2011-03-28

Si e mbaj mend nxënësin tim Sali Berisha?

Nga: Prof. Murat Gecaj

Fillimi i viteve '90-të solli ndryshime të shpejta në vendin tonë. Nismëtarë të lëvizjes demokratike në Shqipëri u bënë disa intelektualë të guximshëm, të cilët edhe publikuan në shtyp artikuj thirrës e nxitës, që kërkonin reforma rrënjësore dhe ishin me nëntekst për ndryshimin e sistemit komunist në fuqi. Për këtë arsye, pati edhe ndonjë poet, që me mendimet e shprehura në vargjet e tij u vu në shënjestrën e regjimit të kohës. Ndërsa shkruan disa artikuj, që lanë gjurmë të thella në popull, intelektualë mjaft të njohur edhe për atë periudhë, si Dr. Sali Berisha, Dr. Ylli Popa e të tjerë. Me historikun e ngjarjeve të stuhishme të vitit 1990, 1991 e 1992 dhe në vazhdimësi, tashmë, jemi njohur të gjithë. Por dua të nënvizoj se e kam ndjekur me simpati dhe me nderim përkushtimin e guximin, që treguan Dr. Berisha, Azem Hajdari e të tjerë, në ballë e në udhëheqje të rinisë e popullit, që kërkonin ndryshime cilësore të pushtetit, si dhe në krijimin e forcës së parë opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike. Tërë ky vrull i paparë u shoqërua me rrëzimin e simboleve të komunizmit dhe fillimin e projektit për një shtet të ri demokratik europian. Kështu, rasti e solli që u ndodha pikërisht përballë, kur u rrëzua monumenti i E. Hoxhës në kryeqytet; ndoqa mitingjet e protestës, si në Qytetin "Studenti" e tjerë dhe shkova në mbështetje të grevës së urisë së studentëve, me bashkëshorten dhe dy djemtë e vajzën time.
Më vonë, duke ushtruar detyrën e gazetarit të arsimit, ka patur raste që jam takuar me Dr. Berishën, kryetar i PD-së e President i Republikës, si në konferenca shtypi dhe në punimet e Kuvendit të Shqipërisë, në Tiranë, por dhe në veprimtari të ndryshme nëpër rrethe. E tillë ka qenë, për shembull, veprimtaria kushtuar një përvjetori të shënuar të Normales së Elbasanit, të cilën ai e cilësoi atë "Universiteti i parë shqiptar".
Me vënien në përdorim gjerësisht të internetit e të celularëve, sidomos në këto vitet e fundit, jo vetëm në një rast, kam shkëmbyer mesazhe me Dr. Berishën e familjen e tij. Ai është treguar i vëmendshëm e korrekt jo vetëm në rastet e festave të ndryshme, por dhe në përvjetorë vetjakë. Kështu, në mars të vitit 2010, unë kisha 70-vjetorin e lindjes dhe përurova një libër jetëshkrimor. Në përgjigje të ftesë sime për të marrë pjesë aty, ai më dërgoi këtë mesazh në celular, të cilin e ruaj ende të pafshirë: "Në pamundësi me marrë pjesë në promovimin e autobigrafisë së mësuesit tim të respektuar, ju uroj! Me shumë mirënjohje për të gjithë kontributin tuaj. Me respekt: Sali Berisha". Po kështu, në një urim me rastin e 28 Nëntorit 2010, ai më shkruante: "Gëzuar këtë ditë, ditëlindjen e kombit dhe të flamurit tonë, më të bukurin mbi tokë. Me repekt: Sali Berisha".
Që mos ta lodh lexuesin e këtyre radhëve, po përmend dhe takimin e kohëve të fundit me Kryeministrin, Prof. Dr. Sali Berisha. Në prag të festës së 7 Marsit 2011, pra, Ditës së Arsimit kombëtar shqiptar, më njoftuan nga Ministria e Arsimit e Shkencës se aty kishin një ftesë të posaçme nga ai, për të marrë pjesë në ceremonitë festive, që u organizua në Pallatin e Brigadave. Sigurisht, ky ishte nderim e kënaqësi për mua. Bashkë me kolegët e tjerë dhe të ftuar të shumtë, isha dhe unë i pranishëm aty. Pas fjalës së rastit dhe urimit, që bëri Kryeministri Berisha për të gjithë mësuesit e pedagogët, nxënësit e studentët dhe prindërit e tyre e mbarë popullin e Shqipërisë, mori pjesë në koktejin e shtruar. Sigurisht, gjeta rastin që, bashkë me të tjerët, të afrohesha dhe ta takoja gotën me të. Sapo më pa, ai buzëqeshi e më përqafoi fort dhe iu drejtua të pranishmëve: "Është gëzim për mua, që sot po takoj këtu edhe ish-mësuesin tim!…". E falënderova për fjalët e tij dhe për mesazhet, që ai më kishte dërguar për ditëlindjen time dhe në raste të tjera.
Në mbyllje, dëshiroj të bëj një sqarim për secilin lexues të këtyre pak radhëve. I shkrova këto pa marrë parasysh aspak pozitën ose autoritetin e kaluar dhe aktual të ish-Presidentit e Kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha. Por u nisa e desha të flas dhe të tregoj me zemër të hapur dhe pa asnjë interes vetiak ose familjar, për aq sa e njoh unë, që në fëmijërinë e tij e deri më sot, që ai e ka dëshmuar veten gjatë tërë jetës njeri të thjeshtë e në radhët e para të punëve, ka qenë e është i ndershëm në profesion e në detyrë dhe se ka shpirt të pastër njerëzor. Përfundimisht, kam mendim të palëkundur dhe jam i nderuar që e kam patur nxënës në shkollë, mik në jetë dhe Partia Demokratike e shoqëria demokratike shqiptare, e kanë pasur dhe e kanë sot, Prof. Dr. Sali Berishën, në udhëheqje.

No comments:

Post a Comment