2011-03-26

Shqipëria e vitit 1953 në shënimet e një gazetari suedez



Kur erdhi në Shqipëri, në vitin 1936, ai kishte dëgjuar se Shqipëria ishte një vend i humbur kusarësh. Kur sosi në portin e Durrësit, kur u përball me atë panoramë malesh ngjyrë hiri, priste t’i dilnin para edhe ca njerëz të çuditshëm me kapele piratësh.Njerëz të çuditshëm pa me siguri, por as piratë e as kusarë. Pa njerëz të veshur varfër, por që ngisnin makina luksoze, të sjellshëm dhe me masë, tepër mikpritës, madje në çdo rast të nxirrnin përpara tabakanë me kafe të nxehtë. Sven Auren (1906-1985), gazetar dhe shkrimtar i njohur suedez, autor i 55 librave, ka pasur mundësinë të shëtisë shumë vende të botës. Në vitin 1935, pasi kishte marrë shumë këshilla që të mos e merrte atë rrugëtim, erdhi në Shqipëri dhe vizitoi një sërë qytetesh, që nga Durrësi ku mbërriti së pari, Tiranën, Elbasanin, Shkodrën, Krujën, Vlorën, Sarandën e Gjirokastrën. Si një gazetar e shkrimtar, nuk mund të mos mbante shënime, të cilat na vijnë edhe në shqip nga shtëpia botuese “Botimet Enciklopedike”.


 Këtë përmbledhje shënimesh, por edhe analizash, Auren e titulloi “Shqipëria, Orienti i Evropës”. Suedezi, të cilin nuk e lidhte asgjë me Shqipërinë, nuk kursehet duke përshkruar mizerjen e qyteteve shqiptare, mënyrën orientale të të jetuarit, por, nga ana tjetër, nuk mund të mos ngrejë lart vlerat e shqiptarëve, si njerëz të rrallë, të pritur, me sqimë, krenarë. Sipas tij, edhe një shqiptar i veshur keq është krejt tjetër gjë nga një leckaman italian, apo francez.. Libri i Aurenit na sjell dëshmi të mrekullueshme nga Shqipëria e fillim shekullit XX, na ofron panorama, rrugë, ndërtesa, të cilat nuk ekzistojnë më. Gjithçka e përshkruar në detaje dhe të duket se ajo që shkruhet, t’i mund ta shohësh. Teksa ka qëndruar në Tiranë, Aureni ka vizituar shtëpinë e mbretit Zog dhe na ofron imtësisht mënyrën sesi ajo ishte mobiluar. I ndodhur gjatë një kohe zije në Shqipëri, pas vdekjes së nënës mbretëreshë, pas informacioneve dhe deduksioneve, gazetari na bën me dije edhe mbi ndikimin që nëna mbretëreshë kishte pasur mbi të birin, Ahmet Zogun.

No comments:

Post a Comment