2011-03-26

Vargjet e Arbënore Zeqir Abazaj janë shprehje e fuqishme e një zëri të çiltër poetik janë shprehje e fuqishme e një zëri të çiltër poetik



Vargjet e Arbnores janë shprehje e fuqishme e një zëri të çiltër poetik, që në botën e tyre zihet shumëçka që ka të bëjë me kohën dhe realitetin. Motivi i atdheut, motiv që dominon më së shumti në vargjet e poetëve që nga e kaluara, me ndjenjën e dashurisë ndaj mëmëdheut, si prolog hapet ky vëllim poetik: Derisa shkruaja poezinë/ Në fletën e bardhë/ Shkronjat bënin dialog/ Disa dolën jashtë/ Shkronja A filloi të qajë/ Unë mbeta e habitur/ E pyeta A-në pse po qan/ Ajo më tha/ Në alfabet jam numër një/ Edhe në emrin tënd/ Unë jam e para/ Pse më le në mes/ Me ty fillon mëmëdheu ynë. (Poezia, Me A fillon mëmëdheu ynë, f. 5).
Kështu, në vëllimin poetik të Abazaj, objekt frymëzimi dhe preokupimi janë ngjarjet dhe momentet e ndryshme që prekin thellësinë e botës shpirtërore.
Te poezitë e këtij vëllimi poetik, përkatësisht tek kapitulli i parë, Tingujt e heshtjes, me simbolika të fuqishme shpaloset bota që rrethon bashkë me trajtat e përditshmërisë, që trazon këtë shpirt krijues. Në brendinë këtij subjekti ngërthehen edhe hidhërimi, edhe vetmia, edhe reagimi i një shpirti, i cili gjen prehje vetëm në ëndrrat e veta. Në këtë varg, po ashtu e gjejmë edhe trajtimin e temave që lidhen me problematikën sociale e psikologjike, pastaj motivi i botës idile dhe kravatave, si mëtim i hershëm për të ndjekur lëvizjet e reja të mendimit po ashtu edhe të alternimeve jetësore. Motivet që kanë ngjizur krijimtarinë e kësaj autoreje shtysën e kanë në vëzhgimin e hollë e të vazhdueshëm të evoluimit e të transformimit të botës shpirtërore të individit dhe të kolektivitetit. Figurat të cilat dominojnë në vargun e gjatë të këtyre autoreve vihet të veprojnë e të ecin nën trysninë e kushteve dhe realiteteve të caktuara, mirëpo specifika e reaksioneve dhe rrugës së zgjedhur kërkohet në veçoritë e karakterit dhe ngjizin strukturën metaforike të vargut. Konflikti dramatik në të cilën ndeshen ngjarjet dhe protagonistët, autorja bën përpjekje të lehtësojnë formën kapërthimit të motiveve dhe të ngjarjeve. Poezitë e Abazajt shprushin fatin e njeriut bashkëkohor. Fati, vuajtjet, plagët, dhimbja, ngushëllimi, ëndrrat, buzëqeshjet, shpresa, vetmia, dashuria, jeta, vetëdija, apokalipsi, ëndrra, errësira, humnera, drita, zjarri, lotët etj., janë lajtmotiv që dominojnë në këto vargje dhe i japin shkëlqim këtij vargu poetik: Edhe sonte mbretëreshë e lotit jam/ Pa ty shoqe vetminë e kam/ Natës i mungon takimi ynë i fshehtë/ Hëna lutet/ Lutet për ne/ Si valë rrufeje ti u largove/ A kam faj unë që të doja aq shumë/ A kam faj që edhe sonte/ Qaj për ty mbretëreshë/ Mbretëreshë e lotit jam/ Vetmia më ha/ Loti më pikon/ Mbretëreshë e lotit jam/ Askush nuk e di që kur u largove/ Mbretëreshë e loti jam... (Poezia, Mbretëreshë e lotit, f. 21).
Në vazhdim të librit, autorja Abazaj e thyen rutinën e këtij vargu poetik, të konceptuar me një pjesë – shtojce me aforizma, të titulluar “Nuk dua të bëhem rob”. Ja disa nga aforizmat që Abazaj i ka sajuar në librin e saj: Më thua se je kritik arti dhe më kritikon në biznesin tim/. I varfëri i lutet popullit, i pasuri i nënshtrohet pushtetit dhe parasë/. Asgjë nuk është e rastësishme, gjithçka ka një qëllim, por për ne mbetet e panjohura/. Disa njerëz i besojnë fantazisë, disa të tjerë të parealizueshmes/. Nuk ka vetëm jetë misterioze, ka edhe njerëz të tillë etj.
Vëllimi poetik i Arbënore Zeqir Abazaj, është një përmbledhje e veçantë poetike, që përveç vlerave ideoartistike edhe motivet dhe mesazhet që ngërthehen në të janë shumëfish të vlefshme, që njëherësh edhe përcjellin një mesazh udhërrëfyes.

No comments:

Post a Comment