2011-03-25

Të jesh, a të mos jesh


Regjisori shqiptar, Selam Hajrizi, bashkë me ekipin e tij, po punon në dokumentarin “Të jesh artist në Kosovë”. Por, për premierën e filmit ende s’dihet gjë, ngaqë regjisori pret mbështetje financiare nga MK


image

“Të jesh artist në Kosovë” është titulli i filmit-dokumentar të regjisorit Selam Hajrizi. Ky doli të jetë dokumentari i parë që merret me trajtimin e problemeve të artit dhe kulturës në Kosovë. Ka rreth 12 vite që Hajrizi jeton dhe vepron në Francë, ku edhe ka mbaruar shkollën e regjisë - në Universitetin Avignon. Për Hajrizin realizimi i këtij dokumentari është gjë emocionuese. “Vendin tim e dua shumë. Jam i bindur që kemi një kulturë e histori të pasur, andaj mundohem që përmes kulturës e artit të jem një ambasador i vendit në Francë, dhe që Evropës e Botës ai t’i paraqitet përmes krijimtarisë sonë të pasur”, theksoi Hajrizi. Sipas Hajrizit, disa pjesë të dokumentarit janë përfunduar, ndonëse një pjesë e madhe ende është duke u punuar. Sipas tij, puna e mëtutjeshme varet nga buxheti, të cilin ende nuk e ka siguruar, e kjo pastaj po e vonon punën.  Dokumentari “Të jesh artist në Kosovë” flet për artin dhe kulturën në Kosovë. Filmi fokusohet tek brezi i ri artistik. Në dokumentar marrin pjesë: Arta Kallaba (regjisore teatri), Burim Haliti (regjisor filmi), Flutura Zeneli (aktore), Saranda Shala(modele), Blerta Syla (piktore) dhe dramaturgu Teki Dervishi. “Jam fokusuar në këtë temë, ngaqë dua që arti dhe artistët kosovarë të vlerësohen, dhe që puna e tyre dhe vetë Kosova të ketë një imazh të mirë në skenën artistike dhe kulturore përmes krijimtarisë së vetë artistëve tanë”, shprehet Hajrizi.  Dokumentari do të realizohet në Kosovë, e një pjesë edhe në Paris. Pastaj, do të shfaqet në Kosovë dhe në Francë, edhe pse Hajrizi po punon pandërprerë që dokumentarin ta prezantojë edhe në Festivalin e Cannes dhe në disa festivale tjera evropiane. Megjithëse shumë punë kanë përfunduar, Hajrizi, ende nuk e di se kur do të jetë premiera e filmit. “Nuk mund ta di kur do të jetë premiera, sepse filmi ende nuk është financuar nga askush. Ky edhe është qëllimi i kthimit tim në Kosovë, sepse jam i gatshëm që me ekipin teknik dhe me artistët t’ia fillojmë punës, menjëherë pas mbështetjes financiare nga Ministria e Kulturës, ose nga ndonjë produksion tjetër në Kosovë”, përfundon ai.

No comments:

Post a Comment