2011-03-31

Si e njoha Ramiz Kuklecin

RAMIZ KUKLECI – NJË JETË NË SHËRBIM TË ATDHEUT
Në nderim të mësuesit dhe atdhetarit Ramiz Kukleci

Shkruan: Bedri ISLAMI

Si e njoha Ramiz Kuklecin


Kur e kam takuar për herë të parë Ramiz Kuklecin, ndoshta ashtu si dhe dhjetra e qindra të tjerë, kam ndjerë forcën dhe mirësinë e këtij njeriu, emëri i të cilit e meriton të shkruhet me gërmë të madhe në historine e re të Kosovës.

E përfytyroj edhe tani, ashtu të qetë, të urtë, me shikimin mirëdashës, që kishte gjithnjë kujdes të mos ia priste fjalën askujt dhe të të dëgjonte me vëmendje. Ndoshta mund të thuhej edhe diçka krejt e zakonshme, ndoshta një gjë që ai e dinte fare mirë ose edhe shumë më mirë se bashkëbiseduesi, por ai bënte gjithjë durimin dhe kujdesin, që shumë të tjerëve u mungonte.

I thjeshtë, i qetë, me fjalën që tingëllonte butë, krejt njerëzore dhe që dashje pa dashje, të mbeste në memorje, si diçka që duhej të të mbeste, si diçka e zakonshme dhe e natyrshme.


Ramiz Kukleci
01.10.1928 – 31.03.1999

Unë e mbaj mend gjithnjë atë, edhe sot, pas nëntë viteve, si njeriu që bashkonte e nuk kërkonte ndarje, si njeriun i cili kishte në zemër bashkimin e jo mërinë, e mbaj mend si intelektual që fliste thjeshtë dhe kuptueshëm, si burrin që e kishte fjalën e shenjtë, e jo vetëm kur e fliste ai.

Në të vërtetë, nga rrethanat e krijuara në pragun e luftës në Kosovë, unë, e kam njohur atë si kryetarin e Forumit të Pavarur të Intelektualëve Shqiptarë në Diasporë. Kisha pasë menduar se do të gjeja një njeri që fjalën intelektual e lidhte me qëndrimin e rëndë, serioz, duke i dhënë vetes pamjen e një njeriu të rëndësishëm, që kërkon të respektohet, qoftë edhe thjeshtë se është kryetar. Ishte krejt e kundërta. Në sytë tij ka pasur gjithnjë aq shumë mirësi sa do të dilnin për disa njerëz, në qëndrimin e tij kishte aq shumë modesti, sa mund të thoje se ishte personifikim i njeriut të thjeshtë. Nuk fliste me fjalë të mëdha, si është nganjëherë e dukshme tek intelektualët, përkundrazi, ai ishte njeriu i odave të Kosovës, që mençurinë e tij e kishte mbështjellë edhe me dijet, sidomos me dijet njerëzore.

Më vonë e kam pyetur shumë herë veten se si kishte mundësi që në një njeri të vetëm, ashtu të heshtur të ishin të mbledhur aq shumë mirësi dhe aq shumë virtyte. Do të duhej të kalonin edhe disa kohë, të kisha edhe më shumë takime me Ramiz Kuklecin, të njihja jetën e tij, miqtë e tij, që shpesh herë i kishim të përbashkët, për të krijuar përfytyrimin e plotë për këtë njeri, i cili para nëntë vitesh u nda prej nesh.

Në jetën time, qoftë si gazetar, qoftë si njeri i zakonshëm, kam takuar e kam pasur të bëj me dhjetra e me qindra njerëz. Shumë prej tyre edhe nuk i mbaj mend tani, disa qëndrojnë në memorjen e time të zbehur nga koha dhe, miqtë e mi, rrijnë ende se si ishin në ditet kur do të ndaheshin prej nesh.

E kam për nder, që, qoftë edhe për një periudhë disa vjeçare, e kam njohur këtë njeri dhe që më ka bërë vend në rrethin e miqve të tij.

Ramiz Kukleci, njeriu i fjalës së urtë, e i veprimit atdhetar

Ramiz Kukleci nuk u bë rastësisht njeriu i njohur i fjalës së urtë, i veprimit atdhetar, i qëndrimit konsekuent, deri në fund për pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e kombit.

Nëse ai u nda nëntë vite më parë prej nesh, është koha të themi shumë më tepër për te, sepse ai u takonte njerëzve që e kishin bërë pjesën e tyre në historinë e kombit. Ai u takonte, mbi të gjitha atyre që, duke bërë vend natyrshëm tek historia jonë më e re, lidhin edhe epokat, sepse, natyrshëm, kanë mbajtur traditat e të parëve të tyre.

Si në balladat e lashta, familja e Kuklecajve, nipërve të Dem Ali Pozharit, do të përbëhej nga nëntë vllezër dhe dy motra. Nëntë djem do të dilnin përditë nga shtëpia Kuklecaj dhe që të nëntë, mrekullisht, do të kishin të njëjtën ide për Kosovën, të njejtën dashuri për Shqipërinë, të njëjtën mirësi. Do të kishin vetëm dy motra, gjë që i bëri që edhe më shumë të respektojnë të gjithë njerëzit.

I mendoni sot nëntë vllezër, të gjithë djem të rinj, të cilët u bënin konak njerëzve krejt natyrshëm dhe u flitnin për shtetin e ardhshëm të Kosovës dhe domosdoshmrinë për tu sakrifikuar. Sepse shteti nuk do të mund të bëhej ndryshe. Atëherë ishte kohë e vështirë. Ishte e vështirë sepse bandat çetnike silleshin nëpër Kosove si korbat e zinj, ishte e vështirë sepse shqipfolës po bëheshin me to, ishte e vështirë sepse reprezaljet ishin përditë e më të rënda. Keq me krajlat e keq me komisarët e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Më keq me këto të fundit. Disa heshtën, disa u thyen, disa pritën një kohë tjetër, ndërsa nëntë vllezërit Kuklecaj as nuk heshtën, as nuk u thyen e as nuk pritën. Ata i thanë njëri tjetrit se koha për të luftuar për Kosovën është gjithnjë, se secili brez do të duhej të bënte detyrën e tij. Nëse kjo gjeneratë do e kishte më të vështirë, atëherë edhe barra do të ishte më e madhe.

Kuklecajt u nisën për udhën e lirisë së Kosovës. Sëbashku, të nëntë. E theksoj jo një herë se u nisën të nëntë vllezërit, sepse do të kishte, si kishte pasur, edhe shembuj, kur vllezërit ishin ndarë. Kuklecajt nuk u ndanë.

Cila ishte udha e Kuklecajve dhe mes tyre udha e Ramizit, vllait të dashur të tyre, mentarit, njeriut të urtë, burrit të besës?

Që ka qenë udhë e vështirë, kjo tashmë dihet. Për të flasin burgimet e gjata, jo vetëm të njërit, por thuajse të të gjithëve, aq sa mund të thuhet se Kuklecajt, në çdo kohë, e kishin një njëri të burgosur, ose të pranguar, ose në pyetjet e gjata, ose të detyruar të arratisej. Kjo do të ishte rruga e tyre. E kishin zgjedhur vetë, do e ndiqnin vetë. Mes tyre do të ishte edhe rruga e Ramiz Kuklecit.

Rruga e mundimshme e nipave të Demë Ali Pozharit

Në jetën e gjithësecilit njeri apo të secilit fis, si ndodh rëndom në jetën tonë, vjen një kohë e caktuar kur natyrshëm bëhet pyetja se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Kuklecajt, fisi në të cilin u lind, u rrit dhe i takonte Ramiz Kukleci, e kishte bërë këtë zgjidhje prej kohësh dhe kur erdhi momenti i tyre gjithçka kishte qenë e përcaktuar. Ata e kishin gjetur rrugën e tyre, megjithëse e kishin ditur poashtu se kjo nuk do të ishte e lehtë. Do i duhej të mbështeteshin fort në gjithë jetën e fisit të tyre, në emërin që kishin lënë parardhësit e tyre dhe në mendimin për emërin që do i linin ata brezave të ardhshëm.Për shumë të tjerë do të kishte qenë e vështirë të mbahej emëri i fisit të tyre të nderuar. Fakti që ishin nipat e Demë Ali Pozharit do e bënte edhe më të ashpër reagimin dhe dhunën serbomadhe ndaj tyre, miqësia me Beqë Metë Vokshin, luftëtarin e shquar , i rënë në luftën për Plavën dhe Gucinë do bëjë që tërë familja e Rexhep Ramës / Kukleci/ dhe të nëntë bijtë e tij të viheshin në shenjestër të okupatorit serb. Prova e parë do të ishte gjithnjë më e vështira, por ajo u mbajt nga Kuklecajt, të tetë vllezërit e Ramizit, do të kalonin njëri pas tjetrit, e jo rrallë edhe në grup, nëpër dyert e burgjeve serbe, hetimeve, keqtrajtimeve, por edhe në përleshje me forcat udbashe.
Sadiku, Kamberi, Selimi, Isa, Brahimi, Jaha, Dervishi dhe Tafili do të bënin rrugën e tyre, do të ishte rrugë e vështirë, por edhe do të dëshmonte se nuk do të kishte thyerje në jetën dhe në qëndresën e tyre. Njëri nga vëllezërit, Dervishi, pas një kacafyetje me forcat e UDB-së detyrohet të largohet në Shqipëri dhe për 35 vite nuk do të takohet asnjëherë me prindërit dhe vllezërit e tij. Në familjen Kuklecai do të mungonte për një kohë kaq të gjatë, por gjithnjë ishte mendimi se në fund të fundit ai ishte në dheun amë, në tokën që e donin mbi gjithçka dhe për të cilin ishin të gatshëm të sakrifikoheshin.

Ramiz Kuleci - mësues i përkushtuar…

Në të gjithë këtë mjedis, ku vuajtja për adheun nuk do të ishte kurrë e tepërt, me 1 tetor të vitit 1928 do të lindte Ramiz Kukleci. Do të ishte bir i denjë i një familje fshatare në Isniq të Deqanit dhe kudo që e çoi jeta ai nuk harroi kurrë tri gjëra të shenjta, prindërit e tij, babain Rexhepin dhe nënë Nurien, nuk harroi kurrë se traditat patriotike të familjes duheshin ruajtur e shtuar, nuk harroi kurrë se mbi të gjitha ishte Kosova. Këtyre edhe ua kushtoi jetën.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Pejë, ndërsa shkollën e lartë, Biologji-Fizikë në Prishtinë. E kishte ëndrrën e tij të bëhej mësues i popullit të tij, u bë. E kishte vullnetin të bëhej një shembull – ishte shumë i sukseshëm në mësime. Ashtu i qetë, njeri i heshtur, ai u bë shumë shpejt shumë i dashur për njerëzit që e njihnin. Kishte qenë gjithnjë i etur për shkollë dhe dituri, u bë njeri i shkolluar dhe shumë i ditur. E kishte ditur gjithnjë se e vetmja rrugë për të shkuar sa më shpejt drejt lirisë do të ishte përmes arsimimit të njerëzve të thjeshtë, zgjimit të ndërgjegjes së tyre kombëtare, krijimit të mendësisë se duhej luftuar sipas thënies së herëshme të rilindasve se, dritë e diturisë përpara do na shpjerë. Do të ishte ndër mësuesit e parë të Kosovës së pasluftës, i cili pasi fillon të jetë mësimdhënës në fshatrat e Dukagjinit e më vonë në viset e tjera të Kosovës, duke u bërë njëri nga veteranët e arsimit shqip e njëkohsisht njëri ndër më të respektuarit.

Shumë vite më vonë, kur unë e kam njohur nga afër Ramiz Kuklecin, do të vëreja se gjithnjë tek ai kishin mbetur shumë gjëra nga mësuesi i dikurshëm, dhe kjo dukej jo vetëm në pamjen e tij të jashtme, gjithnjë të rregullt dhe serioze, karakteristikë e mesuesve të përkushtuar, por sidomos në fjalën e tij të qartë deri në saktësi, në maturinë e jashtëzakonshme dhe kujdesin për të bërë çdo gjë të qartë, në mendimin për të mos prekur askënd me fjalën e tij, sidomos kur ishte fjala për qëndrime të ndryshme. Asgjë nuk ishte e huaj për të, por gjithnjë kishte disa përparsi. Nuk e kam parë asnjëherë të futet nëpër tema boshe, të vogla, jashtë kohës, megjithëse e ndjente dhimbjen njerëzore si askush tjetër.

Ku e la emërin e tij Ramiz Kukleci ?


Fati i njeriut nganjëherë është i çuditshëm. Mund të ndodhë, që të nisesh nga një fshat i zakonshëm i Kosovës, Isniq të Deqanit dhe të bëhesh i njohur për shumëkënd, edhe tepër larg vendlindjes tënde. Kjo ndodhë edhe me Ramiz Kuklecin. Do të jetë pjesë e jetës së njerëzve në Ozdrim, Drenoc, Uqë, Baranë, pastaj do të njihet si drejtor i shkollës në Strellcin e Epërm, më vonë në Prishtinë, përsëri në fshatra e zona të tjera, do të jetë pjesë e odave kosovare, i tubimeve masive apo edhe të ngushta, për 18 vite rrjesht do të ishte njëri ndër mësuesit më të njohur të vendit të tij, deri sa një ditë, udbashët, kur e panë se nuk e kishin thyer as presionet, pyetjet e gjata, keqtrajtimet e njerëzve të familjes së tij, arratisjet, detyrat e ndryshme, që mund t´i kishin lakmuar shumë të tjere, pra , kur e panë se nuk do të kishte thyerje, atëherë vendosën ta largonin nga arsimi. Ishte e vështirë të ndahej pas 18 viteve nga njerëzit që kishte dashur dhe nga puna që kishte bërë, por ai nuk ishte dhënë. Kishte pritur dhe vazhdonte të priste shumë më tepër dhunë nga pushtuesi, pasi ai e njihte si rradhëkush këtë lloj pushtuesi, largimi nga arsimi do të ishte fillesa e presioneve dhe e dhunës së re ndaj tij, mirëpo ai nuk mund të largohej aq lehtë nga vendlindja, nëse nuk do i kishte kryer edhe disa punë të tjera, që do të ishin po aq të rëndësishme, sa edhe arsmimi i brezave. Ai do e lërë emërin e tij nëpër gjithë ata mjekë, profesorë, inxhinierë, arsimtarë të rinj, që kishin marrë prej tij jo vetëm gjuhën e bukur shqipe, por edhe dashurinë për flamurin, për lirinë e vendit të tyre, që më pas do të bëheshin të njohur si njerëz që i dolën zot Kosovës.
Kur i është dukur se e gjithë ajo që kishte bërë nuk do të ishte e mjaftueshme, atëherë ai do të linte emërin e tij në Berlin, Shtutgart, Mynih, Zyrih, Bruksel, Gjenevë, deri në Rambuje të Francës.
70 vjeçari që nuk do të njihte lodhje për të përkrahur trimat e luftës, djemte e ushtrise Çlirimtare të Kosovës, nuk do të ndalonte as kusherit e tij që të viheshin në shërbim të luftës, në të kundërtën, mësimet e tij do të ishin nxitja më e madhe. Kusheriu Agimi do të derdhte gjakun e tij në demonstratat e vitit 1989 , ndërsa në luftën e UÇK-së, Armendi, djali i Tafilit, do të rradhitej në njësitin elit të Shqiponjave të Zeza, ku edhe ra si dëshmor i kombit, përballë me ushtrinë dhe policinë serbomadhe. Trupi i tij pushon pranë trimave të luftës. Çfarë, mund të bëjë më shumë se kaq një njeri, për të mbajtur lart nderin e fisit të tij, traditën dhe dashurinë për Kosovën , çfarë mund të bëjë më shumë se kaq?

Edhe kjo do të ishte më shumë se e mjaftueshme për secilin njeri . Ai kishte dhënë pjesë nga rinia e tij, kaluar përmes dhunës serbe, kishte dhënë pjesë nga vuajtjet e fisit të tij, kishte dhënë mallin për vllain që nuk do e shihte për 35 vite, kishte dhënë gjithë diturinë dhe përkushtimin e tij, dhe, kur e gjithë kjo nuk i ishte dukur e mjaftueshme, djem nga gjaku i tij ishin nisur për ti dalë zot Kosovës dhe në luftën vendimtare për lirinë e saj.

Megjithate edhe kjo nuk do të ishte e mjaftueshme
Ai do të ecte më tej se kaq.

Njeriu mësues dhe njeriu politik në figurën e Ramiz Kuklecit

Shpesh herë, duke njohur jetën dhe dëgjuar fjalën e këtij burri të urtë, kam menduar se nuk janë të mjaftueshme të gjitha këto për të pasur një emër të nderuar si e kishte Ramiz Kukleci. Duhej shumë më teper se kaq. Më pas, kur bisedat ishin edhe më të shpeshta, mendoja se fjala e urtë, gjithë maturi ishte njëri ndër shkaqet, por nuk do të mund të ishte e gjitha. Pra kishte pasur edhe diçka tjetër, përtej jetës së tij si mësues, si prind, si shok, si njeri i odave, si mentar, si shok dhe vlla i përkushtuar.

Kjo do të ishte jeta e tij politike, sepse, që në rininë e herëshme, pra që kur do të ishte gjimnazist e më pas student, ai do të fillonte të mendonte politikisht e të vepronte politikisht. Njeriu mësues nga njeriu politik në figurën e Ramiz Kuklecit, nuk do të mund të ndahen. Ai i takon atij brezi politikanësh që e shohin partinë si një mjet jo për të bërë emër apo karierë politike, por si një mjet për të shkuar sa më parë tek ideja e lirisë dhe realizimi i saj. Ndryshe nga shumë të tjerë, ai do të jetë njeriu i lidhjeve të disafishta me lëvizjet ilegale në Kosovë, do të jetë këshilltar i tyre, njeri i afërt me to, mbështetës, kur shumë të tjerë i linçonin, ai nuk kishte frikë të mbështeste ato që quheshin irredentistë, separatist, që donin bashkimin dhe flamurin. Megjithë lidhjet me lëvizjet ilegale, ai do të bëhet pjesë e Partisë Republikane, ku ishte antar i kryesisë. Zgjedh këtë parti, ndryshe nga shumë të tjerë që ishin turrur në Lidhjen Demokratike, qoftë edhe për të fshehur pjesë të mëkateve të tyre politike, për të vetmin fakt se, kjo parti, në programin e saj, zgjidhjen e çështjes së Kosovës e parashihte edhe përmes luftës së armatosur. Ramiz Kukleci e dinte se nuk kishte mbetur rrugë tjetër veç luftës. Besonte se mund të arrihej përbashkimi i gjithë forcave përpara luftës që po vinte, përpiqej të dilte tej vetes duke bërë të mundur bashkimin e njerëzve, dhe kur nuk e arriti dot në sferat e larta të politikës, shkoi atje ku ishte edhe e vërteta, tek njerëzit që do e bënin luftën dhe këto ishin njerëzit e thjeshtë. Ramiz Kukleci besonte tek ata, sepse e dinte se si gjithëherë, edhe kësaj rradhe, ata që do e bënin luftën do të ishin pikërisht ata, hallemëdhejtë. Dhe ai vihet i gjithi në shërbimin e tyre. Kur mendon se duhet të bëjë më tej, atëhere do të jetë drejtues i Shoqatës për kthimin e Shqiptarëve në trojet e veta, në degën e Prishtinës.

Tre miqtë e afërt të Ramiz Kuklecit


Kam njohur tre miq të afërt të Ramiz Kuklecit, të cilët i besonin shumë atij, të cilët e respektonin jashtëzakonisht shumë atë, të cilët ia dëgjonin fjalën, këshilloheshin me të dhe e dinin se fjala e tij e urtë do u ndihmonte. Të tre ata kanë pasur takime të shumta me Ramiz Kuklecin, njëri nga ata u vra disa muaj para se të ndahej nga ne njeriu i urtë Ramiz Kukleci, ky do të ishte i paharruari Fehmi Lladrovci, ndërsa dy të tjerët, Xhavit Hoxha dhe Jashar Salihu, do të ndaheshin nga ne më pas. Mbaj mend respektin e jashtëzakonshëm të Fehmiut ndaj mendimit politik dhe qëndrimit atdhetar të Ramiz Kuklecit, udhën e gjatë që bënte ai per tu takuar me njëri tjetrin dhe për të marrë mendimin e tij. Xhavit Hoxha dhe Jashar Salihu ishin vërtet banorë të afërt në vendlindje me atdhetarin Ramiz Kukleci, por kjo, vetëm sa e kishte bërë njohjen më të herëshme, por lidhjet e qëndrueshme ishin bërë nga mendimi i përbashkët politik.

Ramiz Kukleci, dje pjesë e së kaluarës së Kosovës – sot pjesë e së ardhmes së saj

Në jetën e Ramiz Kuklecit ka pasur një moment kur ai, megjithëse afër të shtatëdhjetave, do dukej sikur ishte krejtësisht i rinuar, shfaqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo do i jepte një kuptim të ri jetës së tij dhe për këtë ai morri të gjitha rrugët për ta përkrahur atë, shkoi nga njëri tubim në tjetrin, takoi njerëz të të gjitha moshave dhe partive politike, bëri thirrje që njerëzit të bashkoheshin, rreth asaj që ai me të drejtë e quante, shpresa e kombit tonë.
Nuk u lodh kurrë duke e përkrahur atë, i nxiti të tjerët, duke filluar nga familja e tij, ai u bë përsëri njeriu i odave, për t´i dhënë dritë mendimit të njerëzve dhe fjala e tij e urtë dëgjohej e respektohej.

Ai vdiq një javë pasi kishin filluar bombardimet e NATO-s për t´i dhënë fund sundimit të pushtetit serbomadh në Kosovë. Nuk e arriti ditën e çlirimit, por e përfytyroi atë dhe vdiq me besimin se tani e tutje do të ishte një jetë e re për njerëzit e kombit të tij. Në aktin e fundit të ndarjes me të, ndërsa mbante fjalën nderuese, Jashar Salihut i rrëshqisnin lotët tek ndahej me këtë burrë të madh, me të cilin e kishte lidhur lufta për Kosovën dhe e ardhmja e saj.
Sidoqoftë Ramiz Kukleci, ashtu si kishte qenë pjesë e së kaluarës së Kosovës, dhe pjesë e ndritshme e saj, ashtu është edhe sot pjesë e se ardhmes së saj. Këtë vend ai e ka merituar me gjithë jetën e tij të përkushtuar deri ne flijim dhe do të jetë përherë kështu, njeriu i thjeshtë, mësuesi përkushtuar, atdhetari i flaktë, shqiptari i madh. Në epitafin e tij natyrshëm mund të vendosej se këtu pushon njeriu që kurrë nuk u lodh duke e dashur, duke punuar e luftuar për Kosovën.

Disa foto të Ramiz Kuklecit



Atdhetarët Xhavit Hoxha,Hasan Ukëhaxha, Ramiz Kukelci dhe Jashar Salihu




Ramiz Kukleci, në shërbim të fuqizimit të UÇK




Ramush Haradinaj, akademi përkujtimore për Ramiz Kuklecin 2003


Ceremonia e varrimit


Varri i Ramiz Kuklecit në Isniq të Decanit


Botuar ne Agjencionin Floart-Press me dt.9 prill 2008.

No comments:

Post a Comment