3.26.2011

Romeo dhe Zhuljeta, historia e dashurisë në balet

Për herë të parë u ngjit në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në vitin 1996. Atëherë ishte koreografi Agron Alia ai që solli për publikun shqiptar historinë e dashurisë së Romeos dhe Zhuljetës në balet.

Këtë herë, historia do të rrëfehet sërish, por nga të tjerë artistë e për këtë “ndryshe”.

Baleti me tre akte “Romeo dhe Zhuljeta” do të vijë premierë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në bashkëpunim me Operën dhe Baletin Kombëtar të Sofjes duke filluar që sonte, për të vijuar edhe më 19, 21 dhe 22 mars.

Bazuar në tragjedinë me të njëjtin titull të Shekspirit, me muzikë të Sergej Prokofiev, skenografi të Agim Zajmit, baleti vjen i drejtuar nga mjeshtri koreograf Peter Loukanov, nën dirigjimin e Ermir Krantjes.

Tragjedia “Romeo e Zhulieta” çmohet si një nga veprat më të mira të dramaturgut të madh anglez të shekullit XVI, William Shekspir. Besohet të ketë dalë në dritë për herë të parë nga viti 1597, megjithatë data e sigurt nuk dihet. Subjekti i kësaj vepre është dukur në letërsi përpara lindjes së Shekspirit, po shkrimtari italian Luigi de Parto, më 1530, e lokalizoi ngjarjen për herë të parë në Veronë me emrat e dy dashnorëve, Romeo dhe Zhulieta. Nga italishtja ngjarja u përkthye në frëngjisht dhe pastaj në anglisht në disa versione, tek të cilët është bazuar Shekspiri për sa i përket thelbit të saj. Vepra fillon me grindjet dhe zhurmën e shkaktuar nga një urrejtje e vjetër midis dy familjeve të parisë së Veronës, Montagëve dhe Kapuletëve. Kjo urrejtje përmbledh të gjithë pjesëtarët e familjeve që nga më i madhi deri tek shërbëtorët, të cilët zihen e vriten nëpër rrugët e qeta të Veronës.

Në skenën shqiptare shfaqja do të vijë e interpretuar nga Enada Hoxha dhe Odeta Dishnica, të cilat do të jenë në rolin e Zhuljetës, Romeo- nga Gerd Vaso dhe Ervis Nallbani, Tebaldi-Sokol Zhugri, Merkucion-Endri Shkoza dhe Helios Papadhima, Parisi dhe Escalusi-Dion Gjinika, Benvoglion-Fatjon Lito.

Interpretojnë edhe Rovena Shqevi, Ledia Sula, Isida Mollaymeri, Jonida Onuzi, Adela Muçollari, Loreta Bala, Joli Eleni Gjovreku, Alisa Gjoni, Erald Zela, Julind Dervishi, Silvester Shuta, Igli Mezini, Eni Balla e shoqëruar nga Trupa e Baletit dhe Orkestra Simfonike e T.K.O.B dhe nxënës të Shkollës së Mesme Kombëtare Koreografike.

b.g

No comments:

Post a Comment