2011-03-26

SIMILITUDA E KALIT, Ahmet Selmani: “Hija e kalit” (roman) Shkup, 2010

Shkruan: Dr. Nehas SOPAJ




                                Ahmet Selmani dhe administratorja e Botimeve Shqiptare

Duke qenë se romani është lloji më i vështirë letrar për një shkrimtar, para nesh romani “Hija e kalit” i Ahmet Selmanit na ofrohet me disa dikotomi narrative: ai duket se qëndron në mes të rrëfimit realist, klasik, simbolik. Por nuk është vetëm kaq, me disa moderime në planin e teknikave narrative, ai është një roman postmodern që qëndron mes teknikës së kolazhit intertekstual dhe kallëzimit të shpjeguar. Dhe këtë e dëshmojnë dy motërzimet apo dy variantet që marrin brumë nga mitologjia dhe kënga e Rexhës. Rrëfimi është i drejtëpërdrejtë dhe shkrimi paraqet një similitudë, pra një krahasim të zgjeruar të fatit paralel të njeriut me kalin, me interkalime të njëri-tjetrit dhe këto mund ndihen pasi të kuptohen. Duke synuar të jetë origjinal, mësimi kadarejan mund ta prekë stilin e autorit tonë vetëm në dimensionin e binomit njeri – kalë si model rrëfimi, ku autori e ka vjelë një arsenal dokumentariteti jo edhe të paktë nga folklori dhe kultura jonë morale, siç është p.sh. motivi i vdekjes aksidentale si ajo e këngës së Rexhës, shumë aforizma dhe mendime, fraza e fjali të urta popullore shqiptare, maksima e elemente të Kanunit të Lekë Dukagjinit, ashtu sikurse shkrimtari ynë i madh, I. Kadare në veprat e tij e ka një model shkrimi që sot çmohet si shkrim postmodern. Elementet e teksteve të ndryshme nga ontologjia e përgjithshme, të lexuara që nga Bibla e këtej, të shkrira në mendjen krijuese, citatshmëria, referencialiteti dhe moria e elemen­teve të tjera të kulturës së përgjithshme në gjuhën e romanit të këtij autori, pra të A. Selmanit, interkalohen dhe bëhen mësime edhe të lexuesit, duke na e bërë me dije se romani është fusha e pakufishme e rrëfimit ku mund të reflektojnë idetë e shkrimtarit, qofshin ato madje edhe ide thjesht estetike, siç na duket tani neve në rastin konkret.
Romani na jep mundësinë që t’i shohim shumë ide të cilat na ofrohen si realizim artistik. Dhe, atë që shkurtimisht do ta përmblidhja në këtë rast, është kjo: romani është shkruar sipas tipit të kallëzimit realist të jetës së përjetuar me elemente personale të përjetuara dhe kjo mund të ndërlexohet, sado që autori s’e thotë hapur me detaje, të cilat aty përshkruhen imtësisht dhe me durim. Disa nga skenat të cilat ndërrohen duke e ndryshuar madje edhe terkun e rrëfimit, na shtyjnë të mendojmë se këtu duhet ndryshuar edhe receptimi i lexuesit që në motërzimin e parë deri në fund. Ky është fati i keq i njeriut që, ngjashëm si edhe te Profeti i Paolo Kuelos, ndiqet nga lindja, ku atij i vdes i ati dhe prandaj ai rritet në vetmi nën mëkimin me lot të nënës, rritet dhe shndërrohet në luftëtar dhe, si për mjerimin tonë kombëtar, ai patjetër do të përfundojë në gojë të ujkut, pastaj duke filluar nga kapitulli “Loja e rritës” sikur përshpejtohen ngjarjet, për t’iu rikthyer përshkrimit të detajuar dhe të imtë, sidomos te kapitulli “Kali i vdekjes”, në motërzimin e dytë. Fitohet përshtypja se stili i detajuar i përshkrimit, me pak skena dhe ngjarje dramatike (dialogë dhe monologë), është në natyrën e këtij romani të A. Selmanit, përshkrimi, mbi të gjitha. Në përgjithësi, përshkrimi dhe detaji i gdhendur dhe jo anët e tjera kompozicionale të romanit, çfarë në përgjithësi mbështetet rrëfimi klasik, bëjnë që autori në roman shpesh të koncentrohet paksa si tepër në përshkrimin e ndonjë detaji. Aty, narratori neutral, sikur nuk e ndërron pozitën, duke e vëzhguar botën nga një afërsi si e autorit, edhe kur lexojmë përshkrime të fenomeneve të natyrës, edhe kur në vetën e tretë rrëfehet për nënën edhe kur rrëfehet për heroin, Tanush Gurin, dhe kjo na shtyn të mendojmë se shkrimtari më së miri ndihet kur rrëfen për fatin e individit. Kjo përshtypje vazhdon të na mbajë edhe në motërzimin e dytë, pra në pjesën e dytë të romanit, kur nga rrëfimi në vetën e tretë, dilet në gjuhën e folur të personazheve, pra kur nga rrëfimi nis dialogu, kryesisht mes Tanush Gurit dhe Bardh Kodrës, por edhe të Din Krrabës, personazhit tragjik që paraqet tensionin dramatik të ngjarjeve që rrëfehen. Ai, Tanush Guri, vetëm nga fundi i romanit fillon të na kthjellohet me idenë e brendshme të romanit: ai me kalë bart armë për çlirimtarët, gjë që flet se këtu në këtë roman, tema qendrore është lufta për liri e popullit shqiptar, ndërkaq pasthirrma Embëtha (një fjalë shqipe e shqiptuar brenda një vepre latine, nëse nuk gabohem, diku në shekullin XII, të cilën e shënon Dh. Shuteriqi në veprën Dokumentet e para të gjuhës shqipe) përshndërrohet, jo një replikë e thjeshtë e një personazhi të zakonshëm, por një fjalë kushtruese për çlirim, fjalë që merr fuqi të re kuptimplote, kuptim të veçantë brenda tekstit dhe të cilin e shqipton një udhëheqës i rëndësishëm. E mora për ilustrim vetëm një sekuencë të vogël narrative për të thënë se brenda këtij romani, pothuaj të gjitha sekuencat e këtilla, kryesisht të ndërfutura si intertekst, dhe të cilat nuk janë edhe gjithaq të pakta, flasin për natyrën postmoderne të këtij romani. Pastaj, kjo ide, pra ideja e luftës për çlirim, e materializuar nga konteksi i tërë këtij teksti romanesk, na zbulohet vetëm nga fundi, atëherë kur autori do t’i ndriçojë hipotezat e përdorimit të emrit kalë, të gjitha varietetet e përdorimit të tij, por edhe kur do të na na i zbulojë kuptimet e fjalëve të reja, sihijet apo hijet e zeza të cilat, në fund, e vrasin djaloshin, Tanushin. Siç do të mësojmë nga teksti edhe përskaj përpjekjeve që t’u ikë ndjekjeve të sihijeve, ata si ndjekës që janë, e zënë dhe e ekzekutojnë atë - ose ne si lexues mësojmë për fundin e tij tragjik, mësojmë se turma e popullit e varros heroin e saj.
Ajo që lexuesi mëson nga ky tekst romanesk, është gjuha shumë e hollë e rrëfimit të autorit. Është impresiv sidomos përshkrimi i zemëratës së Tanush Gurit në kalin, doriun, në një çast kur ai e hedh në lumë; janë shumë impresive skenat e kalljes së zjarrit në terr dhe kthimit të djaloshit në shtëpi te gruaja, turpërimi para gruas tek ia zbulon të ngjarën. Romani “Hija e kalit” në bërthamën e vet ka binomin e kalit me njeriun, similitudën, një lloj krahasimi të zgjeruar që mëton të jetë simbolikë e fatit identik të tyre: gjegjësisht që përmes kalit dhe njeriut autori sikur do t’i derivojë anët e mira dhe të këqija të njeriut që i gjejmë te kali: durimin në jetën tonë të shkurtër dhe të mëkatshme të përditshme në kulturën tonë kombëtare, në të jetuarit e përditshëm, ku na bie të ndeshemi me një varg aforizmash, fjalësh të urta dhe maksimash, ku kali është emri i dytë i njeriut, ndaj ai është: kalë i jetës, por edhe kalë i vdekjes (simbolika e synuar e autorit), ky është doriu kryelartë, kaligjoku, kali nopran, kali i shpisë, kali i dasmës, Kalishta (toponimi ku kryesisht lëvizin aktet e veprimit), kali i huaj, kalujku, kali i zi, biro (kur njeriu i drejtohet kalit), kaladredhimi, kalëhija, etj.
Romani “Hija e kalit” është një sprovë e suksesshme e autorit Ahmet Selmanit në fushën më të vështirë të letërsisë rrëfimtare, një eksperiment që me shumë elemente na shpie te I. Kadareja. Më saktë, kjo na shpie në shkrimet e tij postmoderne, në një lloj të shkrimit, që me të drejtë, e quajmë shkrim me referenca të dokumentaritetit, e që del nga kultura morale kombëtare shqiptare dhe folklori ynë. Dhe për këtë mund të bindet lexuesi po t’i analizojë romanet Dosja H, Prilli i thyer, Kush e solli Doruntinën etj. Të shkruash sot sipas mënyrës së shkrimit të I. Kadaresë, është që ta përçosh atë shkrim sipas modelit të perceptimit tënd estetik dhe kjo s’është kurrfarë inferioriteti. Përkundrazi, kjo ka përparësitë e veta, sepse kjo është të ecësh gjurmëve të vërteta të artit letrar kombëtar shqiptar, të sprovohesh hullive më të qëlluara të kohës sonë, të vesh trasave të shkrimit letrar shqip. Jo sepse I. Kadareja sot është model shkrimi për shumë shkrimtarë më emimentë shqiptarë (kësaj rruge, mjerisht shkojnë edhe disa shkrimtarë të cilët s’dinë si të mësojnë prej tij), por sepse mënyra që ka zgjedhur autori ynë, Ahmet Selmani pra, më së miri e dëshmon këtë gjë. Ajo që I. Kadareja sot është model shkrimi për shumë shkrimtarë të rinj, është gjuha e këtij autori, bastioni më i madh i shkrimtarisë së një shkrimtari që autorët e rinj synojnë ta mësojnë, gjegjësisht përpiqen ta përvetësojnë si duhet shkruar. Në rastin e A. Selmanit, së paku sipas romanit “Hija e kalit”, kjo më së miri shihet në mësimet dhe mënyrat e përdorimit të referencialitetit intertekstual dokumentar), por edhe në përvetësimin me sukses të këtij mësimi, kur autori ynë del i zbarkuar nga ndikimi duke mbetur origjinal, duke mbetur shkrim më vete, pra duke arritur të mbetet shkrim pa ndikim. Lufta e autorit që të jetë origjinal, i takon gjuhës së shkrimtarit Ahmet Selmani e cila vërtet është vetanake dhe meriton çdo lavdëratë, duke qenë shumë e begatë, precize dhe tingëllon pastër shqip, kaq e pastër dhe kjo mund të shihet në leksikun dhe në sintaksën e pasur me shumë neologjizma, kryesisht kompozita (fjalë të përbëra) të cilat synojnë dykuptimësinë, madje edhe poliseminë. E kush nuk e di gjuhën e I. Kadaresë? Nëse sot dikush di për veçantinë, thellësinë dhe madhë­shtinë e gjuhës sonë, kjo është gjuha e romaneve të I. Kadaresë, pa marrë parasysh aspektet e tjera ekstraletrare.

No comments:

Post a Comment