne Fakultetin e mjekesise ne Prishtine.

No comments:

Post a Comment