2011-03-25

Vepër shumëdimensionale


image
Qani Mehmedi në librin “Shtetformimi i Kosovës” gërsheton dy dimensione të lëvizjes çlirimtare të Kosovës, institucionalizimin dhe veprimtarin ilegale, dimensione të cilat autori i analizon si pjesë të një procesi
Safet Hyseni
Kërçovë - Në organizim të Qendrës arsimore universitare të UNS, të shtunën në ambientet e Muzeut të Kërçovës u promovua libri i Mr. Qani Mehmedi i titulluar “Shtetformimi i Kosovës” ku morën pjesë personalitete të ndryshme të jetës politike e shoqërore nga të gjitha hapësirat shqiptare. Të pranishmit në këtë solemnitet promovues fillimisht i përshëndeti Bekim Adili, i cili tha se libri “Shtetformimi i Kosovës” është vepër e një autori me një profil të vërtetë qytetar, publicist, politik e letrar, me përmasa reale intelektuale të mirënjohura në të gjithë hapësirën shqiptare. Ky libër na vije si  një kontribut origjinal në fondin e vlerave të veçanta të kulturës, shkencës dhe politikës shqiptare. Ai përfaqëson të parin dhe të vetmin autor shqiptarë që angazhohet të trajtojë dhe të analizojë për të parën herë një problem të tillë kaq sensitiv të historisë moderne politike të Kosovës. Ai e konsideroi këtë eveniment si të veçantë për Kërçovën, sepse personaliteti që origjinën e ka nga Kërçova, me përmasat që ka ndërtuar i takon gjithë botës shqiptare. Kjo vepër e autorit, jo rastësisht vjen në 30 vjetorin e fillimit të demonstratave të vitit 81, ku autori është protagonist i atyre ngjarjeve me plot gjak dhe sakrifica. Kjo vepër në vete ngërthen shumë ngjarje, analiza dhe argumente të kohës të cilat sjellin dëshmi historike mbi shtetformimin e Kosovës. Për veprën dhe autorin e sajë foli edhe Fazli Veliu, i cili tha se libri “Shtetformimi i Kosovës” është i lidhur me të gjitha periudhat që e karakterizuan Kosovën deri në pavarësimin e saj. Aty pasqyrohen rrethanat e veprimtarisë legale dhe ilegale, përpjekjet e rinisë studentore dhe sakrificat e gjeneratave të tëra të cilat përmes autorit gjenin hapësirën dhe mbështetjen në mediumet e asaj kohe. Autori i kësaj vepre ka qenë kontribues i madh për lëvizjen dhe të gjitha proceset që pasuan deri në bërjen e shtetit të Kosovës, tha ndër të tjera Fazli Veliu.
Autori i këtij libri shumëdimensional ka qenë dëshmitar i këtyre ngjarjeve që i trajton sepse ato i transmetoi në mënyrë shumë autentike në media ku punonte, tha ambasadori i Kosovës në Shkup Skender Durmishi. Ndërkaq profesori Rexhep Hoti në fjalën e tij tha se autori Qani Mehmedi i ka përjetuar të gjitha zhvillimet dhe ai me natyrën e tij komunikuese, është njëri ndër të paktët personalitete shqiptare prej nga mund të mësosh atë që mungon në letrat e shkruara shqipe. Qani Mehmedi ka pasur guximin e hulumtimit të specifikave dhe analizën e thuktë, e cila prek në thellësitë e të gjitha segmenteve dhe intrigon të gjitha shtresat intelektuale, por ai vuri në dukje se miku i tij ka qenë mospërfillës ndaj vlerave të veta.
Autori në librin “Shtetformimi i Kosovës” gërsheton dy dimensione të lëvizjes çlirimtare të Kosovës, institucionalizimin dhe veprimtarin ilegale, dimensione të cilat autori i analizon si pjesë të një procesi, pra si evoluim i pashmangshëm dhe i domosdoshëm i kohës, tha ish ambasadori Alajdin Demiri, i cili shtoi se analiza e autorit prek, shqyrton dhe intrigon dukuritë e të kaluarës dhe të tashmes, personazhe të humbur dhe të gjallë, ikona arkivore dhe figura aktive, heronj, martirë dhe lojtarë të ndryshëm politik.
Mysafirëve të tubuar në këtë eveniment iu drejtua edhe autori Qani Mehmedi, i cili falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në botimin e librit dhe në organizimin e promovimit, miqtë që kishin ardhur për ta nderuar veprën e tij nga të gjitha hapësirat shqiptare, mediumet dhe kolegët e tij gazetarë me të cilët ka qenë së bashku në veprimtarinë gazetareske dhe publicistike në Tetovë, Shkup, Kërçovë, Prishtinë dhe Tiranë. Në këtë eveniment i cili korrespondon edhe ditëlindjen e autorit Qani Mehmedi, u prezantuan edhe disa pika artistike të muzikës klasike të cilat u interpretuan nga  Besiana Mehmeti, Shkodran Tolaj, Shkëlzen Pajaziti dhe Xhezaire Aliti.

No comments:

Post a Comment